Ka dështuar edhe seanca e tetë e Kuvendit të Kosovës për zgjedhjen e kryetarit të parlamentit.
Edhe këtë të martë, Glauk Konjufca rikonfirmoi propozimin për Albulena Haxhiun si kandidaturën e Lëvizjes Vetëvendosje për postin e kryeparlamentares.
Megjithatë, Haxhiu nuk arriti sërish numrin e kërkuar të votave. Për t’u zgjedhur, i duheshin 61 vota, ndërsa mori 54 pro, 44 kundër dhe 3 abstenime.
Ky numër votash për Haxhiun ishte edhe më i vogël se në votimet e mëparshme ndërsa në këtë seancë Lëvizjes Vetëvendosje i mungonte një deputet.
Në seancë ishin të pranishëm 110 deputetë të cilët votuan me ngritje dore. Albulena Haxhiu nuk arriti të zgjidhet kryetare e Kuvendit as në këtë seancë të tetë, e cila u mbyll pa rezultat.
Seanca e radhës do të zhvillohet të enjten, më 1 maj, në orën 10:00.