DOKUMENTARI – “GLADIUS”: E VËRTETA QË DUHET TË THUHET

3 Minuta Lexim
Dokumentari “Gladius”, është një rrëfim tronditës mbi gjyqin special të vitit 1945 dhe fillimin e terrorit komunist në Shqipëri. Premiera e tij u shfaq për publikun e kryeqytetit me datë 9, në Destil Creative Hub. Realizuar me skenar dhe produksion të përbashkët nga Viron Roboçi dhe gazetarja Besmira Pelushaj, nën regjinë e Viron Roboçit, “Gladius” sjell një qasje të re dokumentare mbi një nga ngjarjet më të errëta të pasluftës në Shqipëri.
“Gjyqi (jo) Special” siç është edhe nëntitulli i veprës, eksploron realitetin tronditës të një procesi të orkestruar politikisht, të njohur si “gjyqi special”, i cili u zhvillua në Tiranë menjëherë pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.
Duke ndërtuar një paralelizëm të fuqishëm me ndeshjet e gladiatorëve në Romën e lashtë, dokumentari zbulon sesi ky gjyq shërbeu si një spektakël i dhunshëm me dënime të paracaktuara për 60 intelektual të kohës, me qëllim eliminimin e tyre dhe intimidimin e pjesës tjetër të elitës politike, veprimtarëve dhe çdo individi me influencë.
Përmes një ndërthurjeje të kujdesshme mes materialeve arkivore, pamjeve autentike dokumentare dhe skenave të rindërtuara artistikisht, Gladius i jep zë procesit të shpejtë dhe të padrejtë që çoi në ekzekutimin e 17 personave dhe në ndëshkimin me 715 vite burg në total, për të akuzuarit e tjerë.
Asnjë nga 17 të ekzekutuarit nuk ka ende sot një vend varri, fat ky që e patën me mijëra viktima të tjera të diktaturës në dekadat që pasuan.
Qëllimi i dokumentarit është të vërë në dukje manipulimin politik dhe pasojat shkatërruese njerëzore të një drejtësie të kontrolluar nga ideologjia.
Ai e fton shikuesin të reflektojnë mbi të kaluarën dhe mbi nevojën për drejtësi historike dhe sociale. Gladius nuk është vetëm një kujtesë ndaj viktimave, por edhe një thirrje për ndërgjegjësim dhe përballje me të shkuarën përmes së vërtetës objektive.
Me mbështetjen e “Fondacioni Konrad Adenauer” (KAS Albania) në bashkepunim me “United Rights Foundation”, filmi ka nisur rrugëtimin e tij në Festivale ndërkombëtare dhe së shpejti do të shfaqet edhe në kinematë e vendit.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull