Interviste për revistën Hejza Aleksandër Çipa: Kaosi dhe trafiku anarkik i botimeve

27 Minuta Lexim


Intervistoi Zyrafete Shala


-Cilat janë politikat kombëtare të shteteve dhe të lidershipit në raport me identitetin tonë kulturor?

Përgjigjia ime vjen e trishtë: Nuk kemi politika, aq më tepër politika udhëheqësie që të jenë afatgjata, të strukturuara për të qenë komplementare mes shteteve tona, ushqyese dhe shërbyese ndaj identitetit tonë kulturor. Natyrisht e kam fjalën për politika të qëndrueshme substanciale dhe që mbartin vision dhe vlerën e tyre për perspektivën. Të paktën të dy shtetet tona, respektivisht Shqipëria dhe Kosova do të duhej të sendërtonin programe afatgjata dhe strukturore në shërbim të identitetit tonë kulturor, por veçanërisht në shërbim të mbrojtjes dhe evidentimit të këtij identiteti. Është brengosës fakti që shtetet tona nuk ia kanë dalë që të ndërtojnë përbashkërisht një koncept të trashëgimisë së vlerave dhe brendisë së identitetit tonë kulturor kombëtar, pamvarësisht kohëve apo epokave politike nëpër të cilat kanë kaluar shoqëritë shqiptare. Sikundër brenge është që na mungon një strategji e tillë institucionale mes hapësirave shtetërore.
Udhëheqësit tanë politikë janë artikulues propagandistikë për principet më klasike të identitetit kulturor, por nuk janë sjellës të politikave dhe programeve përkrahëse për kontributorët përkatës, me kapacitet dhe talente krijuese në fushat e krijimtarisë, atë të mendimit dhe të projektimit parashikues e programues. Qëllimet e tyre mbeten thjesht si motiv për protagonizmin individual dhe jo si ofertë shkallëngjitëse për kulturën, afirmimin dhe sidomos pasurimin e mendimtarisë kombëtare në rrafshe krahasimi dhe konkurimi me inteligjencien, krijuesit dhe shkencën e shoqërive të rajonit e më gjerë.
Politikanët tanë kanë barrën e fajësisë për mungesën e një strategjie bazike dhe jetëgjatë për këtë aspekt.

-Cili është identiteti ynë letrar sot?

Mendoj se është një pretendim gati utopik. Ndoshta do të duhej të thuhej: pse nuk e kemi sot një identitet letrar?! Mendoj se në hapësirën kohore, nga zanafilla deri në të sotmen tonë letrare, ne I kemi disa tipologji identitare të fuqishme, spikatëse. Në të sotmen ky identitet është në krizën e mosshfaqjes për shumë arsye. Koha e tanishme e bën gati të pamundur shfaqjen dhe afirmimin e këtij identiteti. Ne jemi të pambrojtur edhe nga vetja, në raport me identitetin. Jo për faktin se jemi shoqëri në ndryshime dhe spostime zismike, por njëherësh jemi në një epokë të formësimit të strukturës sonë kombëtare në një kohë me pluralitet dhe kaos. Koha e postkomunizmit na përballi me një rrethanë hallakatëse. Institucionet tona kulturore do të duhej të investoheshin për një ndërgjegje dhe funksionim liberal dhe ushqyes mes kapaciteteve të brendshme dhe atyre në diasporë të krijuesve, artistëve dhe studiuesve. U pozicionuan forcat tona krijuese, apo edhe ato të studiuesve, nëpër antagonizma destrukturuese dhe na mungoi strategjia afatgjatë për një identitet spikatës dhe në shëndoshje kombëtar.
Letërsia, si pjesa avangardiste në ndikimin mendor të shoqërisë, e ka humbur këtë rol dhe nuk ka zëvendësues. Kjo zbrazëti po shkakton dëm kolosal. Nëse do të perifrazoja dicka që është thënë për Pablo Nerudën: Letërsia nuk është vetëm pë rata që e shkruajnë, por pë rata që ju shërben”.


-Jeni autor i disa veprave poetike, ndonëse ekzistenciale për Ju ka qenë gazetaria. Kur e kuptuat se përmes fjalës së bukur duhet të shprehni diçka që është e bukur, që me pak fjalë të thoni shumë?

Unë kam lindur në një familje filologjike dhe me trashëgimi autentike etnokulturore shqiptare. Mjedisi dhe materia kulturore e vatrës sime familjare më “indoktrinuan” me kulturën kombëtare shqiptare dhe elementet antike dhe autentike të saj, sikundër është poezia orale, poezia klasike dhe polifonia shqiptare dhe muzika qytetare bregdetare shqiptare.
Marrëdhënien me letërsinë e veçanërisht me poezinë e nisa qysh në fëmininë time të parë e mbetet vijuese, pa shkëputje. Në moshën 13 vjeçare, në fillesën e adoleshencës, kisha fituar dëshirën këmbëngulëse për t’u bërë gazetar dhe shkrimtar njëkohësisht. M’u imponua si shkollim profesioni i mësuesit, por nuk e ushtrova atë dhe mbeta besnik i gazetarisë. Për 35 vite e ushtroj përditmërisht këtë pasion, duke e mbajtur në bashkëjetesë pa antagonizma me shkrimtarinë. Por në ndërgjegjen time u ngulit për përherë marrëdhënia dhe kërkimi i së bukurës në fjalë kur u bëra dëshmitar i disa sukseseve fantastike të këngëve të babait tim Lefter Cipa, dhe i botimeve të tij të shumëdiskutuara në shtypin letrar të Shqipërisë së viteve ’80. Prej asaj kohe mbetem në urinë dhe ngasjen e parreshtur për shqipebukurën dhe letërsinë rrëmbyese.Jeta në qytetin e Gjirokastrës padyshim më dha ushqim tjetër letrar dhe më rrënjosi shije dhe gjykime të tjera filologjike si dhe me afirmoi koncepte për kulturat, sidomos per atë letrare.
Unë kam ambicien time letrare, por nuk e kam prekur iluzionin se kam realizuar vepër. Jam në punë dhe ecuri krijuese, sidomos tashmë kur përvoja, tradita, akumulimi dhe koha janë së bashku si një modul I tërësishëm realizimi të një pune dhe prurjeje për vepër autoriale.Por vargu I Kavafit mesa duket shpreh gati një sindrom se pas cdo libri apo krijimi, autorët pëshpërisin vetvetishëm: Më të bukurën ende s’e kam shkruar!


-Nëse moderne quhet gjithë ajo që shkëputet prej traditës, ndërsa tradicionale ngelë gjithë ajo që i reziston modernizimit, atëherë ku e gjejmë kufirin në mes të krijimtarisë tradicionale dhe krijimtarisë moderne?

Kjo është një temë e thellë, rrëmbyese për refleksion të pashterueshëm. Kufiri mes krijimtarisë tradicionale dhe asaj moderne zhbëhet në rastet e krijimtarisë që vjen prej talentit shkrimor. Emrat eminentë të kulturës bashkëkohore dhe sidomos krijimtarisë poetike e kanë zhbërë në mënyrën e tyre këtë kufi. Por duke mos hequr dorë prej “muzikës” së tradicionales.Nuk e kam fjalën për normat metrike apo stereotipinë e tradicionalizmit estetik, por për forcën e shpalljes së stilit, teknikave dhe sidomos veshjes gjuhësore të materies letrare të tyre me peshë e rëndesë mendimi, sikundër edhe me vlerë ayipike esyeyike krijuese. Meqë jemi në këtë pohim, le të sjellim në vëmendjen tonë se sa bukur e ka kryer me prurjen e vet poetike Xhevdet Bajraj në poezinë e sotme, po aq pasurues i poezisë sonë moderne sa Frederik Reshpja, Visar Zhiti, Azem Shkreli apo Fatos Arapi….
Poezia dhe krijimtaria jonë tradicionale e ka fituar proven me kohët.Ka rezistuar dhe I është imponuar modernes, e ka ushqyer atë dhe nuk ka ngjarë e kundërta, që tradicionalja të jetë ushyer prej modernes. Në krijimtarinë njerëzore libri është zgjatimi I kujtesës dhe imagjinatës.Në një lloj kuptimi ai vendosi edhe gurin kufitar mes tradicionales dhe modernes në krijimtarinë njerëzore në lëmi të kulturës dhe letërsisë vecanërisht.

-Sa njihen në mes vete shkrimtarët shqiptarë? Po lexuesi shqiptar i njeh krijuesit e vet? A e njeh lexuesi shqiptar letërsinë e vet siç i njeh krijuesit dhe letërsinë botërore?

Janë disa pyetje në një: Unë i përmbahem pikëpamjes sime se shkrimtari domosdoshmërisht duhet ta njohë shkrimtarin, së pari dhe përmbajtësisht, përmes teksteve. Njohja e shkrimtarisë së të tjerëve është mbrothësim edhe kulturor edhe dijesues mes sistemeve kulturore dhe letrare.
Mirëpo shkrimtarët shqiptarë bëjnë një përjashtim, pasi jemi një komb demografikisht i vogël. Në kushtet e lirisë së vonuar të ndërshkëmbimeve dhe ndërlidhjeve tona, është bërë edhe më e madhe mundësia e kontakteve dhe bashkëbisedimeve me prani fizike. Në kohën e izolimit njohja ishte e vetmja mundësi e ikjes nga burgu I padijenisë së vetes.
Megjithatë, unë mendoj që shkrimtarët shqiptarë ende nuk e kanë njohjen mes tyre, aq sa do të duhej. Në kohën e sotme kur kemi kaos dhe trafik anarkik të botimeve dhe qarkullimeve të letërsisë është vështirësuar njohja, sikundër edhe është bërë edhe më e lehtë vetëzgjedhja sipas instiktit dhe syceltësisë vetiake kulturore..
Mosnjohja e lexuesit shqiptar me letërsinë shqiptare po merr përmasa negative. Duhet të shtojmë edhe faktin se lexuesit masivë po bëhen edhe më të paktë numerikisht, edhe pse janë krijuar mundësitë alternative për të lexuar letërsi si atë shqipe edhe atë të huaj. Por letërsia nuk është më në modën e brezit të sotëm. Treguesit janë alarmantë fatkeqësisht! Pasojat do të ndihen pas ndoshta një dekade.
Letërsia artificiale është ardhja e tornadshme mbi letërsinë autoriale të njeriut, pra shkrimtarëve. Se çfarë do të ndodhë nga rivaliteti mes tyre, ende nuk është thënë. Njeriu do të mbetet krijues i krijesave dhe shpikjeve të veta, por do të vuajë aftësitë dhe fantaveprimin e tyre…madje kjo marrëdhënie me kohë po bëhet dhe sjell letërsi…
Letërsia e mire sidoqoftë, njihet ende. Imponohet dhe serviret ende. Kjo është gjë e mirë. Por nuk ndeshet me atë dashuri si të para viteve ’90- të në Shqipëri.
Në shoqëritë shqiptare të rajonit, ka specifika të ndryshme dhe tipologji diversiguese, raportesh dhe njohjesh mes entitetit të shkrimtarëve dhe atyre të lexuesve…

-Kritika letrare dhe, përgjithësisht ajo artistike, e ngrit një popull, e thekson kulturën e tij, e madhëron të bukurën, artistiken në krijimtarinë e përgjithshme. Kritikat e mirëfillta e joshin, e motivojnë, e nxisin krijuesin e popullit. Ku është krijimtaria jonë artistike dhe ku e kemi kritikën e përgjithshme?

Po e nis përgjigjen në përkim me pjesën e fundit të pyetjes suaj. Krijimtaria artistike shqiptare në letërsi është e cilësishme. Ka diversitete të konsiderueshme prurjesh, shijesh, stilesh, ndikimesh dhe talentesh. Eshtë një letërsi që po dimensionon njohjen ndërkombëtare në mënyrë të lëvdueshme sikundër po shton tërheqje vëmendjesh nëpër ente dhe sallone editorësh dhe letërsizgjedhësve ndërkombëtarë nëpër botë. Kësaj krijimtarie nuk i përgjigjet mjaftueshmërisht dhe cilësisht kritika letrare shqiptare. Ne nuk kemi një lëmi kritike apo aq më tepër një entitet kritike të strukturuar. Fatkeqësisht disa fillesa për investim dhe ecje në premisat e krijimit të një shkolle për kritikën u ndërprenë dhe u shembën si në Tiranë ashtu edhe në Prishtinë me kohë. Kemi kontribute individuale por të pamjaftushme për të funksionuar si një strukturë e nevojshme. Dikur krijuesit me potencialitet talenti dhe cilësi krijuese, si dhe me më tepër ndikim publik e kryenin këtë. Sot rishtazi e bëjnë, por në kaosin e shoqërive tona aktuale, kritika nuk e kryen atë rol dhe është e eklipsuar nga marketingu mediatizues mediokër dhe shpesh në vlerë iluzuese përkohësie, për cilësitë reale të prurjeve dhe botimeve shkrimore.
Atributet që përmendni ju në pyetjen tuaj nuk i kryen prej dekadash kritika jonë, përjashto disa raste kur këmbëngul për trashëgiminë e cilësishme letrare të së shkuarës e cila duhet ndarë në kapituj kohorë dhe zhvillimesh. Në një lloj kuptimi ne duhet të konceptojmë disa të shkuara, të cilat janë një histori dhe lëndë më vete për vetë letërsinë apo më gjerë krijimtarinë shqiptare.

-A mendoni se ka një ndarje në mes letërsisë shqipe të shkruar brenda Shqipërisë dhe jashtë saj? Nëse po, cilat janë disa prej dallimeve kryesore?

Mendoj se ka produkt të ndryshëm letrar. Autorët mbartin diferenca dhe formime kulturologjike dhe filologjike të ndryshme. Janë individë në shoqëri të ndryshme. Për mua autorë të rëndësishëm jashtë hapësirës shqiptare nëpër botë janë disa: Gazmend Kapllani, Ornela Vorpsi, i paharruari Xhevdet Bajri, Anilda Ibrahimi, Ardian Kopi Kycyku, Granit Zela, apo Erjus Mezini, etj., të cilët tashmë janë shkrimtarë me marrëdhënie potenciale me lexuesin global, lexuesin shumëgjuhësh dhe natyrisht shqiptar. Ata janë formuar dhe kanë marrë frymë filologjike e shkrimore e kulturore, ndryshe nga shkrimtarët në Kosovë dhe në Shqipëri. Në shumë aspekte antropologjia kulturore e tyre është tejet kontrastuese me antropologjinë shoqërore të shkrimtarëve rezidentë që nga lindja deri në moshim, në atdhe.
Pyetja në fakt, ka nevojë për përcaktimin e hapësirës kohore. Nëse i adresohet hapësirës kohore të pesëdhjetë viteve të fundit, edhe përgjigjen e kam më specifikuese. Tashmë jemi në një kohë kur ish letërsia e ndaluar, me atë të penguar, me atë të dogmatisuar, me të paqarkulluarën dhe të mbajtur në sirtarin e tmerrshëm të jetës së autorëve, janë takuar me letërsinë e krijuar në kohën e lirisë, në kohën e triumfit dhe zhgënjimit, idealit të ri utopik dhe shembjes prej konstatimeve deformuese e degraduese të demokracisë apo bashkëjetesës së kombëtares me globalenetj…. Të gjitha këto kanë krijuar atë që Moikom Zeqo në Tiranë në fillimvitet 2000, e cilësonte kaos në librin e vet “Krijimi i kaosit”.


-Në hapësirat shqiptare kemi shumë manifestime letrare, kemi shumë orë letrare, shumë antologji, shumë botime, shumë poetë, por edhe shumë abuzime e abuzues me letërsinë. Ndonëse e kemi parasysh këtë shumësi, gjithnjë e më shumë jemi dëshmitar të tirazheve minimale të librave (edhe 50 – 100 ekzemplarë), gjë që tregon për rënien drastike të lexuesve të letërsisë shqiptare. Cili është vlerësimi Juaj?
Manifestimet letrare nuk janë dhe s’ka se si të jenë akte renditjesh apo përcaktimesh të rendit letrar. Me të drejtë para pak kohësh studiuesi, poeti dhe përkthyesi i talentuar dhe erudit, (por pak i njohur në botën shqiptare), Gëzim Basha, rezident prej më shumë se dy dekada në SHBA, atakonte përcaktimin zyrtar “Shkrimtari më i mirë i vitit” apo “Poeti më i mirë i vitit”. Certifikime të tilla kanë brendi të legjitimimit të fiktivitetit. Duhet rikonceptuar krejt struktura e vlerësimeve për autorët dhe prurjet letrare në institucionet tona kulturore që merren me këtë funksion. Mendoj se kemi humbur kohë së pasuri një rrjet të përhershëm vlerësuesish dhe selektorësh profesionistë nga hapësira gjithëshqiptare për të krijuar një sistem real vlerësimi dhe gjykimi për krejt krijimtaritë e më tepër për atë letrare.
Ky keqpërdorim I deritanishëm dhe mungesa e një structure të tillë pengon dijeninë e duhur letrare dhe sidomos le në fuqi ndarjen e hapësirës kulturore e letrare në hisetë krahinariste, provinciale dhe sidomos nepotike, duke dëmtuar raportin me cilësinë dhe vlerën e kombëtares letrare që nevoitet të jetë përfaqësuese në arealet e tjera kulturore të botës.

-Në Shqipëri, për gjysmë dekade u kultivua letërsia e diktuar prej pushtetit enverist! Në viset etnike, sidomos në Kosovë, u rezistua fuqishëm kundër politikave shovene që synonin për të krijuar një letërsi politike antikombëtare. Krijimtaria artistike gjeti shteg te metafora? “Disedentë plotë”, andej e këndej kufirit, por, letërsi disidente fare? Pse?

Mendoj se kemi të bëjmë me një raport mes talentit dhe kurajos. Letërsia shqipe ka marrë prova talentesh me rezonim edhe në kuadër të letërsisë së përbotshme. Por shkrimtarët tanë nuk janë ngritur në majat e kurajos për të patur statusin e plotë të disidencës. Janë disa artistë në prova e dëshmi disidente, por jo në vepra dissidence me ndikim dhe imponim ndryshimesh në systemin politik dhe shoqëror. Në shoqëri të vogla, kjo duket se është e pamundur, aq më tepër në sisteme politike si ai I komunizmit shqiptar.
Në hapësirën tjetër shqiptare, pra Kosovë dhe viset e ish jugosllavisë ishte kontekst tjetër, por hapësirë lëvruese më e ndryshme nga inkubatori socreal i Shqipërisë.Në ato vise ngjante se ekzistonte disidenca si prirje estetike dhe rrymash e tendencash, por jo politike e shoqërore. Duhet thënë se në këto vise disidenca shfaqej në formën e idealit kombëtar.
Ndërsa në Shqipërinë e mbyllur, në kushtet e saj, disidenca letrare ndëshkohej sa shfaqej. Pengohej dhe goditej me instiktin gati shtazarak të censorëve dhe gardianëve politico-kulturorë të regjimit. Letërsia disidente ngrihet në këtë rol kur lidhet me një terren, shoqëri apo hapësirë kombëtare organike dhe unitare.Ne nuk I kemi pasur këto kushte. Madje këtë pengim sot ose po e vetëmbajmë padrejtësisht në fuqi, ose na shtyjnë ta ruajmë si statusquo absurde!

-Periudha komuniste, nëpër të cilën kaloi populli shqiptar, prodhoi “artin zyrtar” që e luftonte dekadencën, hermetizmin, “artin për art”. Me rënien e kësaj “ideologjie të kuqe” u përmbysën shumë vlera ideologjike, koncepte e mentalitete, por jo edhe krijimtaria e përgjithshme kulturore e kësaj periudhe! Ndodhi kjo, sepse ne shquhemi si harrestarë të së kaluarës, sado e afërt qoftë ajo, apo, sepse, patëm nevojë për një “mutacion gjenetik” që do të na rikthejë drejt evropianizimit të qenësisë sonë?

Ligjistët dhe antropologët shqiptarë me kohë do të duhej të ndriconin dhe bënin me dije raportin e shqiptarëve me kujtesën dhe harresën. Ne jemi popull harrues. Harrojmë shumë dhe harrojmë shpejt. Ia deleguam përgjegjësinë memorizuese të historisë sonë në shekuj vetëm poezisë orale apo rrëfimtarisë popullore verbale. Kemi deformim serioz antropologjik në raport me memorien kombëtare dhe sidomos atë intelektuale. Komuniteti I artistëve dhe sidomos I shkrimtarëve në hapësirën tonë kombëtare jep fare pak dëshmi të memories së pasur intelektuale, kulturore apo erudicioni. I kemi pasur të paktë dhe ende të paktë I kemi përfaqësuesit me regjistër të lartë kujtese dhe dije-njohjeje. Kam besuar se konkurimi ynë I brendshëm mes dy hiseve tona kombëtare gege e toske do ta inkurajonte këtë, por optimizmi është ende I pashfaqur ndër ne dhe në jetën tonë publike për dicka të tillë. Popujt fqinjë janë shumë më ndryshe. I përkasin një sistemi tjetër dhe më të pasur. Ne kemi shpërfilljen tronditëse ndaj të diturve dhe njohësve…



-A mund të flasim për evropianizimin e kulturës shqiptare, sidomos me politikat paksa më liberale në fushën e artit gjatë periudhës së Mbretit Zog në Shqipëri dhe, shumë më vonë në viset e ngela jashtë shtetit amë. Në çfarë niveli e kemi sot evropianizimin e kulturës shqiptare dhe, në cilat segmente të kulturës mund të haset me qartë ky evropianizim?

Kultura shqiptare është europiane. I ka të bollshme dëshmitë dhe materien për ta mbajtur këtë përkatësi. Mendoj se një lëmi që do ta plotësonte fuqimisht imazhin europianist të kulturës dhe trashëgimisë shqiptare në dijeninë ndërkombëtare do të ishte dimensionimi I projektit për zbulimin e kursyer dhe të penguar të territorit arkeologjik shqiptar në krejt hapësirën tonë. Do të dilnin në pah dëshmi jo vetëm autentike kulturore europianiste, por do të kenë vlerën e përmbysjeve konceptuale dhe klasifikuese të disa përcaktimeve evazive dhe dyshuese për identitetin dhe përkatësinë tonë kontinentale.
Në peridhat historike dhe politike të shekullit të fundit mes qeverisjeve më të gjata në kohë: asaj të Mbretit Zog, të Enver Hoxhës dhe periudhës së tranzicionit në Shqipëri dhe në viset tona jashtë saj ka qasje dhe aplikime të ndryshme për europianen dhe kombëtaren. Kemi një histori kryesore ikjeje prej saj, mbylljeje, cënimesh dhe rëniesh pre ndaj tëhuajzimeve kulturore.
Dicka të tillë po e tolerojmë edhe sot fatkeqësisht. Ndërsa politikat tona orientuese janë të drejtpërcaktuara për integrimin dhe njësimin me territorin tonë continental në mënyrën më antivionare po tolerojmë mes elitave qasjet për orientime të tjera dhe tëhuajzime që janë shteza mbi ADN-në tonë kombëtare dhe zanafillore euripiane. Europianizimi ynë është dhe duhet të mbetet si cështje e rikthimit në identitetin tonë dhe kjo nuk përjashton marrëdhënien apo përfitimin nga kulturat e tjera jo europiane.


-A ndani mendimin se sot pesha dhe roli i shkrimtarit në shoqërinë shqiptare ka rënë dukshëm dhe nëse po, cilat janë arsyet për këtë rënie? Sot nuk e kemi një shkrimtar me ndikim si Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Rexhep Qosja, Zija Çela, Teki Dërvishi, Beqir Musliu etj.

Arsyet janë të natyrshme. Shoqëritë tona janë tashmë plotësisht në netëorkun e shoqërive kontinentale dhe globale. Letërsia nuk ka më atë atribut që kishte në kohën e bashkëkohësisë së këtyre autorëve. Rrjedhat e sotme janë krejtësisht të ndryshme nga rrethanat e kësaj së shkuare. Marrëdhënia e krijimtarisë letrare me shoqërinë ka ndërruar plotësisht. Roli i saj shoqëror nuk është më në lartësinë e dikurshme të funksionit masiv.

