SERBIA 2025 DHE SHQIPËRIA 1997

6 Minuta Lexim
Nga Agim Morina-
Protestat studentore në Serbi me parullën “Me 15 për 15” tregojnë se në Serbi shoqëria serbe ka një zë kritik, ka një lëvizje që qorton dhe kërkon përgjegjësi nga qeveria dhe politikanët. Natyrisht, bëhet fjalë për një Serbi klerofashiste, që shkaktoi një varg luftash në Jugosllavi dhe vazhdon me këtë politikë të këtillë. Sidoqoftë, këto protesta studentore të këtyre kohëve mua më kujtuan vitin 1997 në Shqipëri.
Protestat në Serbi nisën për shkak të mbytjes së 15 qytetarëve në një stacion treni që ishte në ndërtim e sipër. Pra, 15 qytetarë. Në trazirat e vitit 1997 në Shqipëri as sot e kësaj dite nuk dihet se sa qytetarë u vranë, por mendohet se numri sillet rreth 3500 shqiptarë të vrarë. Edhe një herë me shkrim: tre mijë e pesëqind shqiptarë të vrarë. Ata nuk u vranë për t’u mbrojtë nga sulmi ushtarak i Greqisë, i Serbisë apo i ndonjë shteti tjetër. Nuk u vranë as ngaqë urrenin njëri-tjetrin. Ata ishin viktima të politikanëve kriminelë që, për t’u pasuru vetë dhe rrethi i bythëlëpirësve të tyre, e futën Shqipërinë në një gjendje anarkie e prag lufte qytetare. As sot e kësaj dite nuk ka një monument përkujtimi për vitimat; nuk flet askush në përvjetorët e masakrave dhe të rrënimit të shtetit shqiptar. Nuk flet askush sepse shumica e politikanëve të njëjtë janë ende jo vetëm të gjallë, por edhe aktivë në politikë. Kjo tregon qartë që rrënimi i shtetit shqiptar ishte një vepër e forcave antishqiptare për ta dobësu sa më shumë ndikimin e faktorit shqiptar para luftës që pritej të ndodhte për çlirimin e Kosovës.
Tashti, për 15 serbë të mbytur në një pakujdesi në kantier ndërtimi gjithë Serbia u ngrit në këmbë për të kërku përgjegjësi nga politikanët, sepse me këtë u kuptu që gjithë sistemi i shtetit serb është kalbë nga një burokraci mafioze. Mafioze deri aty sa për të përfitu sa më shumë vret njerëz të pafajshëm. Por mbi 3500 shqiptarët e vrarë as nuk i përkujton kush, as nuk u kërkon kush përgjegjësi prej kujto qoftë.
Asnjë politikan që ka qenë aktiv deri në vitin 1997 nuk do të duhej të lejohej të merrte pjesë në jetën politike të shtetit shqiptar, qoftë me faj, qoftë pa faj. Në një rrënim të tillë të shtetit nuk mund të ketë asnjë politikan që të mos ketë pasur përgjegjësi, qoftë ligjore, qoftë morale. Por, në Shqipëri, për fat të keq, mund të vrasësh me mija njerëz dhe askush nuk merret në përgjegjësi. Për të qenë ironia më e madhe, po ata politikanë që shkaktuan rrënimin e shtetit dhe vrasjen e mbi 3500 shqiptarëve, po ata shpallën amnistinë për të gjithë. Vazhdoi ajo parulla e viteve nëntëdhjetë për krimet e komunizmit: “Të gjithë jemi bashkëvuajtës, të gjithë jemi bashkëfajtorë”. Por, këtu kjo nuk ka kuptim të thuhej se të gjithë ishim vrasës dhe viktima, sepse vrasësit edhe sot merren me politikë, ndërsa viktimat janë dy metra nën dhe.
Për të qenë edhe më keq se kaq, sa kaloi një dekadë, ndodhi vrasja tjetër e 26 viktimave të pafajshme në Shpërthimin e Gërdecit me 18 prill 2008. Prapë, gishtat e politikanëve ishin ngatërru thellë në këtë krim. As kjo nuk u la asnjë shenjë bagëtisë së shqiptarëve që po viktimizohen si delet nga një lukuni e politikanëve ujq gjakpirës. Kjo mpakje, kjo trullosje, kjo ngathtësi për fatin e atdheut është, besoj, shembull unik në botë.
Natyrisht, pafuqia kryesore pse Shqipëria është e rraskapitur, e çorientuar dhe e kapur nga politikanë kriminelë është investimi jashtëzakonisht i madh nga vendet fqinje që kurrë nuk ia kanë dashë, as nuk ia dojnë as sot të mirën Shqipërisë e shqiptarëve. Mënyra se si po veprojnë këto shtete kriminale antishqiptare është që ato investojnë në individë të caktuar, i bëjnë ata me ndikim, krijojnë me ta një rreth njerëzish bythëlëpirës besnikë dhe luftojnë me efikasitet çdo atdhetar të mirëfilltë shqiptar. Sado paradoksale që të duket, Shqipëria sot është shtet i pushtuar, shtet që punon kundër vetes, por jo me një pushtim klasik qysh e dijmë nga historia, por me një pushtim të brendshëm. Sepse nuk ka si të kuptohet ndryshe veprimi i politikanëve që më shumë punojnë në dobi të armiqve të Shqipërisë, sesa për të mirën e Shqipërisë.
Nga e gjithë kjo, nuk mund të mos shtrohet një pyetje e thjeshtë: ku është rinia shqiptare, ku janë studentët shqiptarë? Si është e mundur të durojnë që një elitë politikanësh matufë e kriminelë t’i qeverisin? Si është e mundur që nuk arrijnë as të mblidhen në përvjetorë të krimeve dhe të përkujtojnë viktimat? E them me dhembje e me dëshpërim të thellë: Rini shqiptare, studentë shqiptarë mësoni nga rinia dhe studentët serbë! Shqipëria nuk është pronë e politikanëve horra e kriminelë, është Atdheu juaj, gjëja më e shtrenjtë që e keni.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull