Nga Laureta Petoshati
(Kujtime kur ajo këndonte për bashkatdhetarët)
Para pak kohësh kur ekranet filluan të gumëzhinin për Parashqevi Simakun, ata që “gërmojnë” çdo video të saj, nxorën dhe atë të 28 Nëntorit 1997 të realizuar në Manhattan, New York në restorantin “Triestino” me pronar Shaqir Gashi -Belushi. Shumë më pyetën, a jam unë, ajo me kostum blu atje, në atë festë. Po, unë isha atje. Nuk e harroj atë ditë dhe shumë të tjera që kam takuar dhe kam folur me Parashqevinë, por së fundmi nuk jam prononcuar. Unë këto kohë u ndesha me një dhimbje të dyfishtë dhe që të dyja vinin nga Amerika: humba kushërirën time të parë në moshë fare të re nga kanceri i gjirit dhe la pas dy fëmijë të vegjël, që e kërkojnë çdo ditë me lot në sy. Pastaj ndodhi historia e trishtë e Parashqevisë. U trondita dyfish duke menduar dhe një nënë tjetër ishte ndarë nga fëmija, jo nga kalimi në dimensionin tjetër, por nga gjykata. Nuk e prisja këtë gjë për Parashqevinë, që më të madh se veten ka buzëqeshjen, madje me të madhe se buzëqeshjen ka zemrën. Po shoh njerëz me talent dhe pa talent, që flasin pa menduar ekraneve për diapazonin e zërit, që krahasojnë të pakrahasueshmet, si të krahasosh trëndafilin me zambakun, apo mollën me portokallin. Ca flasin se pse po merren kaq shumë me Parashqevinë, kur janë vetë ata që po merren me të. Gjithsesi, edhe pse makineria mediatike ka futur në ingranazhet e saj ego, xhelozi, hamendësime, madje dhe akuza duke prodhuar idjotësi, prapëseprapë, duke vendosur në qendër dhe përballë figurën e Parashqevisë, po del e vërtetë ajo që thotë Elton Ilirjani se Parashqevia është një divë. Unë do ta quaja një brand (markë), paçka se media dashur pa dashur e ka kthyer në mit. Ajo që kur doli në skenë ishte e brishtë, rrëzëllitëse, diellore me atë zë të ëmbël, të kadifenjtë, të cilin e ka përcaktuar më së miri Agim Krajka. Zëri i Parashqevisë aq i ëmbël, aq shërues sikur dilte nga një engjëll, nga një zanë, i bënte djemtë të ëndërronin. Kjo gjë u mungon/te atyre këngëtareve, që dikush i krahason me Parashqevinë. “Bukuria do të shpëtojë botën”, ka shkruar Dostojevski, ndërsa bukuria e saj në kompleksitet me zërin, qëndrimin, veshjen ishte si një rreze drite që tregonte plasaritjen e murit nga depërtimi që bënte midis dy botëve: tonës dhe perëndimit. Ajo ishte si një parathënëse e ardhjes së lirisë.
Parashqevia donte ta prekte lirinë dhe ëndrrat, ndaj shkoi në Amerikë. Ishte e drejta e saj të shkonte në Hollywood, por aty ajo vuri ndjenjat para karrierës sidmomos para një burri shumë të kalkuluar sipas trekëndëshit famë-familje- fonde, që kur iu rrëzua një brinjë u shkatërruan gjithë të tjerat.
