Protesta e opozitës vetem 2 orë. Mesazhe nga kreret tradicionale. Berisha niset drejt Italisë

1 Minuta Lexim

Ka përfunduar në më pak se dy orë protesta e opozitës përpara kryeministrisë. Në mitingun e sotëm, Sali Berisha deklaroi se Partia Demokratike tashmë është e bashkuar pasi “u ngrit nga hiri si Feniksi”. Ai shtoi se ata që donin ta mposhtnin PD-në, kanë dështuar.

“Sot kemi vulën, flamurin dhe fitoren më pranë se kurrë,” tha kryetari demokrat në fjalën e tij.

Berisha denoncoi atë që ai e quajti censurë të mediave nga Edi Rama. Sipas tij, mediat nuk transmetuan intervistën dhe denoncimet e bëra nga Arben Ahmetaj.

Kryetari demokrat theksoi se protesta nuk është një miting elektoral, megjithatë, sipas tij, programi i PD-së ka shqetësuar kryeministrin Rama.

Më parë, në protestë folën edhe aleatët e PD-së. Fatmir Mediu, Agron Duka dhe Ilir Meta, ky i fundit përmes një mesazhi nga burgu, iu drejtuan demokratëve të pranishëm në shesh.

Pas përfundimit të mitingut, Berisha, së bashku me Flamur Nokën dhe Agron Gjekmarkajn, ka udhëtuar drejt Italisë për takime me shqiptarët që jetojnë atje.

Gjatë protestës janë hedhur lëndë piroteknike, të cilat kanë shkaktuar lëndime të lehta te tre efektivë të policisë.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull