Për ca jugosllavë të mbetur në Prishtinë

8 Minuta Lexim

Janë ca jugosllavë të mbetur në Prishtinë. Kanë qenë më shumë. Tani janë më pak, shumë më pak.

Por, prapë aty janë. Në Prishtinë. Shpesh vijnë edhe në Tiranë. Se gjejnë edhe në Tiranë ndonjë si vetja e tyre.

Ishin kundër luftës çlirimtare të UÇK-së. Kanë qenë edhe kundër pavarësisë së Kosovës. Se kundër gjuhës shqipe si gjuhë e nënës dhe gjuhë zyrtare në Kosovë e kundër flamurit kombëtar kuq e zi, kanë qenë edhe më herët se të ishin kundër UÇK-së dhe luftës së saj për çlirimin e Kosovës.

Njihen. Njihen e dallohen. Përveçohen prej të gjithëve.

Janë të ngjashëm me serbët. Ose më saktë, janë si serbët. Vetëm se për dallim prej serbëve, flasin edhe shqip. Flasin shqip, edhe pse mendojnë serbisht.

Nuk kanë marre. As fytyrë nuk kanë. As skuqen e as zverdhen. Enden rrugëve të Prishtinës. Edhe kur shfaqen ekraneve të televizioneve a kur e venë surratin nëper portale, ata janë të njejtët; janë jugosllavët e mbetur në Prishtinë.

Tregohen me gisht. Njësoj siç tregohet e keqja. Për ta ditur se ku është e prej nga vjen. Për ta shquar e për të mos e lënë të avitet.

Shfaqen herahershëm. Më shumë kur i cytin me u shfaq. Por, edhe kur nuk i cytin cytësit në Beograd,  prapë ata shfaqen.

Siç u shfaqën dhe iu sulën kohëve të fundit Etnikut tonë. Se në Serbinë, ku këta jugosllavët e mbetur në Prishtinë gjejnë Jugosllavinë që ju mungon, dikush i mban dhe i cyt të bëjnë pikërisht atë që këta bëjnë.

Morën gurët e urët e zjarrit dhe u ndërsyen për të vrarë djalin prej Malisheve, Etnik Brruti.

E quajtën tradhëtar.

Sepse, njësoj siç mund të zgjidhte të luante me ekipin përfaqësues të futbollit të Kosovës, zgjodhi të luajë për ekipin kombëtar të Shqipërisë.

Zgjodhi fanellën Kuq e Zi dhe flamurin kombëtar, në ngjyrat e të cilit është po aq sa Shqipëria edhe Kosova. Siç kanë qenë që prej “kur s’kish kufi, as fqinjëri, as shkja të zi”.

Etniku qëlloi të jetë nga Malisheva. Por, mund të ishte njësoj dhe i njejti shqiptar edhe nga Shkodra, nga Malësia e Gjakovës këndej e andej, prej Kaçanikut a prej Labërie, prej Konispolit të Çamërisë po aq sa prej Luginës së Preshevës, Tetovës, Dibrës së Madhe e të Vogël, Komanovës, Hotit e Grudës, Ulqinit e Tiranës.

Sepse ne “jem’ nji komb, m’u da s’duron”.

Ata, jugosllavët e mbetur në Prishtinë, nisën të gogësijnë. Vollën dhe pëgërën kutërbueshëm.

E quajtën tradhëtar Etnik Brrutin, ata që tradhëti e kanë gjithë jetën dhe qenien e tyre.

Por, ligësia, helmi, urrejtja dhe e keqja e tradhëtia e tyre nuk është kundër Etnikut. Ata, jugosllavët e mbetur në Prishtinë, vetëm sa e përdorën Etnikun.

E përdorën për të na thënë se janë aty. Në tokën tjetër. Se për ata, jugosllavët e mbetur në Prishtinë, Kosova është toka tjetër.

E përdorën zgjedhjen e zemrës së Etnik Brrutit, për të na thënë se ata janë aty. Në kombin tjetër. Se për ata, jugosllavët e mbetur në Prishtinë, Kosova është kombi tjetër.

Kombi kosovar. Gjuha kosovare. Identiteti kosovar.

Po, është e vërtetë se përveç Shqipërisë, në Ballkan e ngjitur me të, ekziston edhe një shtet tjetër i shqiptarëve, Kosova.

Por, Kosovën e bënë shtet shqiptarët, gjaku i tyre, rezistenca, lufta e shqiptarëve. Jugosllavët e mbetur në Prishtinë ishin kundër. Dhe janë kundër edhe sot. Kundër Kosovës dhe kundër Shqipërisë.

Të dy shtetet, Shqipëria dhe Kosova flasin të njejtën gjuhë, gjuhën shqipe. Ndër më të lashtat e gjuhëve të Botës ku jetojmë.

Ajo është shenja e parë e identitetit tonë kombëtar. Është edhe elementi i parë përbashkues e që na bën të dallueshëm prej të tjerëve rretherrotull nesh.

Në të dy shtetet jeton i njejti popull, populli shqiptar. Dhe të dy shtetet, Shqipëria dhe Kosova janë i njejti komb, kombi shqiptar.

Pra nuk jemi dy, por jemi një popull. Nuk jemi dy, por jemi një komb. Nuk flasim dy, por flasim një gjuhë. Nuk kemi dy, por kemi një histori. Kemi një kulturë. Kemi të njejtat legjenda, të njejtat përralla. Kemi doke e tradita përbashkuese ndër ne shqiptarët, e përveçuese prej të tjerëve përreth nesh. Prej grekëve, serbëve e bullgarëve.

Shteti kosovar, gjuha kosovare, identiteti kosovar janë pjellë e hershme e serbo-jugosllavëve. Anipse zëdhënësit më të zellshëm të kësaj teze kohëve të fundit janë bërë ata, jugosllavët e mbetur në Prishtinë, ajo përfundimisht është një teori e vdekur.  Është një ëndërr e vdekur. Dhe e varrosur përgjithmonë ditën kur luftëtarët e UÇK-së u betuan që nën flamurin kuq e zi dhe me luftën e tyre do ta bënin Kosovën të lirë. Siç e bënë me një luftë-epope, të pashembullt për kohët e Europës moderne.

Edhe ata, jugosllavët e mbetur në Prishtinë, nuk kanë për të patur tjetër fund, përpos fundit që kanë patur ata, jugosllavët e Kosovës para këtyre jugosllavëve që kanë mbetur ende në Prishtinë.

Kur Indrit Cara i Kavajës dhe si ai, qindra shqiptarë Shqipërie e bashkuan gjakun e tyre me gjakun e sivëllezërve të gjuhës dhe të gjakut, me shqiptarët të Kosovës në luftë për çlirimin e saj, askush nuk e ka çuar nëpër mend se ata, jugosllavët e mbetur në Prishtinë, do ta quanin Etnik Brrutin e Malishevës tradhëtar, vetëm e vetëm sepse në vend të ekipit të futbollit përfaqësues të shtetit të Kosovës, zgjodhi të luajë për ekipin kombëtar të futbollit shqiptar.

Afërmendsh, për jugosllavët e mbetur ende në Prishtinë, edhe Indrit Cara është tradhëtar.

Tradhëtar, është edhe Isa Boletini, për jugosllavët e mbetur në Prishtinë.

Sepse, ai shkoi e iu bë krah Ismail Qemalit, për të ngritur flamurin e pavarësisë në Vlorë.

Gjithë çfarë na u rishfaq ndyrësisht me sulmet dhe akuzat e jugosllavëve të mbetur në Prishtinë, për “tradhëtinë” e shqiptarit me emrin aq domethënës Etnik, vetëm e vetëm se djaloshi prej Malisheve zgjodhi t’i bashkohej Shqipërisë, është ana tjetër e asaj që serbët bënë pak kohë më parë në Banjskë me aktin e dështuar terrorist, ku ra hero Afrim Bunjaku.

Afrim Bunjakun nuk e vranë vetëm terroristët serbë. Bashkë me ata ishin edhe jugosllavët e mbetur në Prishtinë.

Jugosllavët e mbetur në Prishtinë, ishin bashkë me serbët edhe në masakrën e Raçakut. Edhe kur e vranë Adem Jasharin me 58 pjestarët e familjes së tij në tokën e shtëpinë e tyre, ata bashkë ishin.

Ashtu si liria, edhe ligësia ka emër.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull