Nga Enver Robelli-
Sot është përvjetori i fillimit të bombardimeve të NATO-s kundër forcave serbe me qëllim të dhënies fund të krimeve masive të luftës ndaj popullit shqiptar të Kosovës. Më shumë se një çerekshekull pas kësaj ndërhyrjeje, në Serbi ende nuk ekziston gatishmëria për të pranuar faktet historike. Por edhe në botën perëndimore ka grupe politike që po tentojnë të shtrembërojnë historinë.
E majta ekstreme thotë se Se rbia u bombardua pa miratim të Këshillit të Sigurimit. E vërteta: Serbia u bombardua për shkak të krimeve masive të luftës në Kosovë dhe përkundër bllokadës së Këshillit të Sigurimit nga Rusia. E djathta ekstreme, e cila po forcohet gjithandej në Perëndim, thotë se NATO ka bombarduar të krishterët të cilët po luftonin myslimanët. Një manipulim i tmerrshëm i historisë! Konflikti i Kosovës nuk ishte fetar, por rezistencë e një populli të shtypur në Europë kundër një shteti (Serbisë) që brenda një dekade sulmoi 4 popuj (sllovenët, kroatët, boshnjakët dhe shqiptarët e Kosovës).
Shumë fakte mbi historinë e re të Kosovës me dekada janë heshtur. Një libër me vlerë dhe në tri gjuhë (shqip, serbisht dhe anglisht) mbi arsyet e luftës së Kosovës e ka shkruar Shkëlzen Gashi. Është libri i parë i një autori kosovar që ka zgjuar vëmendjen e opinionit dhe mediave perëndimore. Duke e porositur, lexuesit dhe lexueset e ndihmojnë projektin e autorit për të digjitalizuar krejt të dhënat e këtij libri prej gati 1000 faqesh. Sa për informim: autori ka hequr dorë nga honorari përkundër punës rreth 5-vjeçare.