Zyra e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas publikimit të një telefonate prank nga dy komedianë rusë, të cilët e kanë telefonuar Kurtin duke pretenduar se ai po fliste me presidentin e Letonisë, Edgar Rinkevics.
Në deklaratë thuhet se rrengu i komedianëve rus ka ndodhur me 11 shkurt pak ditë pas zgjedhjeve dhe zyra e kryeministrit pranon autenticitetin e plotë të telefonatës dhe shpjegon se, për shkak të fluksit të komunikimeve pas zgjedhjeve telefonata nuk ishte verifikuar menjëherë, dhe Kurti ka folur me komedianët sikur po fliste me presidentin e Letonisë.
Deklaratë e plotë e Zyrës së Kryeministrit
“Ngjarja ka ndodhur më 11 shkurt, pak pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, në një periudhë kur kryeministri Kurti po pranonte mesazhe të shumta urimi dhe thirrje për rezultatin e zgjedhjeve.
Për shkak të kohës, jo gjithmonë ishte e mundur të kryheshin verifikimet e plota të çdo telefonate.
Ky incident fatkeq përforcon atë që kemi e ditur prej kohësh: Rusia është e fiksuar pas Kosovës dhe vazhdon ta ketë cak vendin tonë.
Gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, Sputnik Serbia dhe Russia Today (RT) publikuan mbi 60 lajme të rreme dhe artikuj dezinformues, duke ndërhyrë në procesin tonë demokratik, siç dokumentohet nga Misioni i BE-së për Vëzhgimin e Zgjedhjeve.
Teksa na vjen keq që kryeministri Albin Kurti u bë shënjestër e një thirrje të tillë, ky episod rikonfirmon qëndrimet parimore dhe konsistente të kryeministrit Kurti për çështjet kyçe, si në biseda publike ashtu edhe në ato private”, thuhet në reagimin e zyrës së kryeministrit të Kosovës.