Bashkëshortja e tij u mbyt në lumin Buna së bashku me tre fëmijët, Prokuroria e Shkodrës kërkon 6 vite burg për Erdgys Arrazin

4 Minuta Lexim

Prokuroria e Shkodrës ka përfunduar hetimet lidhur me vetëvrasjen e shtetases Alma Arrazi e cila u mbyt në ujërat e lumit Buna bashkë më tre fëmijët e saj.

Prokuroria ka kërkuar 6 vite burg për shtetasin Erdgys Arrazi për akuzën e shkaktimit të vetëvvrasjes së bashkëshortes së tij Alma Arrazi, e cila në majin e vitit të kaluar bashkë me tre fëmijët e saj u hodh në lumë.

Organi i akuzës ka kërkuar që dënimi të ulet në 4 vite sepse Arrazi ka pranuar gjykimin e shkurtuar. Sipas prokurorisë Erdgys Arrazi ka kryer sjellje që diskretitojnë dinjitetin e Alma Arrazit duke e detyruar atë të vetëvritet dhe të mbysë edhe tre fëmijët e saj.

Lidhur me të miturit është regjistruar nga Prokuroria akuza për ‘vrasje për shkak të cilësisive të veçanta të viktimave’, ndërsa është përjashtuar mundësia që të ketë patur persona të tjerë të përfshirë. Për këtë arsye kjo akuzë është pushuar nga organi i akuzës pasi sipas hetimeve ka rezultuar se autor për vrasjen e tre fëmijëve është nëna e tyre që vendosi t’i japë fund jetës bashkë me tre të vegjlit e saj.

Për shkak të ndarjes nga jeta të nënës kjo akuzë e dytë është pushuar nga prokuroria e Shkodrës. Pas përfundimit të hetimeve nga prokuroria dhe kërkesës për 6 vite burg për Erdgys Arrazin i ulur në 4 vite për shkak të gjykimit të shkurtuar, pritet që avokatët të paraqesin mbrojtjen e tyre dhe pas palës mbrojtëse gjykata e shkallës së parë në Shkodër pritet që të japë edhe vendimin e saj lidhur me këtë ngjarje të rëndë.

Më 5 maj të vitit të kaluar Alma Arrazi mori me vete tre fëmijët e saj dhe u hodh në ujërat e lumit Buna në Shkodër duke i dhënë fund jetës. Tre ditë pasi ishin mbytur një peshkatar gjeti rastësisht trupin e njërit prej fëmijëve. Më pas u desh ardhja e polumbarëve të forcave RENEA nga Tirana të cilët pas disa ditësh kërkime arritën që të gjejnë në vende të ndryshme trupat e tjerë, të nënës dhe dy fëmijëve të tjerë të mbytur në ujë.

Policia pas kësaj ngjarje të rëndë arrestoi bashkëshortin e viktimës dhe babain e tre fëmijëve. Arrazi më përpara ka mohuar se është ai shkaktari i vetëvrasjes së bashkëshortes dhe për rrjedhojë edhe i tre fëmijëve të mitur duke thënë se dyshimet dhe akuzat se e ka keqtrajtuar dhe dhunuar psikologjikisht apo fizikisht Alma Arrazin ishin të pavërteta por më pas i dyshuari ka pranuar gjykimin e shkurtuar.

Pavarësisht këtyre pretendimeve në përfundim të hetimeve prokuroria e cilëson si fajtor 32-vjeçarin për veprën penale të shkaktimit të vetëvrasjes duke kërkuar 6 vite burg në gjykatën e Shkodrës por duke i ulur dy vite për shkak të gjykimit të shkurtuar.

Tashmë pritet se cili do të jetë vendimi i gjykatës së shkallës së parë në Shkodër pas përfundimit të hetimeve nga prokuroria dhe mbrojtjes që do të paraqesin avokatët.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull