Në ceremoninë që po zhvillohet në Pallatin e Brigadave për festimin e 105 vjetorit të shpalljes së Tiranës kryeqytet, kryeministri Edi Rama ka folur gjatë lidhur me burgosjen e Erion Veliajt me urdhër të SPAK.
Rama u ndal edhe mbi hetimin që SPAK ka nisur ndaj deputetes së partisë së tij, Klotilda Bushka.
Rama është shprehur se deputetja Bushka e ka marrë vesh prej mediave që është person nën hetim teksa nuk është marrë asnjëherë në pyetje nga prokurorët në lidhje me këtë çështje.
Kryeministri Rama i ka cilësuar këto veprime nga ana e prokurorëve si shenja të një sëmundje vetëkënaqësie, ndërsa ka theksuar se nuk jemi Republikë Prokurorësh.
“Kryetarja e Komisionit të ligjeve ka kërkuar të dëgjohet në Grupin Parlamentar, sepse e ka dëgjuar nga TV, jo nga prokurori. Nga gazetarë special që kanë dokumente që nuk i kanë as të akuzuarit që është person i dyshuar, kryetarja Komisionit të Ligjeve.
Që të jetë një person i dyshuar që e merr vesh nga TV që emrin është në aktakuzë dhe të mos jetë pyetur asnjëherë… çfarë është kjo? Këto nuk janë shenja aspak të mira dhe dua të shpresoj që janë shenja që nuk lidhen me simptomat e një sëmundje vetëkënaqësie. Kjo s’është Republikë Prokurorësh. Do ishte autogoli më i madh,” është shprehur Edi Rama.