Si nuk u ngopen duke shqyer ate familje?!

8 Minuta Lexim

Nga Zhaneta Barxhaj-

Ndonjëherë, pesha e hipokrizisë e ligësisë që gëlon në këtë vend, të ndal frymën. Ky mëmëligë që e quajmë atdhe, qënka i mbrusur me kaq shumë fytyra të neveritshme, sa ngado të kthehesh të mbinë para syve si egjra, dhe do s’do e lë mënjanë injorimin që ke vendosur t’u bësh, dhe, të shkëputen prej shpirtit gurgullima mallkimesh e sharjes, edhe pse e di që po blasfemon ndaj zotit, i cili na udhëzon të mos e bëjmë pis dashurinë dhe dritën tonë.

Këtë ndjesi përjetova para dy ditësh, dhe ende më kërcet inati si breshër kokërrmadh që më shpon rrashtën. E për tu liruar disi nga kjo bukosje, u ula të hedh dy rreshta.

Një moderatore e televizionit qenef ( mbesa e një sigurimsi, që ka qenë tmerri i qytetit nga vjen), në emër të demokracisë, kujtesës e politikës, mbledh një panel, për të folur mbi dosjet e diktaturës.
Fton paturpësisht dy individ delirant, njëri me të atin me pozitë në aparatin e sigurimit, tjetri sportist, të cilët as janë burgosur, as internuar, as janë hequr nga shkolla e plot tortura që kanë kaluar të tjerët, dhe bëjnë viktimën vetëm se kanë zbuluar që paskërkëshin pasur dosje përgjimi.
Dhe harrojnë që një në tre njerëz në këtë vend kishin dosje dhe përgjoheshin, asgjë për tu çuditur.

Këta dy delirant që nuk lënë studio e vend pa u viktimizuar pa qenë viktima, janë fyerje për të gjithë ata që e hoqën mbi supet e tyre, të gjithë familjes e fisit, diktaturën më të ndyrë që s’po di të shkulet. Dhe kur i dëgjon intervistat e tyre kaq fisnike, që as qurraviten as viktimizohen, dhe sheh pastaj palaçot e këtillë, nuk mund ta shmangësh të vjellën.

Nuk dua të zgjatem se ç’duhet të bëhet e ç’është bërë me dosjet, as me pagesat e burgut që s’mbeti ordiner pa i marr në vend të atyre që u takonte, as me indiferencën dhe faljen që bënë pa hapur asnjë padi penale, por dua të merrem me një rrëfim poshtërsi, që u bë drejtpërsëdrejti në studio, dhe as moderatoria, as të ftuarët nuk e gjetën një fjalë t’i ktheheshin njëherë vënçe.

I ashtuquajturi viktimë e diktaturës, rrëfeu se kishte lexuar dosjen që e survejonin dhe emrat e spiunëve që paskërkëshin qenë miq të tij. Gjer këtu asgjë për tu çuditur. Poshtërsia qendron kur ky tipi shprehet se do thotë vetëm një emër, dhe të tjerët s’do t’i përmend.
Pse vetëm njerin, gjen kurajo ta pyes moderatoria, dhe kokë mishi thotë: Këta të tjerët kanë familje, fëmijë, e s’dua të vuajnë, ndërsa ky s’ka lënë asgjë pas, dhe pa pikë turpi, shqipton me buzët e tij të lyrshme emrin Jamarbër Marko.

Po si ka mundësi që nuk u ngopën së shqyeri atë familje, që është një tragjedi më vete. Kur e pati mik ky Madun, kur ai dergjej burgjeve, kur torturohej me elektroshok, kur i bëheshin lloj- lloj injeksioni, kur u izolua nga gjithë bota, kur mo njeri u mor me ty personalitetin e shquar. Po të ishe aq i mirë sa të vinte keq për familjarët e atyre të tjerëve që të kishin dëmtuar, duhet të të dhimbsej edhe Maduja. Edhe nëse do ishte e vërtetë, nuk do ta përmendje kurrë, sepse kushdo që ka jetuar në ato vite i njeh mirë torturat e tij. Fëmijët e familjes Marko, u trajtuan në mënyrën më çnjerëzore dhe ky është fakt. Dhe ngrihesh ti një copë mishi me dy sy dhe hedh baltë mbi një të vdekur, që as nuk mund të mbrohet më.