Por ajo para famës vuri ndjenjat, vuri ndërtimin e familjes dhe u martua me Robertin. Ajo u kthye në Manhattan dhe këndonte të enjten, të premten dhe të shtunën te lokali i Shaqir Gashi- Belushit. Unë aty e takova për herë të parë. Në atë kohë jetoja në Boulevard East, West New York, me Merita Mujën, një flautiste e talentuar me origjinë nga Kukësi, e cila në grupin e instrumentistëve, që shoqëronin Parashqevinë, kishte një njeri të afërm, që luante në tastjerë dhe që quhet Binak Elezi. Kur Parashqevia erdhi dhe na takoi dhe më pyeti nëse isha dhe unë instrumentiste, Merita i tha që jam poete dhe kisha botuar një libër. Më kërkoi një kopje dhe ia çova herën tjetër. Kur e la te banaku e sheh Shaqir Gashi dhe vjen e ulet me ne. ” -Po për Kosovën, ke shkuar ndonjë gjë?” – më pyet. “-E kam përmendur, por kam shkruar për Çamërinë,”- i them. “-Ku dinë jugorët për Kosovën, “- ngacmoi Merita, por unë sikur mora zjarr dhe fillova të tregoj ato që kisha lexuar te libri “Shqipnija e Vërtetë” botuar në vitin 1944 me autor Besim Qorrin. Për fatin tim të mirë, atë mbrëmje aty rastisi dhe ish komandanti i dikurshëm i nëndetëseve dhe i Flotës Luftarake Detare, Skënder Doçi, që kur mori vesh se isha vlonjate dhe vajzë ish ushtaraku filloi të më pyeste për shokët e tij, që ishin dhe shokë të tim eti dhe u kënaq shumë. Po aq u kënaq dhe Shaqir Gashi nga bisedat dhe më tha që të vinim aty për çdo hall. Parashqevia që më vonë kishte lexuar librin, i kishin pëlqyer poezitë dhe me Binak Elezin më njofton që të ishim atje më 28 Nëntor. “Edhe pse ju ka ftuar vetë Shaqiri, mbi të gjitha ju do të vini se jeni të ftuara nga unë,” – këmbënguli Binaku, kur pa ngurrimin tonë. Ne shkuam dhe unë atë mbrëmje mes intervaleve të këngëve të Parashqevisë lexova disa poezi të miat, sidomos atë që ia kushtoja flamurit. Në mbi një vit që jetova në West New York, se më vonë shkova në Filadelfia, arrita të kuptoj se ai lokal, ku këndonte Parashqevia, ishte një çerdhe ku gatuheshin plane për çlirimin e Kosovës me kongresmenë, senatorë, bisnesmenë, ambasadorë, politikanë, gazetarë, njerëz të thjeshtë, punëtorë, që i digjte malli për atdheun. Dhe aty në vesh u vinte zëri i ëmbël i Parashqevisë, që vërtetë bënte lekë, por bënte me butësinë e saj, me diellin në sy dhe mbi buzë edhe ato lajmërimet për protestat, duke thënë: “-Natën e mirë për sot, ia kalofshi mirë ditën e… në Uashington, apo …” Aty , gjithmonë me të, ai që mblidhte dhe menaxhonte paratë ishte bashkëshorti i saj, të cilit të gjithë i thonin “dhëndërr” në shqip, ndërsa unë i flisja Robert, se ashtu më quajnë dhe vëllanë dhe ia mbaja mend emrin. Por unë kujtoj dy ngjarje tronditëse në lidhje me Parashqevinë. Kur ika në Filadelfia e mora me vete tharmin e protestave për Kosovën. Më merr në telefon Hasan Gashi i ” Vendlindja Thërret” dhe më lajmëron për një protestë në Lafayette Park në Uashington dhe të përgatitesha me një poezi. Unë në atë kohë, madje deri në fund, kam jetuar në një nga shtëpitë e Beniamin Risilisë dhe kur i thashë që do të shkoja në protestë, ai më tha se duhet të bëheshim një grup vlonjatësh. Dhe shkuam. Kur shkova