Kryeministri Edi Rama në Shkodër, krah ministrit të shtetit për Pushtetin Vendor Arbjan Maznikut dhe Blendi Gonxhes ministër i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit po prezantojnë ‘Paketën e Maleve”.
Rama thotë se paketa realizon ëndrrën për tu kthyer tek toka e të parëve, për të investuar aty kursimet, ose fondet e marra me kredi.
“Kemi vënë në dispozicion një linjë të re tërësisht financimi nga Banka e Shqipërisë, 250 milionë euro në bankat e nivelit të dytë, me garanci 70 % të kolateralit nga shteti që mund ta përdorin për agroturizëm, agropërpunim, çfarëdoqoftë që ka të bëjë me investime në territore malore apo gjysmëmalore të Shqipërisë.“
Rama shtoi se 500 aplikantët e parë, në momentin që do të hapet thirrja, do të jenë 10 vjet pa asnjë lloj detyrimi shtetit, përvec sigurimeve shëndetësore dhe shoqërore për punonjësit e tyre.
“500 aplikantët e parë, në momentin që do të hapet thirrja, do të jenë 10 vjet pa asnjë lloj detyrimi shtetit, përvec sigurimeve shëndetësore dhe shoqërore për punonjësit e tyre. Një incentivë që nuk e ka asnjë vend.
Besoj se ia vlen dhe në momentin që kemi 500 të parët, dhe fillimi i realizimit të tyre, të tjerët vijojnë normalisht me të njëjtën metodë, por do të kenë barrën fiskale me TVSH 6% dhe taksa të ulëta.
Kini parasysh që në vitin e kaluar ka patur 5.5 mln vizitorë në parqet kombëtare, një shifër e jashtëzakonshme. Tanimë i kemi të matshëm dhe do të thotë që 5.5 mln janë potencialisht klientë të një rrjeti agroturizmi që gjendet në atë vend.
Ajo që është akoma më interesante është që 1.3 milionë janë në qarkun e Shkodrës në zonat e mbrojtura të qarkut të Shkodrës. Rritja në krahasim me 2023, është goxha e madhe, ndërkohë që rritja në krahasim me 2022 është eksponenciale. Pra, Shkodra është hapur. Do të jetë bekim për Shkodrën por edhe ata që do marrim përsipër këtë dhe që të mos rrinë andej jashtë që të punojnë për të tjerët.
Nëse sot agroturizmat janë një ofertë më e lirë me hyrjen në BE, do jenë një ofertë luksi, sic janë në gjithë ato zona të Italisë, Francës apo Gjermanisë, ku është e vëshirë të gjesh zgjidhje. Duke zhvilluar këtë lloj ekonomie, do të hapet rruga për të zhvilluar produkte eksporti bio. Në disa pika tani prodhimet e vajit të ullirit, kanë filluar t’i shesin jashtë si prodhime speciale, jo si prodhime në masë.
Kur kemi nisur këtë përpjekje kishim 1 apo 2 agroturizma, sot kemi afro 250 të tillë. Një pjesë janë mbështetur nga AZHBR, një pjesë janë bërë vetë, ne do vijojmë të mbështesim. Kredia për të zhvilluar ndërmarrje të vogël dhe të mesme ku fusim këto agroturizma është nën 3 % me kolateral të mbuluar 70 % nga shteti. Më në fund do të kemi bankën tonë të zhvillimit. Sigurisht, paketa e maleve ka nevojë për promovim, bashkitë dhe qeveria të tejkalojë gjithë procesin e bërjes gati të gjithë territoreve ku do bëhet fakt kjo paketë.” tha Rama.