Sa e varur është Shqipëria nga importi?

3 Minuta Lexim

Të dhënat e tregtisë së jashtme tregojnë se importet shqiptare të produkteve ushqimore gjatë 11-të muajve të vitit 2024 arritën në 96 miliardë lekë. Grupet kryesore të importuara përfshijnë “Përgatitjet prej drithërave“ me një vlerë prej 12 miliardë lekësh, duke përfaqësuar 12.9% të importeve totale për kapitullin e ushqimeve dhe produkteve bujqësore. Në vendin e dytë renditen “Produktet e peshkut dhe kafshëve guacore” me një total prej 9.42 miliardë lekësh. Ndërkohë, importet e drithërave kapën vlerën e 9.2 miliardë lekësh, duke përbërë 9.8% të totalit. Me një vlerë prej 7.52 miliardë lekësh, grupi “mishi dhe të brendshme” përfaqëson 8.1% të importeve totale si dhe frutat dhe arrat u importuan  me një vlerë prej 6.67 mld lekë.

Po ashtu Shqipëria mbështetet tek importet edhe për produkte të përpunuara të frutave dhe zarzavateve, vlera e të cilave arriti në 7.37 miliardë lekë që zënë 7.9% të totalit. Diferenca mes importeve dhe eksporteve për ushqimet ishte -45.54 miliardë lekë, duke pasqyruar varësinë e Shqipërisë nga importet, veçanërisht për “Kafshët e gjalla dhe “Drithërat dhe produktet e përpunuara të frutave/zarzavateve”.

Nga ana tjetër, renditja ndryshon kur flasim për eksportet. Gjatë periudhës janar-nëntor 2024, totali i eksporteve ishte rreth 43.7 miliardë lekë. Produktet kryesore të eksportuara ishin kafshët e gjalla, drithërat, farat vajore, bimët industrial etj. Grupi i parë më i rëndësishëm ishte ai i  kafshëve të gjalla me një vlerë totale prej 11.51 miliardë lekësh ose 24.1% të eksporteve totale për kapitullin e ushqimeve.

Në vendin e dytë renditen drithërat me një total prej 6.15 miliardë lekësh. Pas tyre, renditen farat vajore, bimë industrial etj, me vlerë prej 5.09 miliardë lekësh dhe një peshë prej 10.66%.  Një tjetër kategori e rëndësishme ishin zarzavatet dhe rrënjët, me eksporte prej 4.6 miliardë lekësh, që përbëjnë 9.7% të totalit.

Pra, shifrat tregojnë se Shqipëria mbështetet në masë të madhe tek importet për produkte ushqimore bazë dhe ato bujqësore. Për të reduktuar varësinë nga importet, është e rëndësishme të nxitet prodhimi vendas, veçanërisht në kategoritë ku potenciali bujqësor është i lartë.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull