Veton Surroi paralajmëron librin e ri për “vizitën sekrete në Tiranë me mision të Rugovës”

2 Minuta Lexim

Në një diskutim në podcastin “PIKË” në KTV, publicisti Veton Surroi zbuloi se është duke punuar për një libër të ri, i cili do të përqendrohet në një ngjarje të rëndësishme historike nga vitet 1991. Libri merret me një vizitë sekrete që Surroi realizoi në Shqipëri gjatë periudhës së rrëzimit të shtatores së Enver Hoxhës.

Surroi tregoi se kjo vizitë, e cila ndodhi javën kur u rrëzua shtatorja e Hoxhës, ishte një moment revolucionar për Shqipërinë dhe shoqërinë shqiptare. Gjatë asaj periudhe, ai kishte një mision të caktuar nga Ibrahim Rugova dhe Këshilli Koordinues i Partive Politike të Kosovës, që synonte të parandalonte dhunën gjatë tranzicionit politik të Shqipërisë. Surroi shpjegoi se ai dhe kolegët e tij kishin për qëllim të diskutonin me liderë të pushtetit dhe opozitës, si Sali Berisha dhe Gramoz Pashko, për të siguruar një kalim paqësor të pushtetit.

Në lidhje me librin, Surroi shprehu dyshime dhe dilema mbi mënyrën e trajtimit të kësaj ngjarje, duke diskutuar nëse duhet ta shkruante si përjetim të drejtpërdrejtë apo ta dramatizonte më shumë për të krijuar një histori më të fuqishme. Ai e pranoi se kjo ngjarje kishte mbetur një “peng” për të dhe se është një histori që meriton të thellohet dhe të hedhë dritë mbi një periudhë të vështirë dhe të rëndësishme për Shqipërinë dhe Kosovën.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull