Nga Çapajev Gjokutaj
A duhet të mendojmë për vdekjen dhe, më shumë akoma, a duhet të flasim për të? Dyshoj se një pjesë e mirë e miqve dhe mikeshave do e ndërpresin leximin e këtij postimi porsa të ndeshin pyetjet e mësipërme. Dhe nuk i bëj me faj: edhe kultura jonë, si shumë të tjera, priret të shmangë ligjërimet mortore. Është kjo një shmangie kaq e fortë saqëqë hera herës fqinjëron me tabunë.
Në rrafsh logjik argumentat për këtë qendrim përjashtues nuk kanë të sharë: të flasësh për vdekjen e nesërme do të thotë të shtosh frikërat dhe pesimizmin në të sotmen, do të thotë në analizë të fundit që një sasi kohe nga jeta t’ia kalosh vdekjes. Veprim pa mend se, mbretëria e vdekjes, e pafundme siç është, nuk ka nevojë për thërrime. Çështja me të cilën përballet njeriu është si ta zgjasë jetën dhe jo si të marrë pjesë të saj e t’ia japë paradhënie vdekjes.
Po ka edhe një qasje të kundërt dhe jo fort të re, vjen më së paku qysh nga antikiteti. Memento mori, thoshin latinët që në shqip do përkthehej: kujto që do vdesësh ose mos harro se je i vdekshëm. Madje tregohet edhe një zakon i bukur e domethënës. Kur gjeneralët ktheheshin në romë fitimtarë, mbuluar me lavdi e ngarkuar me plaçkë e gjë dhe parakalonin nën Harkun e Triumfit, mbanin prapa vetes një skllav , i cili ndërkohë që turma brohoriste e ngrinte në qiell fitimtarin, përsëriste pa reshtur ‘memento mori’. Edhe në kulmin e ngadhënjmit, kur të gjithë të pranojnë se je i fortë e i pamposhtur, mos harro se vdekja të pret, thoshte nëpërmjet këtij zakoni romaku i lashtë.
Parë kështu të kujtuarit e vdekjes së nesërme i shërben jetës së sotme, e bën njeriun më të vemendshëm ndaj vlerave dhe cilësis së jetës. Në fakt këtë të vërtetë universale e kanë shfrytëzuar shumë fe që bëjnë të vetën divizën: përpiqu për amëshimin jo për kënaqësitë e kotësitë e jetës tokësore, të shkurtër e iluzore.
E kanë shfrytëzuar dhe e shfrytëzojnë edhe shumë dijetarë, moralistë, psikologë etj. që mbeten të mendimit se vdekja, më shumë sesa fund i jetës është shërbëtor i saj sepse, e përdorur me mënd e me masë na ndihmon të bëhemi më të fokusuar në prioritet që i caktojmë vetes, më të përkushtuar ndaj vlerave njerëzore dhe më këmbëngulës për të patur marrëdhenie të ngrohta me njerëzit që duam dhe çmojmë.
Argumentat mbështetëse për të gjitha këto qasje vijnë kryesisht nga rrafshi i mendimit, nga punishtet e arsyetimit. Por shkenca e sotme ka arritur të zbulojë se në këtë mes veprojnë edhe faktorë thjesht biologjikë. Kërkime empirike dëshmojnë se truri i njerëzve që përjetojnë eksperienca afër vdekjes, pëson ndryshime të qenësishme në strukturë dhe në funksion. Ashtu si muskujt që rriten e forcohen nga ushtrimet, truri që përjeton traumën pasurohet me rrjete për procesimin e emocioneve, rrjedhimisht edhe për respekt, dashuri e empati, për ndërtim marrëdheniesh,
Thanatologët thonë se të folurit hapur e pa paragjykime për vdekjen ndihmon veç të tjerash edhe jetesën me dinjitet të fazës së fundit të jetës, kur vdekja është afruar dhe dhimbja e ankthi sulmojnë jo vetëm atë që po ikën por edhe të dashurit që i gjenden pranë. Në kulturën tonë, shumicën e herëve vihet re një prirje e çuditshme e disi hipokrite. Në çaste të tills nuk para e zemë në gojë vdekjen, paçka se shumicën e kohës që kalojnë bashkë të dyja palët mendojnë veç për të. Bisedat e çiltëra për vdekjen në çaste të tilla, thonë thanatologët, i afrojnë dhe i lehtësojnë shumë të dyja palët, i ndihmojnë të përjetojnë një ndarje plot dhembshuri e dinjitet.
Këto dhe të tjera gjëra interesante dhe me vlerë i hasa në një përmbledhje të librit ‘You only die once’. Autorja Jodi Wellman është psikologe e specializuar në trainime për të patur një jetë me kuptim dhe vlera, ndaj në librin e saj gjen edhe mjaft këshilla si t’ia arrish praktikisht ta bësh vdekjen pjesë të jetës dhe shërbëtore të saj.
Duke shkruar këto rrjeshta jo një herë m’u përhi Lilua duke m’u shprazur: ç’janë këto tersllëqe që ndjell, shejtani flë, ti vete dhe e zgjon