Ekonomia e Kalifornisë ka tejkaluar atë të Japonisë, duke e bërë këtë shtet amerikan forcën e katërt më të madhe ekonomike në botë, raporton BBC.
Guvernatori Gavin Newsom promovoi të dhëna të reja nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe Byroja Amerikane e Analizës Ekonomike, të cilat tregojnë rritjen e Kalifornisë.
Të dhënat tregojnë se Prodhimi i Brendshëm Bruto (PBB) i Kalifornisë arriti në 4.10 trilionë dollarë në vitin 2024, duke e kaluar Japoninë, e cila u vlerësua në 4.01 trilionë dollarë. Tani shteti renditet pas vetëm Gjermanisë, Kinës dhe SHBA-së si një e tërë.
“Kalifornia nuk po ndjek ritmin e botës – ne po e vendosim ritmin”, tha Newsom. Shifrat e reja vijnë në një kohë kur Newsom ka dalë kundër tarifave të vendosura nga Presidenti Donald Trump dhe ka shprehur shqetësime për të ardhmen e ekonomisë së shtetit, përcjell KosovaPress.
Kalifornia ka pjesën më të madhe të prodhimit të industrisë përpunuese dhe bujqësisë në SHBA. Ajo është gjithashtu shtëpia e inovacionit teknologjik udhëheqës në botë, qendra e industrisë globale të argëtimit dhe porteve më të mëdha detare të vendit.
Newsom, një demokrat i spikatur dhe kandidat i mundshëm për president në vitin 2028, ka ngritur një padi për të sfiduar autoritetin e Trump për vendosjen e tarifave, të cilat kanë shkaktuar çrregullime në tregjet dhe tregtinë globale.
Newsom shprehu shqetësimet e tij për të ardhmen e ekonomisë së shtetit.
“Ndërkohë që festojmë këtë sukses, ne e kuptojmë se progresi ynë është i kërcënuar nga politikat e pamatura të tarifave të administratës aktuale federale”, tha ai. “Ekonomia e Kalifornisë fuqizon kombin dhe duhet të mbrohet.”
Të dhënat e reja tregojnë se PBB-ja e Kalifornisë ndodhet pas SHBA-së me 29.18 trilionë dollarë, Kinës me 18.74 trilionë dollarë dhe Gjermanisë me 4.65 trilionë dollarë. Ato tregojnë gjithashtu se Kalifornia ishte rajoni me rritjen më të shpejtë mes këtyre ekonomive.
Ekonomia e Japonisë është nën presion për shkak të rënies dhe plakjes së popullsisë, çka do të thotë se fuqia punëtore po tkurret dhe kostot e kujdesit social po rriten ndjeshëm.
Këtë javë, FMN uli parashikimin e rritjes ekonomike për Japoninë dhe parashikoi se banka qendrore do të rrisë normat e interesit më ngadalë se sa ishte pritur më parë për shkak të ndikimit të tarifave më të larta.
Tarifat e shpallura më 2 prill, së bashku me pasigurinë që ato shkaktuan, neutralizuan efektet pozitive që priteshin nga shpenzimet më të mëdha të njerëzve — pavarësisht faktit që pagat po rriteshin më shpejt se inflacioni dhe po i jepnin familjeve më shumë para për të shpenzuar, sipas raportit “Parashikimi Ekonomik Botëror” të FMN-së.