Plakja e popullsisë që po shoqërohet me shtim të sëmundjeve nga njëra anë dhe kthimi i vëmendjes si kurrë më parë te shëndeti si pasojë e pandemisë nga tjetra, po mbajnë kërkesën për barna në nivelet më të larta ndonjëherë.
“Në këtë moshë që jemi sigurisht që marrim ilaçe. Jo nga tensioni e nga sëmundje të tjera, detyrimisht do kemi dhe ilaçe”, thonë qytetarët.
Të dhënat nga Instituti i Statistikave tregojnë se gjatë vitit të shkuar u importuan 28.2 miliardë lekë produkte farmaceutike. Në krahasim me 2023-shin, importet u zgjeruan me 1.3 miliardë lekë duke iu afruar nivele të vitit 2021 që shënoi një rekord më vete.
“Është kthyer në një lloj kulture. Përpos shtimit të sëmundjeve si pasojë e moshimit, ka shumë qytetarë që kujdesen më shumë për shëndetin e tyre duke marrë vitamina apo suplemente të tjera”, shprehet farmacistja Elda Tomçini.
Sipas farmacistëve, grupmoshat më të interesuara janë mbi 60 vjeç të cilat ende vuajnë pasojat e gripit, por dhe nënat e reja për virozat e fëmijëve.
“Qytetarët kanë rritur interesin për më shumë produkte farmaceutike të tregjeve europiane, të cilat nëse futen në listën e barnave në Shqipëri mund të rrisin edhe më tej importet”, thekson Tomcini.
Të dhënat nga ISNTAT tregojnë se në 12 muajt e lëna pas u importuan gjithsej 6 mijë e 480 tonë produkte faramaceutike, 74 tonë më tepër se edhe në vitin 2020 që shënoi kulmin e Covid-19.