-A mendoni se ka një dallim të theksuar midis letërsisë që prodhohet në Shqipëri dhe asaj në Kosovë, Maqedoni e Veriut apo diasporë? Si mund të krijohet një platformë më e bashkuar për të promovuar letërsinë shqiptare, përtej strategjive idiotike për të hartuar antologji mëhallash si “platformë e krijimtarisë shqiptare”?

Koncepti I bashkimit kombëtar si process rinatyralizues I kombit tonë është I ndryshëm nga dëshira për një treg letrar dhe kulturor mbarëkombëtar. Ekzistojnë diferenca, tipologji dhe specifika diverguese në hapësirat e vogla letrare të njësive të ndara administrative të hapësirës shqiptare. Do të duhej me kohë të funksiononte mekanizmi dhe sistemi që mban në forcë veprimi platformën e bashkuar kulturore dhe letrare shqiptare. Kultura dhe tradita aktuale e antologjive provincial dhe përjashtuese është një shëmti antikulture dhe sidomos jashtë konceptit unikulturor që duhet të ekzistojë në kulturën kombëtare shqiptare që më fisnikërisht dëshmohet në periudhën e rilindjes sonë kombëtare. Platformat gjithëpërfshirëse janë platformë ose e ndaluar, ose e penguar ose e financuar për mosbërje në rrjetin e institucioneve shtetërore të hapësirës sonë kulturore.Pa u shembur ky system pengimesh dhe vetëcopëzimesh, nuk mund të mbërrijmë tek e gjithëpërfshira jonë.

-A është i lehtë bashkimi kombëtar në sferën e kulturës. A na pengon dikush që të kemi institucione kombëtare reprezentative: një shtëpi botuese nacionale, një filarmoni kombëtare, një balet kombëtar, një teatër, një produksion filmi, një galeri kombëtare një akademi shqiptare etj.

E konceptoj disi më ndryshe këtë mundësi.Ne nuk mund ta mbajmë në fuqi imazhin e një bashkimi kulturor sikundër perceptojmë bashkimin politik kombëtar. Ne na duhet që atipikja jonë kulturore kudo në hapësirën tonë të mos shfaqet dhe mbartet si vlerë “specie e rrallë” por të inventarizohet si e kombëtares sonë. Institucionet e mëdha kulturore shtetërore patjetër duhet të jenë, madje do të duhej të ishin me kohë, fytyra reale e institucionalizmit tonë kulturor kombëtar. Më së pari do të duhej të ishin një: Mezu Kombëtar, Biblioteka Kombëtare, Teatri Kombëtar,Opera dhe Baleti Kombëtar, Kinematografia Kombëtare, Odeoni Kombëtar i Arteve të Bukura, etj., etj. Këtë strukturim administratorët dhe vendimarrësit tanë duhet të mos ta vonojnë sepse në botën e sotme dhe sidomos në rrethanat e shoqërive dhe kombeve të vogla, kurrësesi nuk duhet harruar pohimi I Quazimodos:” Njeriu kudo vikat shortin e një Atdheu”.

-Televizionet tona janë të stërmbushura me emisione debutuese, ndërkaq ky trend bëri që këto mediume të vlojnë nga “analistët”. Mjerisht, në këto debate, në të shumtën e rasteve mungon kultura e debatit në njërën anë, por mungojnë edhe debatet për kulturën, artin e letërsinë, në anën tjetër. Ç’mund të na thoni rreth këtyre mungesave?


-Borhesi, Parajsën e perceptonte si një Bibliotekë me kthina nga Babilonia e lashtë e deri te bibliotekat bashkëkohore gjithandej botës! Tendencat për digjitalizimin e librit, për formën e librit online, a po e rrënojnë këtë Parajsë borhesiane, apo janë shenjat e para të angazhimit për digjitalizimin e domosdoshëm të Parajsës-bibliotekave!

Eshtë I aq shumë cituar ky përcaktim I Borhesit për rëndësinë e bibliotekës. Por po aq inkurajues na bëhet Borhesi në kushtet e sotme kur diku pohon se :” Grekët nuk I përdornin shumë librat. Sepse është fakt që shumica e mendimtarëve të njerëzimit nuk i janë drejtuar shkrimit, por fjalës”

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull