Kryeministri Edi Rama, i pranishëm në konferencën rajonale për “Përshpejtimi i Reformave të Kujdesit për Fëmijët drejt Anëtarësimit në Bashkimin Evropian”, foli për rëndësinë e këtij aktiviteti, duke thënë se është një “përgjigje ndaj atyre që pyesin se për çfarë na duhet BE”.
Rama deklaroi se janë 16 mijë fëmijë me aftësi të veçanta që mertitojnë jo vetëm mbështetje financiare, por edhe institucionale.
Kreu i qeverisë deklaroi se po punohet për shtimin e mësuesve specialë, si edhe për hapjen e klasave të para për fëmijët që janë të shtruar në spitale.
“Garancia evropiane për fëmijët është nisëm e BE, e cila dhe e vetme do të mjaftonte për t’i dhënë përgjigje të gjithë atyre të pyesin për çfarë na duhet BE. Mjafton të shohësh në përmbajtjen e programit të kësaj garancie për fëmijët që të kuptosh thellësinë e dobisë së të qenit së bashku në familjen evropiane dhe thellësinë e të kuptuarit të sensit të solidaritetit në atë familje.
Përmes garancisë evropiane për fëmijët, BE synon që të drejtat e fëmijëve t’i sigurojë dhe vendosë në fokusin e jetës së vet të përditshme dhe që përmes këtij programi të shumëfishojë të gjitha rrugët dhe mundësitë që çdo fëmije t’i jepet një shans dhe të kenë një perspektivë të mundshme barazie në raport me të tjerët pavarësisht startit të ndryshëm.
BE ka përcaktuar financim të veçantë që ndihmon vendet anëtare për të ecur në shinat e paracaktuara përmes dokumentit të garancisë evropiane dhe zbatuar masa konkrete në reduktimin e varfërisë së fëmijëve dhe nga ana tjetër në ngushtimin e hendekut që është tejet shqetësues në të gjithë hapësirën evropiane, sidomos si rezultat i goditjes që i dha pëlhurës sociale pandemia e disa viteve më parë.
Këtu, financimi i posaçëm i BE-së lidhet me përfshirjen aktive të qeverive dhe në ndërtimin e partneriteteve me organizata joqeveritare dhe me përmirësimin e infrastrukturës arsimore dhe sociale e shëndetësore dhe programe mbështetëse për prindërit. Në këto drejtime kemi bërë progres të dukshëm, një bazë e sigurtë për të ndërtuar më tutje duke synuar që të përfitojmë aktivisht nga financimi i BE-së.
Një nga pikat ky synojmë të bëjmë një hop sasior dhe cilësor në financim dhe organizim dhe ndërveprimit me partnerët e tjerë është adresimi i situatës së 16 mijë fëmijëve me aftësi të veçanta, të cilët janë përfitues të skemave të reja të mbështetjes, por të cilët besoj unë në këtë fazë dhe kushtet kur mundësitë tona ekonomike rriten meritojnë rritje të mbështetjes nga ana jonë. Një rritje mbështetjeje e cila nuk është thjesht financiare por edhe institucionale.
Për këtë ministria e Shëndetësisë dhe Arsimit po punojnë që të rrisin numrin e mësuesve specialë, sikundër dje kemi hapur një kapitull të ri në sistemin tonë të shërbimit shëndetësor me hapjen e klasave të para për fëmijët në spital, klasa mësimore dhe arti, që iu shërbejnë fëmijëve që të mos humbasin kontaktin me mësimin, por iu shërbejnë përmes një kurrikule speciale që të energjizohen me besim dhe bindjen se do t’ia dalin në betejën e sëmundjeve të tyre”, tha Rama.