Strategjia për t’ju përmbajtur parimeve të drejtësisë dhe barazisë ndërkombëtare

6 Minuta Lexim

 

Nga Aleksandër Çipa

Shembja e rendit ndërkombëtar  aktualisht është një realitet vijues, i cili në rrafshin gjeopolitik sjell kapituj të rinj balancash dhe forcash.

Raportet e deritanishme gjeopolitike e kanë humbur qëndrueshmërinë dhe tashmë, strategjistët parashikues në qendrat e mëdha globale, janë të munguar. Prishja e këtyre balancave dhe tendencat hegjemoniste të aktorëve kryesorë ndërkombëtarë, shtojnë premisat agravuese. Synimi i mëhershëm diplomatik i Kinës zyrtare për nevojën e njohjes së realitetit të multilateralizmit global,  është tashmë i mishëruar praktikisht në rrjedhën e zhvillimeve të hovshme dhe të befasishme në skenën botërore.

Në disa qendra globale janë hapur kapituj të rinj përplasjesh dhe antagonizmash, ndërkohë që në  organizma dhe struktura ndërkombëtare po krijon pasoja procesi destrukturues dhe tërheqës që shpallin vende dhe udhëheqës të rinj  të vendeve të Perëndimit.

Kriza aktuale në marrëdhëniet ndërkombëtare po sjell pasoja në funksionimin e OKB, në Organizatën Botërore të Shëndetësisë si dhe në organizma të tjera ku lypet përfshirja dhe anëtarësimi i barabartë. Madje kriza evidente është edhe brendnja një blloku aq me ndikim që përcaktoi për disa dekada rresht raportet ndërkontinentale mes SHBA-Europë në aspektin mbrojtës, sikundër është NATO.

Në këto kushte, afishimi politik i Republikës Popullore të Kinës për politikë të jashtme të pavarura e paqësore si dhe për rrugë të zhvillimit paqësor është qasja dhe narrativa konstruktive për aktorët gjeopolitikë dhe sidomos ata rajonalë. Në thelbin e vet ky afishim synon  vendosmëritë për përfitime të ndërsjella, por njëherësh  mund të konsiderohet pista e ecurisë së raporteve shumëforcëshe në këto sfera.. 

Në planin zyrtar, qeveria kineze, përmes kreut të qeverisë Li Qiang, këtë strategji e mishëron edhe në raportin e punës, në të cilin ndër të tjera theksohet: “ne duhet t’i përmbahemi një politike të jashtme të pavarur e paqësore dhe rrugës së zhvillimit paqësor, të ndjekim me vendosmëri një strategji të hapur me përfitim të ndërsjellë, të kundërshtojmë hegjemoninë dhe politikën e forcës, si edhe të gjitha format e unilateralizmit e proteksionizmit, dhe të ruajmë drejtësinë ndërkombëtare”. Kina është e gatshme të punojë me bashkësinë ndërkombëtare për një botë të barabartë e shumëpolare dhe një globalizim ekonomik me dobi për të gjithë e përfshirës, si edhe për të promovuar zbatimin e Nismës së Zhvillimit Global, Nismës së Sigurisë Globale dhe Nismës së Qytetërimit Global, për të krijuar një të ardhme të bukur për zhvillimin paqësor të botës.”

Në kushtet kur shkalla e ndryshimit strategjik të SHBA po imponon ndryshime dhe tjetërsim qasjesh. Ky kurs po ndërron si në raport me aleatët e vet të deritanishëm dhe kundërshtarët e SHBA-së. Në këtë terren dhe zhvillim kompleks, nevoja për një orientim kah pavarësia dhe barazia, sikundër e sanksionon një vend me rol kryesor global, si Kina, është parësore dhe kusht sinequanon.

Apeli për drejtësinë ndërkombëtare  është çelës principial për rigjetje apo rivendosje ekuilibrash. Graviteti diplomatik dhe gjeopolitik ka pësuar tronditje. Referencat dhe sistemi I trashëguar deri në ndryshimin e qeverisjes në Shtëpinë e Bardhë në SHBA, po zhbëhen me qëllim të ri hegjemonist dhe ndikues. Ky kurs I ndërruar radikalisht e bën edhe më të domosdoshëm parimin ndërkombëtar dhe kriterin për drejtësi. Ky vend përsëritshëm artikulohet për globalizimin ekonomik gjithëpërfshirës si dhe përforcon nisma me peshë specifike globale të cilat premtojnë zhvillimin paqësor në kushte dhe kohë të ndryshme.

Prioritetet e politikës ndërkombëtare kanë ndryshuar, raportet e forcave dhe aleancat janë më të lëvizshme dhe pse jo edhe më të ndërrueshme se më parë. Rikalibrimi I përparësive në raportet mes forcave anembanë botës është sa I vonuar aq edhe i imponueshëm. Dhe në kësi lëvizjesh tektonike, qasja për barazi dhe drejtësi, jo vetëm përmes fjalës por edhe përmes konstruktivitetit ndërshtetëror, sikundër rasti i Kinës po e ofron, përbën një pikë të pandërrueshme të sistemit të referencave principiale që ka krijuar përvoja njerëzore.

Frontet e interesave dukshëm po ndërrojnë, por disa prej qëllimeve mbeten të njëjta. Çrregullimet globale të tregtisë, të zinxhirit të furnizimeve, të realiteteve ushtarake dhe burimeve imponojnë edhe një potencim të spirancës ndërkombëtare për drejtësi dhe respektime reciproke. Dobësimet dhe ndryshimet në pozitat gjeopolitike të shteteve të ndryshme, forcave rajonale apo edhe kontinenteve e bëjnë edhe më alarmante situatën, por shtimi I aleancës në mbrojtje të parimeve klasike të drejtësisë dhe barazisë, sidoqoftë lenë në fuqi besim dhe reciprocitet. Epokat e mbi dymijë viteve të jetës dhe gjeopolitikës njerëzore e kanë mbartur leksionin se interesat e fuqive janë të parat dhe mbi ato të aleancave të tyre. Drejtësia dhe barazia në këto marrëdhënie i mbajnë në përdorim dhe respektim mjetet e sovranitetit dhe besimeve reciproke.

Një apel i tillë si i Kinës për këtë barazi dhe drejtësi, merr vlerë më tepër në të sotmen që ka në brendinë e vet klithmën se e djeshma jo vetëm nuk është më, por nuk ka fatin e rikthimit.

 

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull