FAO mbështet fermeret shqiptare. Bujqësia e qëndrueshme, çelës për produktivitetin e fermerëve shqiptarë  

4 Minuta Lexim
Nga Anisa Mucaj-
Lushnje, 24 prill 2025 – Teksa bota dhe rajoni përballen me pasojat e ndryshimeve klimatike, rritjen e çmimeve dhe konkurrencën e tregjeve, Organizata e Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë (FAO) u bën thirrje institucioneve dhe fermerëve shqiptarë të përqafojnë një qasje më të qëndrueshme dhe të zgjuar ndaj bujqësisë.

Gjatë një takimi të zhvilluar në zemër të zonës bujqësore të Lushnjes, një nga zonat më produktive të vendit, FAO theksoi rëndësinë e bujqësisë së qëndrueshme si mënyra më e sigurt për të rritur produktivitetin dhe të ardhurat e fermerëve në Shqipëri, duke mbrojtur njëkohësisht tokën, ujin dhe klimën.

Bujqësia e qëndrueshme nuk është më luks, por domosdoshmëri për mbijetesën dhe zhvillimin rural, u shpreh në fjalën e saj, Valbona Ylli, Eksperte e Analizës së Zinxhirit të Vlerës pranë Zyrës së FAO-s në Shqipëri. “Fermerët kanë gjithnjë e më shumë nevojë për mjete që jo vetëm mbrojnë tokën dhe burimet natyrore, por rrisin cilësinë dhe aksesin në tregje,” theksoi zj. Ylli.

“Nëse duam që bujqësia shqiptare të jetë konkurruese në tregjet europiane, duhet të ndërtojmë mbi praktika që respektojnë natyrën, ulin kostot dhe rrisin cilësinë,” tha ajo. “Qëllimi nuk është vetëm prodhimi i bollshëm – por prodhimi i mençur, që ruan tokën dhe garanton të ardhmen.”

Ndër shembujt konkretë të përmendur gjatë takimit ishin:

Përdorimi i plehrave organikë dhe rotacionit të kulturave, që sjellin ulje të kostove afatshkurtra dhe përmirësim të rendimentit afatgjatë;
Zbatimi i teknologjive të thjeshta, si aplikacionet për vaditje dhe monitorim të mikroklimës në sera;
Kontrolli biologjik i dëmtuesve, që ndihmon në reduktimin e pesticideve dhe në ruajtjen e shëndetit të konsumatorëve.

Astrit Balliu, agronom pranë Zyrë së FAO-s në Shqipëri, theksoi se fermerët shqiptarë po tregojnë gjithnjë e më shumë gatishmëri për të përqafuar inovacionin: “Qasja po ndryshon. Fermerët nuk janë më thjesht përfitues – janë partnerë në një proces transformimi që ka nevojë për mbështetje, trajnime dhe akses në informacion.”

Në këtë kontekst, FAO mbështet iniciativat e bujqësisë digjitale, shkollat fushore për fermerë, si dhe ndërtimin e kapaciteteve për përmbushjen e standardeve të BE-së në sigurinë ushqimore dhe mbrojtjen e mjedisit.

Pedro Marcelo Arias, ekonomist pranë Zyrës Rajonale të FAO-s për Europën dhe Azinë Qëndrore, theksoi se përvoja e vendeve të rajonit tregon se kalimi drejt bujqësisë së qëndrueshme është i mundur – veçanërisht kur institucionet dhe partnerët e zhvillimit ndihmojnë në lehtësimin e tranzicionit për fermerët më të vegjël.
“Ne jemi këtu për të ndihmuar jo me receta të gatshme, por me zgjidhje të përshtatura sipas realitetit shqiptar,” theksoi Arias.

Bujqësia e qëndrueshme nuk është më një opsion – por një domosdoshmëri, u shpreh Lorena Pullumbi,  Asistente Përfaqësuese e FAO-s në Shqipëri. Në një kontekst gjithnjë e më të ndikuar nga ndryshimet klimatike, me temperatura ekstreme dhe reshje të paparashikueshme, fermerët po përballen me sfida të reja që kërkojnë zgjidhje të zgjuara dhe të qëndrueshme.

“FAO mbetet e angazhuar të ndihmojë Shqipërinë në këtë tranzicion, duke e kthyer bujqësinë e qëndrueshme në normë, jo përjashtim – dhe në themel të një të ardhmeje më të sigurt për fermerët, konsumatorët dhe mjedisin,” tha zj. Pullumbi.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull