Presidenti Donald Trump ka ndërmarrë hapa për të hequr kufizimet për rrjedhjen e ujit nga dushet amerikane, të vendosura gjatë administratës Obama. Sipas Shtëpisë së Bardhë, urdhri i ri do t’i japë fund “një agjende radikale të gjelbër” që, sipas tyre, e ka përkeqësuar jetën e amerikanëve.
Trump ka urdhëruar Sekretarin e Energjisë të shfuqizojë rregulloren që ndalonte kokat e dusheve me shumë dalje të tejkalonin nxjerrjen e më shumë se 9,5 litrave ujë për minutë. Kjo rregullore ishte vendosur në kuadër të një programi për ruajtjen e energjisë nga administrata Obama, si pjesë e përpjekjeve për të reduktuar harxhimin e ujit dhe energjisë.
Administrata e Trump-it argumenton se kufizimet aktuale e kanë kthyer një pajisje të zakonshme shtëpiake në një “makth burokratik” dhe se amerikanët duhet të jenë të lirë të zgjedhin dushet sipas preferencave të tyre, pa ndërhyrje nga qeveria federale.
Në një deklaratë të dhënë nga Zyra Ovale, Trump u ankua se i duhen 15 minuta për të lagur flokët e tij “të bukura” për shkak të presionit të dobët të ujit. Ai e ka përsëritur këtë shqetësim që nga viti 2020, duke theksuar se “floku i tij duhet të jetë perfekt”.
“Në rastin tim mua më pëlqen të bëj dush mirë, të kujdesem për flokët e mi të bukur. Më duhet të qëndroj në dush për 15 minuta deri sa të lagen. Uji del, pikë, pikë, pikë… Është qesharake.
Dhe përfundon duke larë duart 5 herë më shumë, kështu që harxhon të njëjtën sasi uji. Dhe ne do ta hapim ujin kështu që njerëzit mund të jetojnë dhe shpresojmë që Kongresi ta miratojë…”, tha Trump, shkruan A2 CNN.
Ndërkohë, grupet ambientaliste dhe organizatat për mbrojtjen e konsumatorëve e kanë kritikuar këtë vendim, duke theksuar se rregulloret e vendosura që nga vitet ’90 kanë ndihmuar në kursimin e ujit dhe uljen e faturave për qytetarët.
Ndryshimi do të hyjë në fuqi 30 ditë pasi Sekretari i Energjisë të publikojë zyrtarisht vendimin për shfuqizimin e përkufizimit ekzistues. (A2 Televizion)