Tucker Carlson dhe Oliver Stone (mbështetës të Trump), në sulm propagande kundër Kosovës: Ishte e tmerrshme që bombarduam Beogradin

3 Minuta Lexim

Dy mbështetës të njohur të presidentit të zgjedhur amerikan Donald Trump, gazetari konservator Tucker Carlson dhe regjisori Oliver Stone, janë bashkuar në një sulm propagande kundër Kosovës.

Gjatë një bashkëbisedimi në emisionin “The Tucker Carlson Show”, ata cekën çështjen e ndërhyrjes së SHBA-së dhe NATO-s në Kosovë në vitin 1999 si shkelje të rëndë të të drejtës ndërkombëtare dhe destabilizim të Jugosllavisë.

Stone pohoi se për bombardimin  e Serbisë nga SHBA-ja u gjetën justifikime që nuk qëndrojnë duke shtuar se motoja “përça e sundo” është pjesë e politikës amerikane.

Gjatë pjesës së intervistës ku u fol për Kosovën, Carlson e Stone u shfaqën tejet të shqetësuar për bombardimin që i ndodhi Beogradit dhe ndërhyrjes së NATO-s në  vitin 1999, ndërsa Stone e quajti Kosovën “shtet gangster”.

Transkripti i intervistës

Carlson: Cili ishte qëllimi i ndërhyrjes në Serbi dhe ato që ndodhën më pas?

Stone: Ne e proklamuam atë sikur po kapnim kasapët atje, njerëzit që ishin diktatorët në Serbi. Ky ishte justifikimi ynë. Në fakt, ishte më shumë një destabilizim me shumë peshë..ne bombarduam një qytet në Evropë, Beogradin, për 99 ditë. Mendo pak rreth kësaj.

Carlson: Po…

Stone: Synimi ishte të ballkanizohej Jugosllavia, gjë të cilën e bëmë. E njëjta mënyrë që do përdorim  për të ballkanizuar Sirinë tani.

Carlson: Po

Stone: Kjo është politika amerikane. Përça e sundo, përça e sundo. Kosova ishte shkelje e nivelit më të lartë e gjithçkaje për të cilën jemi duke folur. Po flasim për rendin e bazuar në rregulla. Kishte një referendum, që kishte jo pak hije dhe më pas ne thamë ata janë të lirë, nuk janë më pjesë e Serbisë. Kosova është shtet gangster. Unë kam qenë atje…nuk po di, nuk ta tregoj dot…ajo që ndodhi ishte e pamëshirshme.

Carlson: Ajo që është interesante është se ndërsa kjo gjë po ndodhte  dhe NATO-ja po bombardonte Serbinë dhe Wesley Clark po bëhej i famshëm dhe të gjitha këto, nuk mbaj mend të kem dëgjuar një debat të vetëm në SHBA mbi faktin se pse po e bënim këtë gjë.

Kuznick: Në Rusi, do e kishit dëgjuar këtë gjë në mënyrë shumë të ndryshme. Rreth 96% e rusëve mendonin se ajo që po ndodhte në Serbi ishte krim lufte. Rusët kishin një pikëpamje krejt të kundërt. Dhe se SHBA-ja po i vendoste vetë rregullat e vendosura në rendin ndërkombëtar, gjë që nënkuptonte se në vend që të ndërhynte përmes Kombeve të Bashkuara, gjë të cilën nuk mund ta bënte, e bëri sipas mënyrës së saj.

Carlson: Ushtarakisht…

Kuznick: Po.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull