Nga Artan Shabani
Skënder Kamberi është një nga piktorët shqiptarë më të rëndësishë-m të shekullit XX.
Ai ka lindur në qytetin e Vlorës në prag të luftës së dytë botërore (2 shkurt 1939).
Artisti pasi kryeu në Tiranë Liceun Artistik “Jordan Misja” dhe Institutin e Arteve, Tiranë në degën e pikturës, filloi rrugën artistike në qytetin e lindjes.
Kamberi gjatë studimeve në Institutin e Arteve Figurative, ishte një student i veçantë, i talentuar dhe i pasionuar në ateljenë e piktorëve të njohur Danish Jukniu dhe Vilson Kilica.
Pasi realizoi tablotë e para kompozicionale me temë nga lufta nac.–çl. dhe ngjarjet historike, Skënder Kamberi u evidentua në vitet ’70 – ‘80 të shekullit XX si një piktor që po sillte risi në pikturën shqiptare edhe brenda rregullave të rrepta të realizmit socialist, Pasuria ngjyruese e artistit, me impresionin që natyra lë mbi artistin, është një nga vlerat e Kamberit në artin pamor shqiptar të çerekut të fundit të shekullit të XX.
Artisti u evidentua dhe u vlerësua për potencën dhe pasurinë koloristike, zgjidhjet interesante, të veçanta të temave të lashtësisë, të legjendave apo atyre aktuale.
Pas studimeve piktori Skënder Kamberi ka marrë pjesë në të gjitha ekspozitat lokale, në konkurset dhe ekspozitat kombëtare, ku shpesh është vlerësuar me çmime të para.
Piktori vlonjat, Artan Shabani
Gjatë krijimtarisë së tij të gjatë Skënder Kamberi ka realizuar mbi 1 400 punime në gjini të ndryshme (kompozim, portret, pejzazh, natyra të qeta, grafika, vizatime etj). Krijimtaria e tij ndahet në dy periudha.
Periudha e parë i përket viteve 1965-1990, ndërsa periudha e dytë përfshin krijimtarinë e piktorit mbas viteve’90 e në vazhdim.
Në tablotë e tij gjatë periudhës së parë, e cila u zhvillua gjatë periudhës së Realizmit Socialist, piktori Kamberi ka trajtuar temën historike, të Luftës Nac.-çl. dhe atë aktuale të kohës (klasës punëtore, fshatarësisë, të rinisë, ushtrisë) e aspekte të tjera të jetës së asaj periudhe.
Nga veprat e tij të kësaj periudhe mund të kujtojmë kompozimet: “Nëndetëset kthehen në bazë” (1968. GKA, Tiranë), “Betimi i Vrana Kontit” (1968, GKA, Tiranë), “Kapedani Sali Vranishti”(1972), “Natë me hënë në Kallarat”(1970), “Portret gruaje”(1974), “Dimër në Llogara”(1974).”Buka e duarve tona” (1976, GKA,Tiranë),“Vjeshtë në bregdet” (1976 ,GKA,Tiranë), etj.
E veçanta e piktorit Skënder Kamberi, në periudhën e parë të krijimtarisë së tij, ishte larmia e zgjidhjeve kompozicionale në tablotë e tij, këndvështrimet kompozicionle interesante ku mbizotëronte prirja e tij drejt një tabloje monumentale. Në tablotë e kësa periudhe ndjehet kërkimi i një pasurie koloristike nga tabloja në tablo. Në periudhën e pas viteve ’90 e në vazhdim, vëmë re se piktori mbetet përsëri një piktor figurativ i cili synon drejt futjes në tablotë e tij të figurave apo elementeve simbolike.
Në tablotë e realizuara në këtë periudhë ka më shumë ekspresion, ngjyrat janë me karakter me dekorativ, subjektet e zgjedhura janë ato social & politike (dhimbja për vështirësitë që kalon populli në tranzicion, dënimi i dhunës dhe luftës, tema e eksodit dhe emigracionit etj.).
Në punimet e kësaj periudhe ndjehet që piktori është gjithmonë në kërkim të mjeteve dhe formave të reja figurative. Në 1996 (mars) piktori Skënder Kamberi çeli ekspozitën e tij të tretë personale pas viteve ’90 (pasi e ka çelur atë në Vlorë dhe në Leçe – Itali) me 76 punime në vaj e grafikë. Ndër punimet e kësaj ekspozite janë edhe tablotë “Ku po shkon”,“Gjiri i detit”,“Varkat në lundrim”,“Perëndim në det”,“Vajza e valëve”,“Eksodi”,“Dhimbja e nënës” etj.
Gjatë viteve 1968-1973, në Shqipëri kemi një periudhë liberalizimi në jetën artistike dhe politike në përgjithësi, fenomen që u ndje edhe në ekspozitat kombëtare të arteve figurative, të kohës në Tiranë. Skënder Kamberi në këto vite realizoi tablonë ‘Demostrata e bukës, 1942” (1971) ku ndjehet qartë prirja e tij ekspresioniste.
Kjo liri shprehjeje u censurua, u ndalua dhe u dënua me forcë nga udhëheqja komuniste shqiptare – nga Enver Hoxha në Pleniumin e IV të PPSH (qershor 1973).
Pas Plenumit IV-të të KQ të PPSH, situata në tërësi ishte tepër e ngarkuar dhe u nxit dhe u forcua më shumë lufta e klasave. Mbas vitit 1973 arti i pikturës në Shqipëri ndryshoi për të gjithe piktorët. Ishte e rrezikshme të kishe influenca të artit modern perëndimor. Krijimtaria e piktorit Kamberi në këto vite alternohet ndërmjet kompozimeve historike, atyre me temë të ditës dhe peizazheve nga zona të ndryshme të Shqipërisë. Disa prej kompozimeve të tij u pritën me entuziazëm nga kritika e kohës si: “Buka e duarve tona”, (1976, GKA,Tiranë), “Më vjen sikur pashë Skënderbenë”, (1978).
Tabloja “Buka e duarve tona” u vlerësua si një nga veprat kryesore në krijimtarinë e artistit.
Ajo që vihet re në kompozimet e artistit, që mund të ketë rëndësi ishte prirja e tij e fuqishme për t’ju shmangur sa të ishte e mundur pikturës ilustrative. Tipari kryesor që e dalloi piktorin Skënder Kamberi nga disa artistë të tjerë shqiptarë ishte pasioni i tij i madh për artin, këmbëngulja për të mos bërë kompromise, elementë që ndikuan në konsolidimin e një stili piktorik origjinal.
Zhvillimi i stilit piktorik i Skënder Kamberit u arrit nëpërmjet dy rrugëve që zakonisht ndiqnin artistët shqiptarë në kushtet e izolimit për njohjen dhe komunikimit me artin që realizohej jashtë shqipërisë.
Nga njëra anë ishte këmbëngulja pasionante nëpërmjet një pune eksperimentuese individuale në studio e artistit, i rrethuar nga idetë, temat, dashuria për pikturën dhe antikonformizmi.
Nga ana tjetër ishte përpjekja për gjetjen e mundësive të zgjerimit të horizontit kulturor në kushtet e një shteti totalitar të izoluar, duke shfrytëzuar udhëtimet e pakta jashtë Shqipërisë, literaturën e mundëshme të arteve pamore që ndodhej dhe hynte në Shqipëri në disa biblioteka, si dhe botimet e ndryshme që i dhuronin miqtë.
Piktori Skënder Kamberi mbetet një mjeshtër i tablove kompozicionale në artin shqiptar të shekullit XX. Në fondin e Galerisë Kombëtare të Arteve Tiranë ruhen tridhjetë e katër punime të piktorit. Në Galerinë e Arteve, Vlorë ndodhen 53 punime të artistit.Vepra të tjera të piktorit Skënder Kamberi ndodhen në Galerinë e Arteve, Gjirokastër, në Muzeun e Tepelenës, në Muzeun e Gjirokastrës, në Galerinë e Arteve, Fier si dhe në disa koleksionistë shqiptarë dhe të huaj.
Nga Ylli Drishti
Biografia
2 shkurt 1939 lindi në qytetin e Vlorës piktori Skënder Kamberi.
1955-1960 Kreu studimet në LA”Jordan Misja”. Pedagogët kryesorë ishin: Nexhmedin Zajmi, Sadik Kaceli, Kel Kodheli dhe Guri Madhi. (Tema e diplomes:”Punëtorët e ndërtimit”, vaj mbi kanavacë, 110 x 90 cm.). Bashkënxënës të Skënder Kamberit gjatë viteve të Liceut ishin: Llazar Myzeqari,Andon Lakuriqi, Qazim Arifi, Ferdinand Paci, Kujtim Buza, Liljana Çefa, Bajram Mata.
1960 – 1965 Kreu Institutin e Arteve, në Tiranë Pedagogët kryesorë ishin: Danish Jukniu dhe Vilson Kilica. Tema e diplomës “Leximi i shtypit”.
Bashkëstudentë të kursit ishin piktorët: Naxhi Bakalli, Sotir Capo, Gavril Priftuli, Fatmir Haxhiu. Në vitin e dytë të studimeve në kursin e tyre ju bashkëngjitën dhe studentët që i kishin ndërprerë studimet në Lenigrad (ish BRSS) dhe Pragë (ish Çekosllovaki): Llambi Blido, Kujtim Buza, Andon Lakuriqi e Bajram Mata që vinin nga Leningradi dhe Llazar Myzeqari nga Praga.
Ekspozita – Vlerësime – çmime, tituj dhe medalje.
1966 – Ekspozoi për herë të parë me tablonë: “Ndihma e shokut” (Ekspozita Kombëtare e organizuar me rastin e 25 vjetorit të themelimit të PPSH).
1967 – Pranohet anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë.
1969 – Çmimi i tretë ekspozita e 25 vjetorit të Çlirimit, për tablonë me titull: ”Nëndetëset kthehen në bazë.”
1971 – Çmimi i parë në gjininë e grafikës nga ana e Gazetës “Drita”
1973 – Çmimi i parë në gjininë e grafikës nga ana e Revistës “Nëntori”
1974 – Çmimi i parë në pikturë në Ekspozitën Kombëtare kushtuar 30 vjetorit të çlirimit të Shqipërisë. Titulli i veprës “Konferenca e paqes në Paris”
1978 – Çmimi i parë ekspozita e 35 vjetorit të krijimit të Ushtrisë, për tablonë me titull:
”Çajmë dallgët”.
23.03.1977 Nga Presidiumi i Kuvendit Popullor të RPSSH i jepet medalja “Naim Frashëri” (dekreti Nr. 5560). “Për një krijimtari të pasur dhe me nivel të lartë në gjininë e pikturës”
21.11.1979 Nga Presidiumi i Kuvendit Popullor të RPSSH i jepet titulli “Piktor i Merituar” (dekreti Nr. 6024).”Për krijimin e veprave me cilësira të mira ideoartistike në fushën e pikturës dhe që ka kontribuar në zhvillimin e arteve figurative të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”.
1981 Me propozimin e Skënder Kamberit u çel dega e pikturës në Shkollën e mesme artistike “Naim Frashëri”, Vlorë
1983-1993 Punoi si artist në krijimtari të lirë
13.11.1989 Nga Presidiumi i Kuvendit Popullor të RPSSH i jepet titulli “Piktor i Popullit” (dekreti Nr. 7336). ”Për krijimtari të shquar e me nivel të lartë ideoartistik në fushën e arteve figurative. Ka dhënë vepra që pasqyrojnë me dinjitet të kaluarën historike të popullit tonë dhe ndërtimin socialist të vendit”.
1999 Vlerësohet si njeriu i vitit 1998 – 1999 nga Qëndra Ndërkombëtare e Biografive në Kembrixh – Angli (The International Biographical Centre of Cembrioge – England)
Ekspozita kolektive të organizuara nga shteti shqiptar jashtë Shqipërisë.
1970 – Grac, Vienë (Austri), Ekspozoi veprën me titull: “Vrana Konti dhe rrethimi i Krujës”
1972 – Bukuresht (Rumani), Ekspozoi veprën me titull: “Vrana Konti dhe rrethimi i Krujës”
1972 – Prishtinë, Kosovë. Ekspozoi veprën me titull: “Vrana Konti dhe rrethimi i Krujës”
1973 – Hanxhou, Pekin (Kinë), Ekspozoi veprën me titull: ”Nëndetëset kthehen në bazë.”
1978 – Prishtinë, Kosovë. Ekspozoi veprën me titull: “Buka e duarve tona”
1979 – Stamboll, Izmir, Ankara (Turqi), Ekspozoi veprën me titull: “Buka e duarve tona”
1980 – Bukuresht (Rumani), Ekspozita “Paqe në Ballkan” Ekspozoi veprën me titull: “Peizazh nga bregdeti” 1979, vaj.
1981 – Romë (Itali) Ekspozoi veprën me titull: “Buka e duarve tona”, 1976, vaj (GKA, Tiranë)
1982 – Athinë (Greqi) Ekspozoi veprën me titull: “Rrethimi i Krujës, Vrana Konti”, 1968, vaj (GKA, Tiranë).
1984 – Paris (Francë), Ekspozoi veprën me titull: “Buka e duarve tona”,(variant i parë i realizuar nga artisti me dimensione më të reduktuara) dhe “Vrana Konti dhe rrethimi i Krujës”. Pas kthimit nga Franca vepra “Buka e duarve tona”, u vendos në selinë e Këshillit të Ministrave të RSH.
1986 – Kajro, Aleksandri (Egjypt) Ekspozoi veprën me titull: “Portreti i Edës”, 1985, vaj GKA, Tiranë)
1986 – Algjer (Algjeri) Ekspozoi tri veprat me titull: “Nëndetëset kthehen në bazë”; “Buka e duarve tona”, “Rrethimi i Krujës, Vrana Konti“.
04.12.1989 – 10.01.1990 – Romë , Itali “Museo Nazionale delle arti e Tradizioni Popolari” Ekspozita “Paesaggio Albanese”, Ekspozoi veprën me titull “Peizazh”, 1987, vaj (GKA, Tiranë) dhe “Rrugë në Sopik” 1987, vaj (GKA,Tiranë).
Ekspozita vetjake në Shqipëri.
1965 – Shtëpia e Kulturës – Vlorë
1967 – Shtëpia e Kulturës,Vlorë
1970 – Shtëpia e Kulturës, Vlorë
1972 – Shtëpia e Kulturës, Vlorë
1974 – Shtëpia e Kulturës, Ballsh
1974 – Pallati i Kulturës, Lushnjë ; – GA.Lushnje.
01.10.1986 – Galeria e Arteve Figurative në Tiranë
04.03.1996 – Galeria Kombëtare të Arteve, Tiranë
04.02. – 09.02.2014 – Muzeu Historik Kombëtar, Tiranë , “Skënder Kamberi – 55 vjet krijimtari” (retrospective)
Ekspozita vetjake jashtë Shqipërisë.
1991 – Lece – Itali “Bluarea” – Qendër turistike
1994 – Hamburg – Hundeloh (Gjermani) – Qendër turistike, Qendër Tregtare në Hamburg.
1996 – Livadhja, Agrinjo – Markopolos (Greqi) – Salla e Bashkisë.
1999 – Paris, Selia e Ambasadës së Republikës së Shqipërisë.
Ekspozita kolektive
1998 – 1999 Strasburg, Selia e KSBE – “Eksodi Kosovar” dhe “Nënë Terezën” organizuar nga Galeria “Te &GI” me pjesëmarrjen artistëve Ziso Kamberaj, Dritan Dedej. Po kjo ekspozitë e çel në Ambasadën Shqiptare në Paris (Francë)
2001 – Qyteti Nottingham (Angli) Organizuar nga Galeria “Te & GI”, vepra e piktorit Kamberi ishte tabloja “Tragjedia e Otrantos”.
Vlerësime mbi artin dhe artistin Skënder Kamberi:
“…Personaliteti, talenti dhe karakteri i tij i drejtpërdrejtë u bë qëndër e artit dhe e kulturës për Vlorën dhe në njëjtën kohë rreth tij, rreth Skënder Kamaberit u mblodhën artistët më të talentuar.Siç e thashë, unë vetë kam gëzuar përkrahjen e tij të pafund. Piktura ime ishte produkt i psiqikës time dhe i kulturës artistike europiane që kisha marrë gjatë viteve të shkollës që nga primitivizmi deri tek Picasso. Me këtë lloj mënyre ajo nuk kishte asnjë lidhje me realizmin socialist nga pikëpamja e tematikës e për më tepër nga pikëpamja e formës. Kështu që nuk ishte e lehtë të përkrahje një pikturë të tillë e aq më tepër ta përkrahje fuqimisht, ashtu siç e përkrahu Skënder Kamberi…Vetëm një talent i vërtetë, një artist i vërtetë mund të ndikojë kaq mirë në botën e artit. Artisti Skënder Kamberi ka universin e vet, mban vulën e personalitetit të tij që nga skicat e thjeshta, akuarelet dhe deri tek punët me ngjyra vaji. Thelbi i pikturës së piktorit Skënder Kamberit, mendoj se është tek struktura abstrakte nga pikpamja e koloritit që zotëron tërë rrafshin e telajove të tija, pavarësisht nga karakteri figurative që ka piktura e Skënderit. Besoj se është i vetmi artist që zotëronte tipare tepër të veçantë, tepër të rëndësishëm prej piktori dhe që i arriti në kushte të vështira, arriti të krijonte një art kaq cilësor. Për këtë arsye Skënder Kamberi mendoj se është artisti më kompleks dhe më cilësor i brezit të tij dhe një nga artistët më të rëndësishëm të artit shqiptar të të gjitha kohrave…”
Zinni Veshi – piktor New York (SHBA) – marrë nga intervista e piktorit Veshi e filmuar, dërguar për dokumentarin “Skënder Kamberi” e kërkuar nga autori i tij Ylli Drishti – tetor 2013
“…Duke parë totalisht krijimtarinë Kamberi në këtë ekspoze parandjej atë ndryshim që ka ndodhur në bazë të stadeve të ndryshimeve në çdo trasmetim kohor. Unë do veçoja si zhvillim në ndryshim pasurinë koloristike dhe mjeshtrinë e përdorimit të saj nga autori dhe si cilësi të saj të lindurit nga vetqënësia e autorit. Po kështu do të veçoja kontrastin e dukshëm që fillon nga kompozimi e që mbetet baza e fillimeve të tjera konstrastuese. Si në çdo kolor, vizatim, detaje e meditim alegorik.Dhe si veçori të tretë do të dalloja pastozitetin që ndihet i bollshëm në një pjesë të mirë të krijimeve të autorit. Ky pastozitet është bërë pjesë e domosdoshme e telajos në përshtatje me atë ç’ka e mundon subjektit autor.Duke u ndalur në kërkimin fizik të përbërjes së ekspozitës, dallon që ajo mbart kompozimin, portretin, peizazhin dhe natyrën e qetë, duke mos përjashtuar dhe impresionet e hedhura në fletët e grafikës së vizatuar…”
Suzana Varvarica Kuka – studjuese arti, Tiranë (pjesë nga shkrimi mbi ekspozitën vetjake të piktorit – mars 1996 me titull “Skënder Kamberi mediton mbi një pikturë realo-alegorike”, (Dosja S.Kamberi në Arkivin e GKA, Tiranë).
”…Për të folur për Skënderin më duhet të kthehem vite më parë dhe pikërisht në Liceun Artistik të viteve 1956. E takoja tek dilja në peizazh kur të tjerët luanin futboll apo basketboll në oborrin e Liceut, atëhere në rrugën e Kavajës. I përkulur mbi punën, me preokupacionin e madh dhe idera ende të pa kjarta. Ishte një djalë kokëfortë dhe kërkues tek e shihja kur pikturonte me të verdhë, blu dhe të zezë, gjë e çudiçme për një nxënës të Liceut artistik në ato vite. Por çfarë kërkonte, ku dëshëronte të dilte ai, ç’mendime i silleshin ende të turbullta në mendjen e tij. Në Akdeminë e Arteve përpjekjet e tij filluan të marrin formë gjithnjë e më të qartë. Por pa dyshim atë në radhë të parë e preokuponte ngjyra, mbasi ajo është padyshim një nga elementët më të rëndësishëm në pikturën e tij. Po të shohim pikturën që bëhej në ato vite menjëherë do ndjesh ndryshimin në kërkimet e tij.Shumë arsye mund të kenë ndikuar që ai të shtyhej në këtë drejtim, por unë mendoj se natyra e vendlindjes, deti i kaltër, dielli, peizazhi i mbytur në dritë, ullinjtë e argjendë, këtu duhet të kërkojmë zanafillën e pasionit të tij për ngjyrën e cila me kalimin e kohës do manifestohet dukshëm në veprën e tij. Por ç’ishte piktura e atyre viteve, çfarë e preokuponte atë dhe autorët e saj. Po të vështrosh veprat e kohës nuk e ke të vështirë të kuptosh se ajo sa ishte e ideologjizuar aq ishte dhe skematike…”
Po ta shohësh veprën e Skënder Kamberit nuk mund të thuash se ajo i ka shpëtuar plotësisht ideologjisë, por gjithsesi në punimet e tij ndihet një frymëmarrje tjetër, një përpjekje për ta minimizuar atë dhe për ta bërë sa më pak të pranishme në tablo. Në ato vite me punën e tij dhe të një grupi piktorësh vlonjatë, u krijua një grupim artistësh që në opinionin artistik të kohës, dalëngadalë mori emrin “Piktorët e Vlorës”, kurse nga të tjerë “Shkolla e Vlorës” e cila në qëndër të saj kishte Skënder Kamberin. Ai u bë ideatori dhe drejtuesi i saj. Nga ky grupim artistësh vërejmë një përpjekje për të vlerësuar dhe evidentuar ngjyrën, për ta bërë të pranishme në tablotë e tyre. Punimet e Skënderit e shprehin qartë dhe janë shëmbulli më i mirë për të treguar këto përpjekje, të cilat nuk u arritën lehtë…Për mendimin tim Skënder Kamberi është një artist kërkues, kërkues i palodhur, ai tashmë ka krijuar individualitetin e tij krijues dhe vlerat që ai ka sjellë në artin shqiptar janë evidente. Ai i dha pikturës kohën dhe mëndjen e tij. Padyshim ai mbetet ndër ata artistë të rëndësishëm të brezit të tij dhe për mendimin tim një nga më të talentuarit…”
Alush Shima – piktor, ish drejtor i GKA, Tiranë në vitet 1994 -1998 (pjesë nga fjala e mbajtur në përurimin e ekspozitës vetjake të piktorIt Skënder Kamberi më 4 mars 1996. (Dosja S.Kamberi në Arkivin e GKA, Tiranë).
“…Ndërkaq, nga krijimet me tema aktuale ndoshta do te duhej veçuar sidomos piktura “Buka e duarve tona” – Skënder Kamberi. Unë Skënder Kamberin si krijues e kam njohur prej vitesh, që kur banonte në Vlorë. Në atë qytet vija shpesh se isha edhe më i ri dhe qëndroja në studjon e tij. Studjoja ishte e mbushur me piktura në mure, nëpër qoshe, por gjithmonë nëpër kavaleta qëndronin vepra që ai punonte; kur mbaronte njërën fillonte tjetrën. Kështu që e kam njohur edhe nëpërmjet krijimtarisë direkte të parë në mure, në ekspozita, por edhe gjatë proçesit të krijimit. Më ka tërhequr shumë kjo krijimtari dhe shpesh pyesja veten: more ç’ka ky Skënderi që më pëlqen mua? Pse është kështu?. Dhe kam vënë re që atëhere, që ai di të pasqyrojë pikturën e tij dhe karakterin e tij. Ai është tepër impulsiv,është i gjallë,krijon simetrira–prish simetrira, krijon armonira–prish armonira, në jetë dhe në sjellje dhe po kjo pasqyrohet edhe në krijimtari.
Po të shohësh krijimtarinë e tij, është vallja e ngjyrave, krijimi i harmonive dhe pastaj i dizarmonive dhe të gjitha këto krijojnë një harmoni.Skënderi është i lidhur krejtësisht me botën që na rrethon, me sendet, me sendet e gjalla dhe të vdekura, me natyrën dhe me shoqërinë dhe përpiqet me ç’do kusht që të bindë këdo për të krijuar një harmoni…
Dritëro Agolli – shkrimtar (pjesë nga intervista e tij dhënë gazetares Ela Baçi në emisionin televiziv “Pegaso”, 2000)
“…Piktura e Skënder Kamberit është vepruese, reaguese dhe jo pozante, ajo këndon dhe qan, sipas rastit, të armatos me dashuri apo urrejtje, të ngroh me ngjyrat e saj: okër, kafe, të kuqe…të freskon me të bardhën, të flladit me lirizëm, me bukurinë dhe freskinë vashërore. Ajo ka temporitëm, si një valle, lëvizje dhe shpërndarje të motivuara të broshurave (bardh e zi). Piktori bën muzikë me ngjyrat, kjo pikturë ka psikologjizëm të thellë dhe konceptim të saktë anatomik. Nga tabloja në tablo, nga portreti në portret, nga peizazhi në peizazh, po edhe me vetë elementët përbërës të të njëjtit punim, piktura e tij të befason, të vë para të papriturash…”