Hipokrizi, pisllëk, maskarallëk, nuk gjej fjalë ta përshkruaj. Nuk përmend të tjerët që janë gjallë e aktiv e ndoshta edhe me poste se ka frikë si derri, se është i zhytur në delirin për të marr atribute që nuk i ka, dhe hedh kartën e humanistit. Dhe ndaj të vetmin që është viktimë tragjike, nuk ndjen dhembshuri po ia nxjerr emrin gjithë burrëri prej vemjeje.
Jo more butak jo, o të gjithë o asnjë, kjo është zgjedhja, të tjerat janë qelbësirllëk i mirëmenduar.

Kësaj copës së mishit dua t’i them që Maduja e ka një motër pas, po ka edhe emrin e tij, veprën e tij, historinë e tij, që nuk ka për tu harruar si ty e shokët e tu maskarenj. Ndaj para se të bësh si humanist i madh rrëmo pisllëkun brenda vetes e mos na dil studio më studio si batakçi, pavarësisht se më batakçinj janë ata që ju ftojnë. Dhe do vazhdoja gjatë t’iu çirrja maskat, se nuk më del inati, por po e lë me kaq…

Fëmijët e familjes Marko janë një rast tragjik, ku fëmijët e pësojnë për shkak të prindërve më së shumti. Të gjithë e dinë.
Siç e ka thënë bukur Agron Tufa:
“Jamarbër Marko është mbase viktima më e dhimbshme e represionit komunist, i cili nuk deshi kurrë ta shihnin si viktimë dhe nuk e luajti kurrë të viktimizuarin.”
Dhe prandaj ai rrëfim njollosës nuk e prek gjëkundi as figurën, as vargun e Madusë fatkeq.

Ndaj edhe këta gazetarë, bëjnë mirë të informohen për figura të tilla dhe të mos vazhdojnë persekutimin që nisën paraardhësit e tyre. Ose të paktën mos na u hiqni si viktima dhe demokratë. Dilni ballas e mbroni haletë tuaja me parrullën “se zbatuan ligjin.” Në një vend kaq të vogël s’ngelet gjë pa u marr vesh. Kështuqë delirantët frikacakë dhe pinjollët e sigurimit, të na bëjnë një nder e mos t’ua shohim më surratin nëpër tv-ra.

Sigurisht kjo do ndodhte, kur nuk u hap asnjë padi dhe nuk pati asnjë hakmarrje, po u strukën në epruvetën ( bashkëvuajtës e bashkëfajtorë) dhe kemi këtë përçudnim sot. Se nga drejtësia në vetvete nuk prisnim të vetëpastrohej, se janë po ata. Ndaj do jetojë gjatë kjo drejtësi e munguar duke zgjatur kalvarin në këtë mëmëligë.

P.s. Një poezi nga Jamarbër, për t’i kujtuar atij kokëmishit që ka lënë shumë pas…

Shiko më pak
U ktheva per nje lot
Jamarber Marko

Unë u ktheva
Për të parë një lot që mund të bjerë kudo
Nuk u ktheva
Për të hyrë te një buzëqeshje
Nuk u ktheva
Për të provuar se kam ditur gjithçka
As për të hequr një kokrrizë pluhuri
Që rendon pezull mbi hapësirën e moskuptimit
Unë nuk u ktheva
Për të ndier tingujt dhe frymëmarrjen e emocionit
Nuk do të kthehesha
Për të marr çka më takonte
Nuk u ktheva te ditët që lashë
Se dija që ishte e pamundur
Nuk do të kthehesha
Për të provuar po atë gjë
Që kanë jetuar të tjerët.

 

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull