Trampizmi përmes Karl Shmitit, Vladimir Leninit dhe Antonio Gramshit

7 Minuta Lexim

Nga Sebastian Zonja

Pjesa e parë 

Trampizmi është fenomen interesant në politikën amerikane dhe ndërkombëtare. Le ta shohim këtë qasje përmes përmes konceptit të politikes së filozofit gjerman Karl Shmit. Në lëminë e filozofisë politike, Shmiti ka ndikim të madh, pavarësisht diskutimeve mbi figurën e tij. Koncepti mik-armik, sovraniteti dhe kritika ndaj liberalizmit, mund të na shërbejë për t’i kuptuar më thellë dinamikat dhe ndikimet e populizmit trampist. Ideja fillestare më lindi për të analizuar presidentin turk Rexhep Taip Erdogan përmes teologjisë politike të Shmitit, por duke qenë se nuk lexoj dot në turqisht dhe nuk kam të dhëna të gjera për politikën turke, zgjodha presidentin amerikan Donald Tramp.

Ndër konceptet themelore politike sipas Shmitit është dallimi mik-armik. Sipas tij, thelbi i politikës ka lidhje me identifikimin e një kërcënimi ekzistencial, që çon në ndarjen midis “miqve” dhe “armiqve.” Ky dallim nuk është thjesht retorik, por përfshin vendime për jetë a vdekje (lufta, për shembull) dhe përcakton kohezionin dhe identitetin e komuniteteve politike. Politika, sipas Shmitit, nuk ka të bëjë me konsensusin apo negociatat, por me konfliktin, vendimmarrjen dhe ushtrimin e pushtetit.

Një tjetër element qendror në teorinë e tij është koncepti i sovranitetit. Ai shprehet se “Sovrani është ai që vendos për gjendjen e jashtëzakonshme,” duke theksuar se sovraniteti përcaktohet nga aftësia për të kapërcyer rendin e zakonshëm ligjor në kohë krize. Kjo ide nënvizon rëndësinë vendimtare të lidershipit dhe pezullimin e normave për të mbrojtur komunitetin politik. Pra, pushtetin e ka ai që shpall gjendjen e jashtëzakonshme.

Sa i përket idesë liberale, Shmiti argumenton se fokusi i liberalizmit tek procedurat, negociatat dhe të drejtat individuale dobëson unitetin dhe vendosmërinë e nevojshme për veprim politik. Për Shmitin, demokracitë liberale janë në thelb të dobëta, pasi kanë prioritet formalitetet ligjore kundrejt vendimeve ekzistenciale. Këtu vijmë te fenomeni Tramp. Trampizmi, si fenomen politik, mund të kuptohet edhe si revoltë populiste kundër dështimeve të perceptuara të demokracisë liberale. Trampi vë theksin te nacionalizmi, anti-elitizmi dhe refuzimi i globalizmit. Retorika dhe politikat e Donald Trampit pasqyrojnë anashkalim të normave tradicionale politike, duke mishëruar një stil konfrontues që rezonon me vizionin e Shmitit për politikën, paksa Cezarian, nëse do e thoshim ndryshe.

Trampi e përdori me mjeshtëri dinamikën e konceptit “mik-armik”, pozicionoi veten si mbrojtës i “amerikanëve të zakonshëm” kundër armiqve të ndryshëm si, elitat politike, emigrantët, kombet e huaja dhe mediet. Kjo retorikë krijoi ndarje të qartë dhe të thellë mes mbështetësve të tij dhe kundërshtarëve, duke përforcuar ndjenjën e identitetit dhe solidaritetit në bazë. Siç e thamë më sipër, dallim mik-armik është manovër tipike shmitiane, pasi mobilizon veprime politike përmes identifikimit të kërcënimeve ekzistenciale. Gjatë presidencës së parë Tramp vumë re se sa shpesh e përmendte ai konceptin e sovranitetit, si në kontekstin e brendshëm ashtu edhe atë ndërkombëtar. Insistimi i tij për një pushtet më të fortë ekzekutiv, shpesh duke anashkaluar balancat tradicionale, pasqyron idenë e Shmitit për vendimet sovrane të liderit. Për shembull, urdhri ekzekutiv i Trampit për të ndaluar udhëtimet nga vendet kryesisht myslimane, ilustron gatishmërinë me ushtru pushtetin me dorë të fortë në momente që ai i paraqiti si kriza. Ndërkohë, në arenën ndërkombëtare, slogani “Amerika e para” thekson sovranitetin kombëtar mbi marrëveshjet dhe institucionet multilaterale. Tërheqja nga Marrëveshja e Klimës së Parisit, rinegocimi i marrëveshjeve tregtare dhe skepticizmi ndaj NATO-s pasqyrojnë refuzim të institucioneve globale në favor të veprimeve unilaterale. Në këtë pikë, përparësia e interesave kombëtare mbi bashkëpunimin global rezonon me kritikën e Shmitit ndaj universalizmit liberal dhe theksin që ai vë mbi primacinë e komunitetit politik. Retorika e Trampit përfshin masa të jashtëzakonshme edhe sa i përket emigracionit, mosmarrëveshjeve tregtare apo për çështjet kulturore (agjenda Woke), të cilat i përshkruan si kërcënime ekzistenciale që kërkojnë zgjidhje vendimtare. Kjo përputhet me pikëpamjen e Shmitit se sovrani vendos për përjashtimet, duke kapërcyer kufizimet ligjore aktuale për të ruajtur rendin politik. Përbuzja e Trampit ndaj gjuhës korrekte politikisht, sulmet ndaj medias duke e cilësuar “armiku i popullit” dhe sfidat ndaj gjyqësorit pasqyrojnë refuzimin e tij ndaj proceduralizmit liberal. Po ashtu, ky qëndrim anti-liberal përputhet me kritikën e Shmitit ndaj liberalizmit, që e thamë më sipër, si tepër të përqendruar te negociatat dhe kompromisi. Ndërsa liberalizmi thekson universalitetin e të drejtave të njeriut dhe sundimin e ligjit, politikat e Trampit ngjan se kanë prioritet ndaj interesave të grupeve të caktuara, veçanërisht bazës së tij politike. Politikat e tij të emigracionit, për shembull, përshkruhen si mbrojtje për “amerikanët e vërtetë” nga kërcënimet e jashtme, duke forcuar vizionin shmitian të politikës që bazohet mbi përjashtimin dhe identitetin. Udhëheqësit populistë, të gjithë bashkë, e përdorin konceptin mik-armik për të mobilizuar mbështetje masive, duke ndërtuar një narrativë antagoniste mes “popullit” dhe “elitës.” Në rastin e Trampit, kjo narrativë përfshiu edhe grupe të tjera, si emigrantët, vendet e huaja dhe mediet tradicionale. Studiuesit shkruajnë se efektiviteti i kësaj strategjie politike qëndron tek aftësia me kriju një ndjenjë urgjence dhe uniteti midis mbështetësve. Duke paraqitur kundërshtarët politikë dhe kritikët si kërcënime ekzistenciale për kombin, Tramp forcoi ndjenjën e solidaritetit dhe qëllimit tek baza e tij. Kjo dinamikë ilustron pikëpamjen e Shmitit se komunitetet politike përcaktohen nga aftësia e tyre për të identifikuar dhe përballur armiqtë.

Nëse nuk përdoren me kujdes këto koncepte politike, rrezikojnë të thellojë ndarjet shoqërore dhe minojë normat demokratike, ndërsa mentaliteti  “ne kundër atyre” përkeqëson bashkëjetesën në një republikë, pengon dialogun dhe kompromisin konstruktiv.

* Në pjesën e dytë do trajtojmë përdorimin e ideve të taktikave revolucionare të Vladimir Leninit nga Donald Trampi dhe, në pjesën e tretë, përdorimin e ideve të Antonio Gramshit për hegjemoninë kulturore.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull