Vot tok tavarishi

5 Minuta Lexim
Nga Ramiz Gjini-
Dje, nisur nga mbresat që po më linte rileximi i romanit “Doni i qetë”, hodha një status në fb. Thjeshtë, dhash një mendim krejt vetjak për miqtë e mij, pa më shkuar mendja që, pazarit tonë të madh, i bie rrotull njëqind herë në ditë një tirons ngrehaluc, i cili, përpiqet të përqeshë shkrimtarët, qofshin ata, edhe nobelistë si Shollohovi. Përse e bën ai këtë, do thoni ju. Ndoshta i thotë mendja që, po ta ulë si i fortë Shollohovin në gjunjë para miletit të face book-ut dhe ta bëjë shkrimtar të vogël, do të duket vetë i madh, sepse, edhe vetë ai, çoç ka krrellë ndonjë gjë në kartë!
I madh, thashë?! Jo, jo, sepse në fakt, për të mdhenj, ai mban nja dy shokë të tij të afërt, njërin në prozë, tjetrin në poezi. Na çau veshët duke nxjerrë kokën ç’do ditë në face book, për t’u betuar e stërbetuar që i don shumë, sepse janë, sipas tij, më të mëdhenjtë e të mëdhenjve. Ne ia lëmë me shumë qejfë që t’i mbajë për vete si më të mëdhenjtë. Por, për t’i pas edhe ne si idhuj, të na falë, sepse shije-shije kjo dynja! Dhe, ngase dynjaja është kësisoj, na ka qëlluar të mos i kemi shijet njësoj. Por ka një problem, sepse, edhe ata dy shokët, na mbajnë këtë si shkrimtarin më të madh?! Dhe, teksa i kruajnë gjithë lezet kurrizin njëri-tjetrit, ec ta marrësh vesh, cili është më i madhi mes këtyre të treve!
E shpërndan statusin tim dhe, që ta dëgjojnë e të qeshin shokët e lagjes së tij, teksa citon një frazë të Shollohovit, (kuptohet, të zhveshur nga konteksti), lëshon edhe një pordhë pordhaxhiu profesionist.
Nga ajo frazë shkel e shko, shkruar nxitimthi pa rregulla gjuhësore, (ndoshta, gjatë nxitimit për në nevojtore), mësojmë që këtij asoshit, nuk na i pëlqeka Shollohovi. Dhe, pikërisht pse nuk i pëlqen atij, habitet përse na pëlqen ne! Shumë interesante ta mendosh, ku i shkrep nganjëherë të shfaqet kësaj habisë! Nuk i pëlqeka, sepse nobelisti Shollohov, në romanin “Doni i qetë”, një personazh që thirret Mitka, në vend që t’ia fshinte gjakun vajzës së çifligarit me facoleta të markës “Bounti”, ia fshiu me një gjethe të gjelbër peme! Ky, sipas tij, asht’ mungesë talenti nga ana e shkrimtarit nobelist, – dam i madh! Po ai Mitka i Shollohovit, muzhik ishte, bre vot tok tavarishi! Banonte në një izbë me dërrasa, punonte tokën me qè dhe gjuante peshk në lumin Don; nuk kishte ku ta gjente asokohe facoletën e markës “bounty”! Ç’të keqe ka, pse rrethanat e detyrojnë Mitkën t’i marrë mëmës natyrë një gjethe të gjelbër peme për të fshirë, po të dojë, jo vetëm gjakun e asaj vajzës, por, edhe prapanicën e vetë?!
U futa njëherë te faqja e tij dhe pashë që, për t’u dukur fort I mençur, vetëm dje, kishte krrellë skuthi nja dymbëdhjetë statuse të natyrës gërricëse prej mistreci lagjeje, me njerëz anë e mbanë globit! Mes tyre, edhe atë statusin kundër meje!
Jalla, kundër meje përse?! Po ja, ndoshta ka menduar kështu: na u ba edhe ky kat’nari prej Dibre me shkrujt tregime e me na tregu Shollohovin! Na jena lè e rrit m’Tironë, o lale! Kemi ato tonat, që i kemi krrellë vetë në kartë e që na bojn me mos e rrujt menderen, as për Shollohovin, as për ndonjë tjetër!
Gjithësesi, i kishte marrë katër pëlqime te statusi kundër meje! Dhe më besoni: atij, nuk i duhen më shumë pëlqime për t’u bërë i lumtur. Sepse, katër pëlqime këtu, tre ia japin atje, nja dhjetë pëlqime ia bën vetë vetes, ca të tjerë i merr për tavën e dheut, dhe kësisoj, vot tok tavarishi, mblidhen e bëhen aq sa për t’ju fryrë puplat e për tu dukur shkrimtar tironc me rrënjët m’Tepelenë dhe me oreks t’modh për me u bo i fomshëm. I fomshëm, po aq sa dy të mëdhenjtë e shënjuar prej tij në havà me bojë ngjyrë floriri.
Në mbyllje, shpresoj që lexuesi e ka kuptuar që unë, nuk i kam këto fjalë seriozisht. Sepse, tipa të tillë, për besë, nuk e meritojnë të merresh seriozisht me ta. Thjeshtë, u prralla. Po, po, për atë zot, u PRRALLA.
Vot tok tavarishi!

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull