Nga Sokol Paja-
Queens, New York, 29 Mars 2025 – Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra, dega Queens organizoi simpozium shkencor me rastin e 60 vjetorit të kalimit në amshim të shqiptarit të shquar, themeluesit të Diellit, Vatrës, Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, eruditit, prijësit fetar e politik, poliglotit e diplomatit Imzot Fan Noli. Nën prezantimin mjeshtëror të politologut Akri Çipa dhe me pjesëmarrjen e drejtuesve kryesorë të Vatrës, studiuesve nga të gjitha trevat shqiptare, veprimtarëve, aktivistëve, gazetarëve, atdhetarëve e drejtuesve të shoqatave e organizatave patriotike shqiptare në New York e më gjërë, simpoziuni në nder të Fan Nolit nxori në pah risi, fakte, interpretime dhe ngjarje të kaluara e të harruara nga jeta dhe veprimtaria e Fan Nolit, ta panjohura për publikun e gjerë mbi të gjitha mbi kontributin e Peshkopit të shquar shqiptar, Imzot Nolit.
Kryetari i Vatrës në Queens Dr.Skender Murtezani në fjalën e mirëseardhjes theksoi se Fan Nolin e jashtëzakonshëm të kombit tonë duhet ta përkujtojnë të gjitha gjeneratat shqiptare dhe më kryesorja të ndjekin shembullin dhe testamentin e trashëguar prej tij. Kryetari i Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha në fjalën përshëndetëse shprehu mirënjohje ndaj Dr. Myrtezanit dhe degës Queens për veprimtarinë atdhetare dhe komunitare, përkujdesjen e veçantë ndaj figurës së shquar të kombit tonë Fan Nolit, vlerësime për punën aktive për kombin dhe shqiptarët në trojet etnike. “Mirënjohje degës në Queens për këtë aktivitet në nivel të lartë shkencor dhe me interes të veçantë kombëtar. Mirënjohje shqiptarëve të Amerikës që për 113 vite kontribuan në angazhimin dhe veprimtarinë kombëtare në shërbim të çështjes kombëtare” tha ndër të tjera Dr. Berisha.
Akademik Rexhep Qosja me anë të një mesazhi zanor theksoi se përkujtimi i Nolit është kontribut për çështjen kombëtare. Fan Noli është i përjetshëm për kombin dhe atdheun tonë të përbashkët, tha ndër të tjera Akademik Qosja. Prof. Dr. Agim Vinca në kumtesën e tij “Letërkëmbimet e Nolit” dërguar me videoregjistrim përfshiu qindra letra, kartolina e telegrame të dërguara dhe të marra prej Fan Nolit në Europë, Azi e Amerikë me një shtrirje afro pesë dekada ku përfshihen personalitete kombëtare: Ismail Qemali, Faik Konica, Lef Nosi, Mehmet Konica, Qerim Panariti, Mustafa Kruja, Tajar Zavalani etj bashkatdhetarë, personalitete ndërkombëtare si: Norbert Jokli, Edit Durham, Woodrow Wilson, George Bernard Show, Thomas Man etj, politikanë e diplomatë botërorë me të cilët Imzot Noli bashkëpunoi e bashkëveproi përgjatë jetës së tij si prijës fetarë e shpirtëror, si diplomat, si atdhetar, njeri i ditur, krijues e gjenial. Letërkëmbimet e Nolit janë përmendore e kujtesës morale, shpirtërore e kombëtare tha ndër të tjera Prof. Vinca.
Studiuesi Kastriot Gjika në kumtesën e tij “Letërsia e Fan Nolit; poezia e tij” dërguar me videoregjistrim analizoi në themel poezinë e Fan Nolit dhe u shpreh se Noli është i padiskutueshëm në panteonin e letërsisë shqipe. Noli e ka shprehur me mjete poetike përvojën e tij politike, tha ndër të tjera Prof. Gjika. Prof. Dr. Begzad Baliu në kumtesën “Studimi i veprës së Fan Nolit në Kosovë” u shpreh se Noli zë një vend të veçantë në letërsinë shqipe dhe në studimet Noliane si përkthyes, dealist, studiues, veprimtar e atdhetar, kritik e publicistik. Analizat politike, polemikat dhe shkrimet e shenjta zënë një vend të veçantë në krijimtarinë e Nolit, u shpreh ndër të tjera Prof. Baliu. Prof. Dr. Ibish Kadriu në kumtesën “Fan Noli si themelues i shtigjeve të reja të mendimit filozofik” u fokusua duke u bazuar te studimi i Makiavelit prej Fan Nolit në një nivel të lartë filozofik dhe eseistik. Prof. Ferit Rustemi në kumtesën e tij “Efekti i krijimtarisë së Nolit në standardizimin e gjuhës” nxori në pah kontributin e Fan Nolit në zhvillimin dhe pasurimin e letrave dhe gjuhës shqipe.
