Diplomati nga Danimarka, Peter Sorensen, është konfirmuar nga ambasadorët e Bashkimit Evropian për postin e përfaqësuesit të posaçëm të bllokut për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.
Sorensen është zgjedhur nga përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Kaja Kallas, për të zëvendësuar Mirosllav Lajçak në këtë pozitë.
Përfaqësuesit e posaçëm të BE-së emërohen nga kryediplomatja e bllokut, por emërimi i tyre duhet të konfirmohet edhe nga vendet anëtare në Këshill.
Pritet që Sorensen të konfirmohet në postin e emisarit për dialog ditën e hënë, ku do të marrë miratimin e ministrave të Jashtëm të BE-së, në mënyrë që nga fillimi i shkurtit të nisë mandatin e tij.
Të dërguarit aktual, Lajçak, i skadon mandati më 31 janar.
Sorensen nga Danimarka ka përvojë të gjatë diplomatike në strukturat e BE-së. Ai aktualisht është Këshilltar i lartë në Shërbimin e Veprimit të jashtëm të BE-së (EEAS) për diplomaci digjitale.