Një sasi lënde plasëse iu vendos zyrës noteriale të noterit Fran Gjoni në Lezhë në orët e para të mëngjesit të së mërkurës.
Nga shpërthimi janë shkaktuar dëme materiale, ndërsa referuar pamjeve të kamerave të sigurisë kanë qenë dy persona te cilët kanë vendosur lëndën plasëse dhe janë larguar.
Sipas burimeve të ‘abc news’ në deklaratën e parë që ka dhënë noteri, ka pohuar se nuk ka konflikte me njeri.
“Ka deklaruar se nuk ka asnjë konflikt me individë të tjerë. Nuk ka pasur indicie të personave që mund t’i kenë shfaqur ndonjë problematikë në lidhje me profesionin e tij apo aktet noteriale që mund të ketë kryer”, raportoi gazetari Gjergj Figuri në lidhje me deklaratën e parë të Fran Gjonit.
Fran Gjoni është vëllai i ish gjyqtarit Gjin Gjoni, i cili prej një viti është bërë pjesë e politikës si kryetar i Partisë Demokratike në Lezhë dhe kandidat për primare për të qenë deputet.