Spanja i “shpall luftë” të huajve

2 Minuta Lexim

Spanja planifikon të vendosë një taksë deri në 100% të vlerës mbi pronat e blera nga jorezidentë nga vende jashtë BE-së, si Mbretëria e Bashkuar.

Kryeministri Pedro Sánchez njoftoi këtë masë duke thënë se ishte e nevojshme për të zgjidhur emergjencën e strehimit në vend. “Perëndimi përballet me një sfidë vendimtare: të mos bëhet një shoqëri e ndarë në dy klasa, pronarë të pasur dhe qiramarrës të varfër”, tha ai.

Sipas Sanchez-it, në vitin 2023, jorezidentët nga vende jashtë BE-së blenë 27000 prona në Spanjë, jo për të jetuar në to, por për të përfituar prej tyre. “Dhe ne nuk mund ta lejojmë këtë”, u shpreh kryeministri.

Ai nuk dha detaje se si do të funksionojë kjo taksë ose një afat për paraqitjen e saj në parlament për miratim, ku shpesh ka pasur vështirësi për të siguruar votat e nevojshme për miratimin e ligjeve.

Megjithatë, qeveria e tij tha se propozimi do të finalizohet “pas një studimi të kujdesshëm”. Kjo është vetëm një nga masat e planifikuara nga kryeministri të hënën për të përmirësuar situatën e strehimit në vend.

Masa të tjera përfshijnë një përjashtim tatimor për pronarët që ofrojnë strehim të përballueshëm, transferimin e më shumë se 3000 shtëpive në një ndërmarrje të re publike për strehimin, si dhe taksa më të larta për apartamentet turistike. “Nuk është e drejtë që ata që kanë tre, katër ose pesë apartamente me qira afatshkurtër të paguajnë më pak taksa se hotelet”, tha ai.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull