Nga Sebastian Zonja-
Më poshtë kemi sjellë hartën e rendeve politike të Evropës në vitin 1789, në prag të Revolucionit Francez. Ngjyra e kuqe përfaqëson monarkitë, ndërsa pjesa tjetër janë republika dhe territore kishtare teokraike. Prej mijëra vjetësh jemi mësuar me monarkë – njëri vulos e firmos si do. Në fillim na tha se pushteti i erdhi si bekim nga Perëndia, pastaj e konsolidoi me trashëgimi, taksa dhe ushtri. Është interesante të shohim sa thjeshtë e justifikojmë cezarizmin përballë demokracisë. Për të marrë një përgjigje të mirë do na duheshin studime në psikologjinë e masave, evolucionin e njeriut dhe strukturave institucionale. Solla këtë fotografi për të folur pak për dinamikat që vazhdojnë të formësojnë betejën tonë moderne mes demokracisë dhe autokracisë.
Që në krye të herës, kur në Kinën e largët u shfaqën strukturat e para shtetërore, shoqëritë njerëzore u ndërtuan mbi udhëheqjen hierarkike. Mund të themi se ky është tipar i rrënjosur thellë në të kaluarën tonë. Në fillim ishin krerët e fisit, pastaj erdhën mbretërit, pastaj u centralizua pushteti në një juntë apo diktator. Të gjitha me një lajtmotiv – cili prej këtyre udhëheqësve ofron më shumë rend dhe stabilitet?
Pak a shumë, tërheqja e pavetëdijshme ndaj monarkisë buron prej disa tendencave psikologjike që kanë të bëjnë me prirjen që ta thjeshtojmë realitetin kompleks duke e lidhur qeverisjen me një figurë të vetme. Një mbret ose mbretëreshë është simbol i prekshëm i shtetit. Ndëkrohë, demokracia, me problemet që shfaq, çon drejt humbjes së lidhjes emocionale me entitetin shtetëror. Nëse do shohim fushatat zgjedhore, janë të shumtë politikanët nëpër sistemet demokratike që përpiqen të krijojnë imazh të fortë, duke imituar autoritetin monarkik.
Në aspektin e trashëgimisë, monarkitë ofrojnë vijimësi, duke ulur pasiguritë për qeverisjen e vendit. Ndaj vëmë re shprehjen “ishim mirë kur ishim keq”, në periudhat më të errëta të diktaturave, sepse duket sikur, së brendshmi, shumë njerëz preferojnë një realitet që e njohin me të mirat dhe këqijat që ka, se trazirat që mund të sjellë demokracia, e panjohura.
Nën këtë qasje mund të shpjegojmë pse disa shoqëri zgjedhin me vetëdije të sakrifikojnë liritë demokratike përballë sundimit të centralizuar. Vëmë re se shumë kultura e kanë të brendësuar idenë se historinë e kanë bërë individë të fuqishëm dhe vizionarë, përballë vullneteve kolektive si Revolucioni Francez apo ai Amerikan. Monarkitë e trupëzojnë këtë besim, idealet demokratike jo. Demokracitë janë rendet politike më të bukura por, njëkohësisht, më të brishtat. Ato kërkojnë angazhim aktiv qytetar. Vështirë të kihet ky angazhim për një kohë të gjatë nëse arsimi, mirëqenia dhe siguria çalojnë. Monarkitë, në krahun tjetër, punojnë vaj pa kërkuar pjesëmarrje masive.
Po të shohim Kinën apo Rusinë, na krijohet bindja sikur ato janë regjime efektive, sepse merren vendime dhe zbatohen, po ashtu ndjekin politika afatgjata. Ndër defektet e demokracive është cënueshmëria që kanë ndaj vendimmarrjeve në afatshkurtër – liderët nuk shohin më larg se mandati i tyre.
Vende si Kina kanë ruajtur rritje ekonomike të lartë nën autokraci. Por historia ka treguar se demokracitë, pavarësisht sfidave të brendshme, kanë tendencë të jenë më elastike në planin afatgjatë. Shumë njerëz argumentojnë se regjimet autoritare i marrin shpejt vendimet, ndryshe nga burokracitë e ngadalata nëpër demokraci. Megjithatë, ne dimë se pa mekanizma kontrolli dhe balanca, autokracitë degjenerojnë në korrupsion masiv dhe mungesë inovacioni. Për shembull, ish-Bashkimi Sovjetik, pavarësisht rritjes fillestare që e pati të shpejtë, u shemb në vete prej strukturës institucionalo-ekonomike që krijoi—ngjashëm me shumë monarki përgjatë historisë.
Sot, për shkak të problemeve të ndryshme gjopolitike, kërkesa për stabilitet, udhëheqje të fortë dhe frika nga rrëmujat nëpër rajone të ndryshme po i shtyn njerëzit drejt figurave autoritare. Harta që kemi paraqitur më poshtë nuk është veç relike historike, por pasqyron qasje psikologjike dhe institucionale që vijojnë të ndikojnë rendin politik nëpër botë. Mbijetesa e demokracive në këto kohë të turbullta nuk është e garantuar.