Nga Mero Baze-
Fillimi i vitit 2025 ka potencialin të shkëpusë Shqipërinë nga tranzicioni i saj i gjatë politik, i cili, në një farë mënyre, lidhet me moslargimin e Sali Berishës nga skena politike dhe mbajtjen peng të Partisë Demokratike prej tij.
Zgjedhjet e majit 2025 nuk janë të rëndësishme vetëm për rezultatin e tyre, por për mundësinë që ato të mbyllin këtë periudhë të tejzgjatur tranzicioni politik dhe të çlirojnë opozitën nga kontrolli i Berishës.
E vetmja shenjë e pluralizmit në këto zgjedhje është opozita. Sot kemi së paku katër parti opozitare, të cilat janë të bashkuara nga fakti se nuk janë nën diktatin e Berishës. Po ashtu, një tjetër organizim opozitar, një bashkim i LZHK-së së Dashamir Shehit dhe Enkelejd Alibeajt, qëndron qartazi kundër Berishës.
Lulzim Basha, me ata që kanë mbetur pas tij, edhe pse ende nuk kanë vendosur si do të hyjnë në zgjedhje, dihet që nuk do të bëhen pjesë e skemave të Berishës.
Nga ana tjetër, Partia Demokratike është praktikisht pa aleatë ose me disa emra që nuk kanë më parti funksionale, por shërbejnë thjesht si logo për të krijuar idenë e koalicioneve.
Ky pluralizëm opozitar ka bërë hapin e parë duke ndarë berishizmin nga antibërishizmi brenda opozitës. Por, për momentin, berishizmi po mban peng vetëm Partinë Demokratike.
Në zgjedhjet e 11 majit, çdo analizë e thjeshtë nxjerr fituese Partinë Socialiste, ndërsa partitë e pavarura opozitare do ta thellojnë edhe më tej humbjen e Partisë Demokratike. Në këto rrethana, është e pritshme që 81-vjeçari Sali Berisha të mos e pranojë rezultatin e zgjedhjeve dhe të vazhdojë të mbajë peng PD-në deri në moshën 85-vjeçare.
Proceset gjyqësore ndaj tij, veçanërisht ai më i rëndësishmi për 21 janarin, po afrohen, dhe ai do të përballet seriozisht me drejtësinë. Pasojat e këtyre zhvillimeve mund të sjellin ricopëzimin e grupit parlamentar të PD-së, duke përsëritur skenat e lodhshme të konflikteve të vjetra brenda kësaj partie.
E kombinuar kjo me problemet ligjore të Sali Berishës dhe familjes së tij, si dhe me statusin e tij si “non grata” në nivel familjar, ekzistojnë të gjitha gjasat që viti 2025 të jetë viti i fundit i dominimit të PD-së nga Berisha. Kjo do t’i hapte rrugë rikthimit të opozitës shqiptare në normalitet dhe krijimit të një lidershipi të ri, që është e vetmja mënyrë për të sfiduar seriozisht pushtetin absolut të socialistëve në Shqipëri.
Me largimin e tij, nga skena politike do të ikë edhe pengmarrësi më i madh i demokracisë shqiptare, i cili e ka lidhur fatin e saj me të vetin që nga Dhjetori i vitit 1990 dhe duket se nuk ka dëshirë të largohet pa e shkatërruar atë