në tribunë dhe lexova ndërmjet të tjerave: “Kosovë, Kosovë, moj lulja në dëborë/ ti motër e nënës time Vlorë/ Ç’kuptim ka pa ty, Vlora, pavarësia/ Po ra Kosova, ra Shqiptaria,”, kam dëgjuar thirrje “Vlora -Vlora”, duartrokitje, lotë dhe kur mbaroj vjen Hasan Gashi i përlotur dhe më thotë në sy të Ben Risilisë “ke të fala nga Parashqevia, që ka të drejtë që thotë se ke poezi të fortë.” Gjithçka sa ndodhi u pasqyrua në median shqiptare në Amerikë dhe mua m’u hap rruga e shkrimeve te gazeta “Illyria.” Herën tjetër, pas ndërhyrjes së NATO-s, e mora rrugën me Beniamin Risilinë, motrën e tij, Hasijen, vëllanë e tij Hasan Risilinë dhe një njeriun e tyre që ngiste makinën drejt Yonkers, New York. Hasan Gashi më tha se do të bëhej një grumbullim para Royal Regency. U nisëm herët dhe e bëmë rrugën ngadalë se gjatë natës kishte rënë shi. Atë kohë unë punoja coat check te Cutters në qendër të Filadelfias dhe ishte ditë pushimi. Xha Hasani bënte shaka duke më thënë që të gëzoja që ishte kohë e keqe se do të kisha ende punë. Kur mbërritëm atje pamë gjithë shqiptarët e Bronx-it. Shumë prej tyre i njihja se i kisha parë nëpër demonstrata. Do të niseshin në luftë. Në mes njerëzve duke folur pashë komandant Skënder Doçin. “Do të vij dhe unë,”- i thashë,-“mbas inxhinierisë, kam bërë zbor si oficere rezerviste për xhenjo.” Më pa në sy dhe më tha: “Na duhesh këtu. Propaganda është luftë.” U trishtova shumë, por as vetë nuk e kuptoj si më shkrepi në kokë. Shihja prindër, sidomos nëna që qanin. “Këta, këto tre netë, që kanë qenë të ftohta, i kanë kaluar o te restoranti i Bruno Selimaj, o te Shaqir Gashi duke dëgjuar Parashqevinë,” – thoshte Fatos Gjakova një nga djemtë kosovarë, që ishte student dhe po përcillte shokët dhe disa të afërm. Fatosi dhe Sotiraq Pema, më vonë, ia vunë emrin “Bijtë e Shqipes” shoqatës në Filadelfia. Mbaj mend që, atë ditë të nisjes së Batalionit “Atllantiku” në luftë, ishin Pashkët Ortodokse, se shumë veta kishin ardhur nga Bostoni për të përcjellë djemtë dhe na dhanë vezë të kuqe. Madje data ishte 11 prill. “Hajde me mbarësi dhe ngordhtë Slloba si Enveri, ” -tha xha Hasani që na kujtoi dhe vdekjen e Enver Hoxhës. Dhe lufta u fitua. Mbas mbarimit të luftës, shkoj me shoqen time vlonjate Klara Papa në Bronx për të blerë ca prodhime shqiptare dhe ulem diku për të ngrënë byrek me kos. Mbas tavolinës sonë ishte dikush që po fliste me zë të lartë. Kthej kokën dhe shoh dy burra që më kërkuan falje. Ishin fytyra të njohura, por nuk e mbaja mend se ku i kisha parë. “Më falni, e kam shpirtin plagë. Djemtë e mi i mësova të donin vendin, të mësonin shqip, ta flisnin bukur. U thosha që të shkonin në klube shqiptarësh ku këndonin vajza nga Shqipëria që të kuptonin se janë me kulturë. Ata e bënë lokalin ku këndonte Parashqevia si shtëpinë e tyre se Shaqiri është nga Drenica, ne nga Prizreni…” Ky ishte Ahmet Bytyçi, babai i heronjve Ylli, Mehmet e Agron Bytyçi. Kjo ngjarje më ngeli thellë në kujtesë. Parashqevia nuk ishte thjesht një këngëtare, ishte një bukuri që të joshte me ngrohtësinë, me klasin, me thjeshtësinë. Pasi ne krijuam shoqatën “Bijtë e Shqipes” në