Bëhu drejtoreshë, por të lutem mos e zbato platformën tënde!

13 Minuta Lexim
Nga Thoma Gellci-
Ky është urimi më i sinqertë që mund t’i bëja sot gazetares Vasili, meqë ka edhe numrin më të lartë të votave në fund të raundit të parë për zgjedhjen e drejtoreshës së përgjithshme të RTSH-së.
Kjo epërsi dhe distanca ndaj të tjerëve e kthen vëmendjen te një dokument që zakonisht merr pak vëmendje: platforma. Jo emri, jo zërat për ndërhyrje politike, por ajo që vetë kandidatja thotë se do të bëjë me RTSH-në. Dhe aty fillon shqetësimi.
Në krye të dokumentit të saj, Vasili artikulon idenë se “forma aktuale juridike e RTSH nuk është e qartë” dhe propozon që institucionin ta kthejë në një shoqëri aksionare me 100% kapital shtetëror. Këtu fillon përplasja e parë me realitetin – dhe me ligjin.
Për të ilustruar këtë ndryshim, ajo sjell shembullin e BBC-së, si një model suksesi dhe flet për kuptimin e fjalës “corporation” si një shoqëri tregtare.
Por ky është një keqkuptim thelbësor. BBC nuk është një shoqëri aksionare. Është një “public corporation” e krijuar me një kartë mbretërore (Royal Charter), dhe funksionon si një ent publik autonom, i ndarë nga tregu, i pavarur nga buxheti i përvitshëm i qeverisë dhe i financuar nga një taksë e dedikuar për qytetarët – “TV licence fee”. Ky model nuk ka asgjë të përbashkët me një ndërmarrje tregtare, dhe aq më pak me një strukturë që do të mbështetej në buxhetin e shtetit.
Ligji shqiptar për Mediat Audiovizive, në nenin 90 të tij, sanksionon: “Radio e Televizioni Shqiptar (RTSH) është person juridik publik, jo me qëllim fitimi, me seli në Tiranë, që kryen shërbimet e transmetimit publik në fushën e shërbimeve audio dhe audiovizive në Republikën e Shqipërisë”.
Pra, edhe RTSH, njësoj si BBC, është një korporatë publike e krijuar me ligj të Parlamentit që funksionon si një ent publik autonom, i ndarë nga tregu, pa qëllim fitimi.
Kthimi i RTSH-së në shoqëri aksionare nuk i jep asaj asnjë avantazh në lidhje me veprimtarinë tregtare, blerjet dhe shitjet, tenderat dhe marrëveshjet me ndërmarrje të tjera – siç thotë në platformën e vet Eni – por përkundrazi, e ngushton veprimtarinë e saj dhe e vë nën kontrollin e qeverisë dhe të Ministrisë së Financave apo Ekonomisë. Nëse RTSH do të kthehej në ndërmarrje aksionare, do të duhej të drejtohej edhe nga Bordi i Aksionarëve, që në këtë rast do të ishte qeveria e Shqipërisë.
Në platformën e vet, zonja Vasili i jep rëndësi financimit nga buxheti i shtetit, rritjes së tij, dhe duket një nënvlerësim për financimin direkt nga taksa e aparatit që paguajnë qytetarët.
Ideja për ta zhvendosur RTSH-në “nën sqetullën e buxhetit të shtetit” është një kthim prapa me dekada. Në vend që të garantohet një model i qëndrueshëm dhe i pavarur financimi, siç ndodh në shumicën e mediave publike evropiane (ZDF, ARD, RAI, France Télévisions), Vasili propozon që të mbështetemi te vullneti politik i një ministri financash që nesër mund të mos ketë buxhet për një dokumentar kritik apo një hetim mbi korrupsionin.
Në Gjermani, për shembull, mediat publike financohen nga një tarifë fikse mujore që qytetarët e paguajnë si pjesë e detyrimeve ndaj informacionit publik. E njëjta gjë ndodh në Francë dhe Itali. Qëllimi është i qartë: kush e financon median, ka dorë mbi përmbajtjen. Prandaj këto vende i largojnë mediat publike nga buxhetet politike – për t’i mbrojtur nga politika.
Në platformë përmendet gjithashtu ideja që RTSH ka disa frekuenca dhe se ato mund të përdoren për të nxjerrë të ardhura duke u dhënë të tjerëve. Por kjo është një tjetër mungesë njohjeje ligjore dhe teknike. RTSH, sipas ligjit në fuqi, zotëron vetëm dy frekuenca: një për transmetimet e veta dhe një tjetër për të ndihmuar transmetimin e televizioneve lokale. Ku e gjeti idenë që RTSH ka disa frekuenca dhe që i ka shumë dhe nuk i duhen? Duket si naivitet, por gjatë përvojës sime në punë në RTSH jam ndeshur shpesh me idenë e marrjes së një frekuence të RTSH-së dhe dhënies së saj një operatori privat.
Në realitet, në gjithë Shqipërinë ka vetëm 7 frekuenca kombëtare, nga të cilat tri i zotëron grupi Top Channel-Digital, dy RTSH, siç e shpjeguam më lart, një televizioni Klan dhe një televizioni Vizion Plus dhe Tring.
Në pjesën e dytë të platformës së vet, Eni Vasili e vë theksin te kompozimi i kanaleve.
Këtu vijmë te ideja e ndarjes së ekraneve sipas bindjeve politike. Një kanal për pozitën, një për opozitën. Që të ndihen të gjithë të përfaqësuar. Edhe ballistët e partizanët. Bile, duke iu përgjigjur një pyetjeje të një anëtari të Këshillit Drejtues, zonja Vasili tha se për ballistët kishte menduar kanalin e dytë.
Pra, partizanët të rrinë të qetë se e mbrojtën edhe këtë radhë kanalin e parë të RTSH-së. Dhe mos u habisni nëse nesër propozohen edhe dy postblloqe policie: një i PS-së, një i PD-së; dy spitale, një për pozitën dhe një për opozitën. Vetëm tatime do të kemi një: vetëm për opozitën.
Ky është pluralizmi sipas Eni Vasilit: jo debat, por ndarje territori. Jo dialog, por duel monologësh.
RTSH, sipas kësaj logjike, nuk do të jetë më shërbim publik, por shërbim me menu politike: Zgjidh partinë dhe të sjellim lajmet me shije përkatëse. A dëshironi me propagandë apo pa?
Në fushën e programeve dhe kanaleve, dukej sikur zonja Vasili nuk propozonte ndonjë studim, por e kishte ndarë mendjen: 7 plus 2.
Fshiheshin RTSH 3 për diasporën, RTSH Shkollë, RTSH Shqip, RTSH Agro, katër stacionet lokale të RTSH-së në Korçë, Shkodër, Gjirokastër dhe Kukës. Një pyetje që më del herë pas here përpara është kjo: nëse në RTSH punojnë shumë njerëz, rreth 1000, dhe ka shumë para në dispozicion, atëherë përse u prish punë mbajtja e kanalit të Shkollës dhe zhvillimi i tij në platforma të tjera?
Në një vend ku dega e turizmit është dega kryesore e ekonomisë shqiptare, si mund të hiqet RTSH Agro, kur ai ishte konceptuar pikërisht si një kanal i dedikuar bujqësisë, blegtorisë, peshkimit – fushave që lidhen me ushqimin e njerëzve dhe ekonominë e vendit? Si mendohet të zhvillohet turizmi i mbi dhjetë milionë turistëve pa bujqësinë? Dhe a ka mision më të madh për televizionin publik sesa ndërtimi i një kanali të mirë didaktik për bujqësinë, ushqimin dhe turizmin?
Po RTSH 3? Në një vend ku diaspora dërgon më shumë para se investitorët strategjikë, ndërprerja e një kanali të dedikuar për ta është si të mbyllësh ambasadën kulturore të Shqipërisë në botë. Dhe për ta bërë më dramatike, e gjithë kjo është në kundërshtim të plotë me ligjin, që në nenin 13 të Ligjit për Diasporën sanksionon qartë se RTSH duhet të ofrojë një kanal të dedikuar për këtë komunitet. RTSH 3, kanali për shqiptarët jashtë vendit, është vënë në shënjestër për mbyllje.
Bile Këshilli i vjetër Drejtues ka një vendim për këtë. Por ky nuk është vetëm një veprim arbitrar. Është shkelje e ligjit. Jo vetëm Ligji për Mediat e kërkon një gjë të tillë, por edhe Ligji “Për Diasporën”, neni 13, e detyron RTSH-në të ketë një kanal të posaçëm për diasporën. Ai nuk është një dëshirë, por një detyrim ligjor. Dhe për më tepër, është një urë që lidh mbi një milion shqiptarë jashtë vendit me gjuhën, kulturën dhe informacionin nga atdheu.
Mua gjithmonë më habit fakti se si mund të propozohet mbyllja e kanalit RTSH Shkollë? Ky kanal e tregoi veten për dobinë e vet në kohën e pandemisë, por edhe sot shërben si model për qindra mësues se si duhet dhënë mësimi, sepse për ngritjen dhe përgatitjen e materialeve të këtij kanali u angazhuan mësuesit më të mirë të Shqipërisë.
Në RTSH Shkollë, fëmijët – dhe jo vetëm ata – mund të mësojnë se fjala e bukur shqipe “hapur” duhet përdorur për fjalën e huazuar “open” që përdoret vetëm me qëllim snobist, sepse shqipja nuk e shpreh dot si duhet. Ose, siç thotë një personazh i një filmi: “Ma ngatërron çupën kjo shqipja e mallkuar!”
RTSH Shkollë, në vend që të mbyllet, duhet të zhvillohet. Rrugët dhe mjetet për zhvillimin e tij janë të shumta, por unë nuk do të ndalem sot në këtë gjë.
Si mund të fshihen me një të rënë të lapsit studiot lokale të RTSH-së, një pasuri e jashtëzakonshme e radio-televizionit publik që e bëjnë të veçantë RTSH nga të gjitha kanalet e “qendrës”, që në fakt është pjesa më e prapambetur e shoqërisë dhe përfaqësuese e antivlerave?
Kjo ishte platforma e famshme që ka marrë më tepër vota deri tani. Asnjë fjalë për radion. Asnjë fjalë për lajmet. Asnjë fjalë për programet.
Më shqetësuesja nga të gjitha është boshllëku i plotë në platformë për përmbajtjen. Nuk përmendet askund gazetaria investigative, as informimi i pavarur, as ndonjë plan për të fuqizuar redaksitë apo për të mbështetur punën kërkimore.
Një RTSH pa gazetarë që pyesin, që kërkojnë të vërtetën, që denoncojnë abuzimet dhe që ndriçojnë skutat e errëta të shtetit, nuk është media publike. Është një lavatriçe propagande.
Në një kohë kur në vende si Suedia dhe Danimarka, mediat publike rrisin investimet në gazetari kërkimore si garanci për transparencën në shoqëri, RTSH po propozohet të zhvishet nga çdo mjet për të qenë roje e demokracisë. Dhe kjo është tragjike.
Në fund, kjo platformë nuk flet për përmbajtjen, për audiencën, për edukimin, për kulturën, për barazinë e zërave. Flet për struktura, borde, rregullore dhe një teknokraci që fsheh synimin: ta kthejë RTSH-në në një aparat tjetër nën kontroll të pushtetit.
Në fushën e zhvillimit teknologjik, i vetmi propozim në ato 15 rreshta që ka shkruar është hapja e një aplikacioni mobil të RTSH (ai që RTSH e kishte por e mbyllën pasardhësit e mi në kohën kur kishte mbi një milion shkarkime).
Asnjë fjalë për drejtimet se nga duhet të ecë teknologjia e radios dhe televizionit, asnjë fjalë për arkivin. Asnjë fjalë për zhvillimet në radio, mediat sociale, etj., etj.
Nuk është reformë. Është rikthim. Nga një media që duhet t’i shërbejë qytetarit, në një media që i shërben patronit. Dhe në këtë kthesë, qytetari është harruar. Si gjithmonë.
Por kjo platformë rezulton tani më e pëlqyera për anëtarët e Këshillit Drejtues, kështu që, shpresa e vetme është që Eni të bëhet drejtoreshë por të mos e zbatojë platformën e saj. Mund të marrë hua platformën e ndonjërit prej kandidatëve të tjerë. Janë shumë më afër përmbajtjes dhe reformës së vërtetë.
Le të bëhet drejtoreshë, por të zbatojë platformën e Laureta Roshit. Apo të Flamur Bucpapajt. Apo të Elton Metës. Ose të ndonjë tjetri, s’ka problem. Secila prej gjithë platformave të tjera sjell diçka të mirë për RTSH.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull