Një zjarr në një shtëpi të moshuarish në Beograd, i mori jetën tetë personave dhe la të lënduar rëndë disa të tjerë, pasi flakët përfshinë thuajse të gjithë ndërtesën.
Sipas mediave serbe, raportohet se mes viktimave është edhe personi i cili shkaktoi zjarrin. Ai thuhet se vuante nga probleme të shëndetit mendor dhe se i vuri flakën dyshekut të tij, por flakët u përhapën në të gjithë ndërtesën.
Pranë shtëpisë në zonën e Barajevës kanë mbërritur të tronditur familjarët e të moshuarve që qëndronin në shtëpi.
Një qytetar, nëna e të cilit jetonte në atë banesë, tha se nuk kishte informacion nëse nëna e tij ishte gjallë.
“Ajo ishte në katin përdhes në pjesën e shtëpisë që u dogj. Nuk kam asnjë informacion nëse ajo është gjallë apo jo. Hera e fundit që kam qenë këtu ka qenë më 9 janar, kur i kam sjellë mamasë gjëra dhe gjithçka që i nevojitej”, tha ai.
“Vjehrri im ishte brenda, pikërisht në atë pjesë që ishte djegur plotësisht. Pikërisht nën oxhak”, ka thënë një grua.
Gruaja shton se nuk kanë asnjë informacion për gjendjen e tij dhe nëse ai ka shpëtuar, por e dinë se janë gjetur katër trupa mashkullor në gjendje krejtësisht të karbonizuar.
Ndërkohë mësohet se tre pacientë të lënduar nga zjarri ndodhen në Qendrën Klinike të Serbisë (QKS), në gjendje kritike për jetën.
“Pacientët janë në gjendje të rëndë dhe janë duke u zbatuar të gjitha metodat e kujdesit intensiv mjekësor”, shkruajnë mediat serbe.