Në “Qytetin e kulturës” zbatohet diktatura: ndalohet shfaqja teatrale!

6 Minuta Lexim
Nga Fahri Musliu-

Dje, më 6 mars, e lexova në portalin Koha.net shkrimin mbi vendimin për ndalimin e shfaqjes teatrale “Të gjashtët kundër Turqisë”, në Prizren, të autorit të mirënjohur, Jeton Neziraj, pjesë kjo e cila është në repertorin e rregullit të Teatrit Kombëtar në Prishtinë, është shfaqur në disa qytete të Kosovës dhe në shumë skena evropiane me kritika pozitive, dhe ky shkrim më la pa tekst.

Fjala është për ndalimin e dytë të shfaqjes në fjalë (e para në dhjetor 2024), kësaj radhe me vendim dhe urdhër direkt të kryetarit të Komunës së Prizrenit, Shaqit Totaj, e me trysni dhe kërkesën e prerë të Ambasadës dhe Konsullatës së Turqisë në Kosovë. Me çfarë të drejte ndërhyjnë me kërkesë ultimative përfaqësuesit diplomatik të Turqisë mike dhe prej kur duhet zbatuar qëndrimet e diplomatëve të huaj për ngjarjet kulturore?. Më e keqja e kësaj “ngjarje” është “ultimatumi” është bërë me kërkesë të drejtuesve të një subjekti politik të komunitetit turk në Prizren, të cilët i referohen titullit të shfaqjes (ku gjoja fyhet pushteti i Turqisë) por nuk besoj se e dinë përmbajtjen. Mirëpo a mundet një subjekt i tillë politik i një komuniteti jo-shumicë të vendos për një ndalesë të tillë, çfarë funksioni ka dhe kundër dëshirës së popullatës shumicë?

Nuk mund të vija në vete se çfarë po lexoj, dhe kjo po ndodh në qytetin tim me urdhër të kryetarit të Komunës, në rolin e censorit politik, të cilin vendim drejtorit të Teatrit të Qytetit, si organizatorit të shfaqjes, ia ka kumtuar drejtori i Kulturës, Adem Morina si bashkë-censor, edhe pse obligimi i tij është që t’i mbrojë vlerat kulturore dhe të kundërshtoj vendime të tilla. Por ky vendim flet për të dy këta zyrtar sa e njohin rëndësinë e kulturës e veçmas rolin e teatrit, ndonëse kryetari është adhurues e aktivist i madh i artit muzikor.

Me çfarë të drejtë e bënë këtë kryetari kur nuk ka as kompetencë. Të ndalosh një shfaqje teatrale në sistemin demokratik është krim sikur ta vrasësh njeriun e pafajshëm. Ndalesa të tilla ndodhin në shtetet diktatoriale si Koreja Veriore, Bjello Rusia apo ato teokratike si Irani a Arabia Saudite, por jo në ndonjë shtet demokratik evropian, e veçmas jo në Kosovës e cila nga pushtetarët po konsiderohet si “demokraci më e avancuar në rajon”, e nuk ka ndodhur as në kohën e monizmit komunist?
Kah po shkon Kosova e veçmas Prizreni që po quhet “Qytet i kulturës”. A duhet të heshtet ky vendim i kryetarit për t’ia bërë qejfin diplomacisë së një shtet tjetër. Prandaj kryetari për këtë vendim duhet të jap përgjegjësi, madje tu kërkojë falje qytetarëve dhe si akt moral të ofroj dorëheqje. Sepse, nëse sot ndalohet një shfaqje teatrale që e kritikon një rast shumë tragjik për shtetin e Kosovës, atëherë çka mund të presim nesër në qoftë se ndonjë diplomat i huaj i kërkon kryetarit të ndërmarr ndonjë masë tjetër më radikale.
Shfaqjet teatrale i nënshtrohen kritikës profesionale e të publikut, e jo kritikës apo tekeve të politikës a të pushteteve. Teatri ç’ prej se ekziston e ka funksionin e kritikës së dukurive negative në shoqëri dhe misionin, jo për ta ndryshuar politikën por për të ndikuar në ndryshimin e saj, dhe për t’i vetëdijesuar qytetarët që të mos pajtohen, ti kundërshtojnë dhe luftojnë dukuritë negative në shoqëri dhe shtet. Kështu ka ndodhur që nga fillet e shfaqjeve të para teatrale, tragjedive dhe komedive të antikës greke e romake, prej shekullit 5 p.e.r.

Kujtoj se Trupa e Teatrit të Prizrenit, si organizatore e shfaqjes, në shenjë proteste kundër censurës, duhet të hidhet në grevë, kurse OJQ e kulturës që nuk janë të pakta në kuadër të rrjetit të tyre RROK, dashamirët e teatrit, aktivistët e shoqërisë civilë, qytetarë akademik, studentë, drejtues të partive politike dhe qytetarët duhet të protestojnë në Sheshin e Shatërvanit dhe para “Shtëpisë së Bardhë”. Me këtë duhet t’ia kujtojnë kryetarit dhe të dëshmojnë se Prizreni është qytet i kulturës ku edhe janë bërë hapat e parë në aktrim në Kosovë.
Sepse kur njëherë i hapet dera të keqes, ajo nuk ka të ndalur.
Heshtja nënkupton pajtim me të keqen. Pra, Heshtja VRET!

Shpresoj se pushteti aktual nuk do të më hakmerret edhe për shkak të këtij teksti kritik, siç ka vepruar gjatë tre viteve të shkuara për subvencionimin e projekteve kulturore ,veçmas që kanë të bëjnë me jetën dhe veprën e aktorit më të madh shqiptar të filmit, me f amë botërore, Bekim Fehmiut, por edhe për vepra tjera.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull