Shefi i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka paralajmëruar Rusinë me kundërpërgjigje “shkatërruese”, në rast se ajo sulmon Poloninë apo ndonjë shtet tjetër anëtar të aleancës.
Rutte ka folur gjatë vizitës së tij në kryeqytetin e Polonisë, Varshavë, gjatë një vizite zyrtare aty. Kryeministri i Polonisë, Donald Tusk, ka thënë se është me rëndësi të bëhet përgatitje për çdo rezultat të mundshëm nga bisedimet mes Rusisë dhe SHBA-së të cilat janë të përqendruara për t’i dhënë fund luftës trevjeçare në Ukrainë.
32 shtetet anëtare të NATO-s, sidomos ato të krahut lindor, kanë shprehur shqetësime se bisedimet mund të përfundojnë me marrëveshje që i shkon përshtat Rusisë. Ato frikësohen gjithashtu se rezultati do t’i lejojë presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, që të rikuperojë forcat dhe të kërcënojë shtetet tjera në rajon në vitet e ardhshme.