Filadelfia, (unë si e para sekretare e saj ku Sotiraq Pema ishte arkëtar), kemi ftuar nëpër aktivitete këngëtarë të ndryshëm, si Frederik Ndocin, Anita Bitrin, Aurela Gaçen, por Parashqevinë asnjëherë. Kur e kërkuam ajo nuk ishte më te Shaqir Gashi. Duke ditur që ajo ishte mike me shumë tepelenas, atëherë telefonova Reiz Begën, një burrë i moshuar, i lindur në Amerikë, nja 10 – 15 vjet më i madh se Sten Dragoti dhe patriot me të. Xha Reizi ishte një ish ushtarak dhe veteran i Amerikës, që gjatë Luftës së Dytë Botërore kishte marrë pjesë me shërbimet aleate në Shqipëri dhe i ati i tij kishte qenë shumë mik me Nolin. Jetonte në New York në Greenwich village. Ai nëpër protesta mbante në kokë një qylaf të bardhë me antenë dhe i tërhiqte gjithë lebërit rreth tij si me magnet. I thashë se donim Parashqevinë për festë, madje i përmenda dhe rastin e Ahmet Bytyçit në Bronx. “Dëgjo koce, disa i kanë shërbyer atdheut duke luftuar, disa duke shkruar dhe disa duke kënduar. Ajo i ka shërbyer atdheut, she is one of the kind,( ajo është e vetmja në llojin e saj)” – ma përfundoi ai anglisht. Pastaj më telefonoi mbas disa orësh dhe më tha se ajo priste një fëmijë. U gëzova për të dhe ne morëm Ermira Babaliun. Unë u ktheva përfundimisht në atdhe, por Parashqevinë nuk e harrova kurrë. Një shpirt i dëlirë që nuk i bëri keq askujt, sot përgojohet nga njerëz xhelozë se gjoja dështoi në Hollywood. Ajo nëse nuk do të zgjidhte të martohej, ndoshta do t’ia kalonte dhe Penelope Cruz-it. Por ajo zgjodhi tjetër rrugë. Këngëtarë xhelozë, që sot hiqen dashamirës, janë munduar ti bëjnë keq për ti thënë që nëse ti ishe mbi ne në Amerikë, ne kemi aq në dorë sa të të bëjmë keq në Shqipëri. Dhe e bënë këtë në korrik të vitit 1999. Dikush mund të thotë përfundoi në baltë, por ajo është flori dhe si floriri do të shkëlqejë përsëri. Mjaft u morën dhe me Eltonin. Ai është tepelenas, po bën atë që i ka thënë shpirti i tij prej artisti dhe nëna e tij Hanko, që më kujton Hanko Hallën e Ali Asllanit. Ai po i kthen asaj borxhin që i kemi të gjithë ne. Ajo na bëri të ëndërrojmë në kohë diktature dhe spastrimi etnik. Ai pa tek ajo, atë që nuk shohin të tjerët, shpirtin e pastër të një fëmije që ka nevojë për dashuri. Ndërsa tek unë në mendje ka ngelur ajo buzëqeshja dhe pyetja që më bënte: “Mirë i ke njerëzit në Shqipëri?!” Unë ia ktheja: “Mirë Jeto”, meqënëse atë Roberti e quante Vivian me emrin e artit dhe shkurt Vivi, që po të përkthehej në italisht bëhet “Jeto.” Kur shoh videot e vjetra dhe Parashqevinë duke kënduar më vjen në mendje një këngë, që nuk është e saj: ” Ky fustani yt cipë gjarpëri/ e bukur, e mira moj Parashqevi… ” Unë mezi e pres ngritjen e saj, si thotë patrioti i madh Petro Nini Luarasi “Edhe 99 herë po të rrëzohemi, përsëri duhet të ngrihemi!” Ngrihu Jeto, se na mungon! Ngrihu tu këndosh të rënëve dhe ne të gjallëve. Të përqafoj nga Vlora me një dallgë deti dhe një palë flamuri.
Fotot: Më 28 nëntor 1997 te restoranti i Shaqir Gashi Belushit
Po aty duke recituar poezitë dhe Parashqevia po flet me Binak Elezin
Me Merita Mujën në Manhattan pranë lokalit ku këndonte Parashqevia