100 vjet më parë në një shpellë të Dragobisë u vra tribuni Bajram Curri

3 Minuta Lexim

Nga Arber Zaimi-


I lindur 1862 në Krushë të Madhe, ku familja e tij gjendej e internuar, duke u dërguar nga Gjakova për në burgun e Prizrenit. E nisi karrierën si kapiten i policisë osmane në Prizren, e vazhdoi në Prishtinë e më pas me gradën e allajbeut (kolonelit) në Shkup, si komandant i policisë të gjithë Vilajetit të Kosovës.

I pandalshëm në organizimin popullor për liri, prej 1893 veproi bashkë me Haxhi Zekën dhe në 1899 ishte bashkëthemelues i Lidhjes së Pejës. Në 1906 themeloi në Gjakovë degën e Komitetit Sekret për Lirinë e Shqipërisë (themeluar në Manastir në 1905 nga Bajo Topulli). Në 1908 ishte nga drejtuesit e Mbledhjes së Ferizajit ku u kërkua kufizimi kushtetues i fuqive perandorake. Po prej atij viti nënkryetar i Shoqërisë Bashkimi në Shkup, dhe iniciator për hapjen e disa shkollave shqip me misionin e shenjtë të Kongresit të Manastirit. Shumë mendje të ndritura u shkolluan në perëndim falë bursave që ai i paguante. Në 1911 u angazhua në ndihmën e Kryengritjes së Malësorëve, duke luftuar me osmanët në Qafë Morinë. Në 1912 u bashkua në mbledhjen e Junikut dhe u rreshtua me prijësit e kryengritjes shqiptare për pavarësi. Bashkë me Hasan Prishtinën, Idriz Seferin etj. mori Kosovën dhe Shkupin. Meqenëse më pas këto troje u pushtuan nga Serbia dhe iu lanë asaj nga Konferenca e Londrës, Bajram Curri menjëherë nisi organizimin e rezistencës kundër pushtuesit të ri. Qysh në 1913 nisi betejat kundër serbo-malazezëve që nuk i ndërpreu kurrë. Në 1914 u angazhua kundër haxhiqamilizmit në Shqipëri të Mesme, në Luftën e Parë Botërore bashkëpunoi me austrohungarezët me shpresë në çlirim prej Serbisë. Në 1918 u bë anëtar i kryesisë së Komitetit për Mbrojtjen e Kosovës, në 1920 pjesëmarrës i Kongresit të Lushnjes ku u nxor akti i parë kushtetues i Shqipërisë së Pavarur. Bashkëluftëtar dhe bashkëpunëtor me Hasan Prishtinën, Fan Nolin, Luigj Gurakuqin, Idriz Seferin, Elez Isuf Ndreun, Avni Rustemin e shumë të tjerë.

Në shumë familje ende kujtohen me respekt stërgjyshërit që luftuan bashkë me Bajram Begun.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull