Nga Kristo Çipa-
Po ju postoj një poezi që lidhet me një ndër masakrat më të mëdha që ka ndodhur në truallin tonë, në Vranisht Te Vlores, më 9 shkurt 1944 nga forcat gjermane.
Në këtë masakër, ndoshta mund të jetë unike, ku një nënë vranishnjote me emrin Aishe, për të ndalur masakrimin e krejt fshatit, kreu një akt të pandodhur ne ndonje vend tjeter ne raport me pushtuesin.
Ashtu siç qau bijat dhe bijtë e pushkatuar të Vranishtit, vajti dhe vajtoi edhe mbi kokën e një gjermani të vrarë. Ne ate vaj laberor me vargjet e veta kendoi:
Bir o bir kërcu!
Ç’deshe që erdhe këtu?
Vajti gjaku gjer në gju
Gjak nga ne e gjak nga ju
O biro të pret jot ëmë!
Gjëmën e rëndë që e ka zënë
Unë të qaj se jam vet nënë
Nënave zemra u dhëmbë!
( Besoj se nuk ka nevojë për koment…!)
FORCA E NËNËS LABIKE!
Nga Kristo Çipa
Një foshnjë sa buzëqeshja,
Pi qumësht në gji të vdekur.
Nëna vrarë nga urrejtja,
Shpirtin në gji e ka mbledhur.
Tej-përtej një qilim gjaku,
Çmenduria e ka endur,
Ngulur mbi gurë të sokakut,
Amanetet të pafjetur.
Erdhi nga një botë nate,
Rënga me krismat në armë,
Koha me fytyrë masakre,
Qëllon jetën në bërthamë.
Luante zemra ndër gurë,
Nëpër kujë grisej reja,
Çmendurinë uli në gjunjë,
Me vajtim nënë Aisheja.
Në honet e asaj gjëme,
Dhimbjen bëri manushaqe.
Luftës i tha:- Kam forcë nëne!
Ulu pak të bëjmë paqe!
Mbi kokë të gjermanit t’vrarë,
Ligjëroi si tek i biri.
-Nëna jote s’të ka parë,
Që dergjej në dhe Vranishti!
Pranoma lotin e syrit!
Në këtë shkurtin e ngrirë.
Shih përtej foshnjën e gjirit!
Pi gji nga nëna pa frymë.
Gjak të kuq damarët rrjedhin,
Që të gjithë jeni bij nëne.
Morët mëndjen e Hitlerit,
Gjaku blu është veç në mëndje!
Jam një nënë shqiptare.
Sot me lot shpirtin e lava.
I thoni nënës gjermane,
Djalin tënd me vaj e qava!
Gjakun le ta pijë dheu
Eshtrat tu’a mbajë balta!
Ngrehu Aishe, ngrehu!
Mba mbi sup malet e larta!
Dhe u ngre komandë e luftës,
Nën apelin e pendimit,
Ulën poshtë tytat e pushkës,
Morën udhën e moskthimit.
Masakra ngeli pa gojë,
Vatrat pa nënë e pa trima,
Gjakun e mori për bojë,
Sa herë firmos vetëtima.
Forcën e Nënës labike,
Me atë botën e lotit,
S’kanë selitë diplomatike,
S’e pati as fron i Zotit!