Dr. Paulin Marku në kumtesën “Fan Noli, përfaqësuesi i mërgatës së Amerikës në Parlamentin e Shqipërisë” u shpreh se diaspora shqiptare e Amerikës ka mbajtur lidhje të vazhdueshme me vendlindjen si dhe ka dhënë kontribut në aspektin, ekonomik, politik e kulturor për mbrojtjen e territorit dhe për zhvillimin e vendit. Fan Noli ishte përfaqësues i diasporës, dalë nga kuvendi i “Vatrës”, i mbledhur më, 11 korrik 1920. Përfaqësuesi i diasporës u mbeshtet jo vetëm për të qenë deputet në parlamentin shqiptar por edhe në të holla dhe në aktivitete politike. Zgjedhjet e para parlamentare, të mbajtura në shkurt-mars, të vitit 1921 të cilat përfunduan më 5 prill 1921, patën përfaqësues nga diaspora, Fan Nolin. Në qasjen politike ra në sy si drejtues i grupit politik, “Partia Popullore” kryesuar nga Noli. Ai mbajti postin e deputetit të diasporës, u rizgjodh deputet i qarkut Korçë në dhjetor të vitit 1923. Ai ishte deputet opozitar ku mblodhi rreth tij shumë intelektual të kohës, po ashtu ishte edhe disa herë ministër i Punëve të Jashtme. Kulmi i suksesit tij, drejtues i qeverisë, kryeministër i Shqipërisë, nga qershori 1924 deri në dhjetor 1924. Pas rikthimit të Ahmet Zogut, largimi i Fan Nolit nga politika aktive në Shqipëri ishte e domosdoshme dhe i drejtua ekzilit.
Dr. Ardiana Mici: “Fan Noli në Shqipëri dhe drejtimi i qeverisë gjatë vitit 1924” u shpreh se si program politik i Nolit është vlerësuar nga studiues dhe diplomatë të kohës si një program ambicioz që e çonte Shqipërinë drejt modernizimit dhe zhvillimit shoqëror. Qeveria Noli mori urimet e para nga disa vende, përfshi edhe Francën e cila e njihte si ndërrim qeverie, ndërkohë që Britania ishte skeptike në lidhje me mënyrën e ardhjes në pushtet të Nolit. Gjermania e njohu zyrtarisht e u përfshi në marrëveshje, ndërsa fuqitë kryesore të kohës, (përfshi edhe USA), qëndruan në pritje të zhvillimeve në Shqipëri duke mos lidhur marrëveshje zyrtare me Nolin. Si kryeministër, Noli njohu projektet dhe marrëveshjet e lidhura nga qeveria shqiptare e mëparshme me shtetet e tjera, duke dëshmuar pjekuri në drejtimin e shtetit. Ai u ofroi fqinjëve qartazi politikën e fqinjësisë së mirë, por refuzoi marrëveshje që preknin sovranitetin e Shqipërisë, tha ndër të tjera Dr. Ardiana Mici.
Sokol Paja, kryeredaktor i gazetës “Dielli” në kumtesën e tij “Lamtumira e Nolit në mediat shqiptaro-amerikane” u fokusua te gazeta “Dielli” dhe “Shqiptari i Lirë” në kronikën e largimit në përjetësi të Imzot Fan Nolit. Te “Shqiptari i Lirë” dhe veçanërisht te “Dielli” Imzot Noli paraqitet si ati i shqiptarëve, kryezot dhe fortesë e shqiptarizmës. “Sa të rrojë raca shqiptare, aq do të rrosh dhe Ti në zemrat e popullit shqiptar. Vatra do të qajë me lot, por edhe do të mburret në çdo kohë, që pati fatin të ketë si Atë, si themelonjës, si prijës, TY – Atin Shqiptarëve” thuhet në elegjinë e gazetës “Dielli”.
Prof. As. Dr. Gëzim Mustafaj në kumtesën “Noli dhe lëvizja e qershorit 1924” analizoi në detaje historike Revolucionin e Qershorit dhe përpjekjen e Nolit për qeveri dhe institucione demokratike në Shqipëri. Prof. Mustafaj analizoi edhe shkaqet e dështimit të Fan Nolit në politikë si një model i parakohshëm liberal amerikan në një Shqipëri të prapambetur. Dr. Skënder Murtezani, kryetar i degës Vatra Queens në përmbyllje të aktivitetit patriotik e shkencor mbajti kumtesën “Roli i Fan Nolit në periudhën e kryengritjes së shqiptarëve në Kosovë”. Ai u ndal te historia e Vatrës në Queens, aktivitetet dhe takimet kushtuar Fan Nolit e Mid’hat Frashërit e komunitetit shqiptar. Në fjalën e tij Dr. Murtezani kërkoi riatdhesimin e eshtrave të Fan Nolit në Shqipëri dhe ekspozoi kontributin kombëtar të Imzot Nolit dhe përkushtimin e tij për Kosovën.
Ky aktivitet patriotik e kulturor kushtuar shqiptarit të shquar polihedrik Fan Noli është nderim dhe respekt për veprën, jetën, kontributin, trashëgiminë dhe testamentin kombëtar që Fan Noli la për kombin shqiptar.