Vrasja e Ramazan Matajt, ngujohet familja Hasaj! Babai i autorëve: Më ka rënë bombë në shtëpi

3 Minuta Lexim

Dy vëllezër Arjon dhe Klisman Hasaj janë arrestuar për vrasjen e Ramazan Matajt, ngjarje që ndodhi në Dragoç të Shkodrës më 4 janar 2025.

Babai i dy autorëve, Rustem Hasaj tregoi për gjendjen e tij të rënduar emocionale dhe ekonomike. Ai shprehet se që në momentin që ka marrë vesh ngjarjen ndodhet i ngujuar.

“Unë jam Rusem Hasaj nga fshati Dragoç. Babai i dy djemve që janë të arrestuar. Sot me këtë fatkeqësi që na kanë ndodhur dy palëve, unë e kam bërë dhe një deklaratë, kam kërkuar ndjesë fshatit, familjes, fisit.

Sot kam nevojë për shtetin, kam nevojë për individin, se më ka lënë me 4 fëmijë, jam në gjendje ekonomike shumë të dobët. Prandaj ju falënderoj juve si gazetarë që keni ardhur.  Nuk kam asnjë lloj dijenie, por e ka çuar Zoti të ndodhë, rreziku im dhe i tij. Kjo më ka rënë bombë në shtëpinë time. Ka ardhur e papritur.

Jam vetë i shtati, kam një grua të sëmurë. Kam nusen e djalit, kam 4 fëmijët e djalit që i kam sot në mbijetesë se nuk jam i zoti as me i fitu bukën, as me i marr ilaçet, as me i çuar në shkollë, se nuk kam asnjë të ardhur, as asistencë, as ndihmë prej shtetit.

Unë jam në ngujim, ka mbas dy ditëve që e kam marrë vesh nëpërmjet mediave, nëpërmjet shtetit. Unë jam i ngujuar. Jam në gjendje të mjeruar nga ana e ekonomisë. Kurrkujt mos i raft kjo punë”, tregoi ai për ‘Klan News’.

Hasaj rrëfeu se me babain e viktimës kanë qenë në një klasë për 8 vite dhe ngjarja e ka shokuar.

“E kam njohur, e kam pasur shoqëri, kam qenë 8 vjet në një klasë me të dhe s’kemi pasur mosmarrëveshje kurrë me të dhe as me fisin e tij. As me një në katun”, tha Rustem Hasaj.

Ngjarja në fjalë ndodhi më 4 Janar. Ramazan Mataj u qëllua me armë në makinën e tij. Për ngjarjen janë arrestuar dy vëllezërit Arjon dhe Klisman Hasaj.

Autorësinë e ka marrë përsipër Arjoni i cili ka rrëfyer se shkak për vrasjen është bërë një lidhje e vazhdueshme që 33-vjeçari kishte me motrën e tij. Kjo gjë sipas tij ishte bërë shkak për prishjen e dy martesave të saj.

“Unë jam personi që e kam vrarë shtetasin Ramazan Mataj. Prej 6 vitesh ai kishte një lidhje me motrën tonë. Ramazani është personi që i ka prishur dy martesa motrës në 6 vitet e fundit.

Ai këtë histori ia ka treguar shumë personave në fshat dhe më gjerë ndërsa është personi që divorcoi dy herë motrën tonë. Madje ka shpërndarë edhe disa video tek ish-burri i dytë dhe tek njerëz të tjerë në fshat në momente intime me motrën”, ka deklaruar Hasaj.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull