Pas vrasjes së Kristjan Markut në Vlorë, policia e këtij qarku është duke bashkëpunuar me atë të Lezhës për të zbardhur atentatin.
Gjatë mbrëmjes të së hënës policia ka shkuar në disa banesa në Rrëshen për të kryer kontrolle. Sipas burimeve, disa nga banesat e kontrolluara kanë qenë të fisit Reçi, me të cilët fisi Marku (i njohur ndryshe edhe si Bardhi) janë në hasmëri prej vitesh.
Katër anëtarë të fisit Reçi janë shoqëruar në polici për tu pyetur dhe gjatë deklarimeve ata kanë mohuar të kenë lidhje me vrasjen e të riut në Vlorë.
Mes të shoqëruarve për vrasjen e Kristian Markut janë Martin dhe Saimir Reçi. Në mars 2023 Kristian Marku qëlloi me armë drejt makinës së blinduar të Saimir Reçit.
Hetuesit kanë dyshimet se ekzekutimi i 30 vjeçarit ka ndodhur për shkak hasmërie.
Sakaq sipas grupit hetimor viktimën e kanë kapur 3 plumba nga 11 gëzhoja që janë gjetur në vendngjarje dhe një prej tyre ka rezultuar fatal.
Kristian Marku është person me precedentë penalë. Ai ka qenë arrestuar për tentativë vrasje në vitin 2023. Në atë kohë ai tentoi të vriste nipin e Kastriot Reçit, Sajmir Reçi.
Hasmëria ka vijuar më pas, ku Kristianit i vranë xhaxhain, Martin Bardhi, në një lokal në Rrëshen, në shtator të 2023.