Lufta tregtare e Donald Trump me Kinën hyri në një fazë të re të enjten, pasi tarifat hakmarrëse prej 84 për qind të Pekinit hynë në fuqi disa orë pasi presidenti i SHBA-ve njoftoi një pauzë të tarifave të larta reciproke në dhjetëra vende, përveç Pekin-it.
Tregjet u rimëkëmbën pas njoftimit të Trump për pauzën e papritur, pas episodit më të paqëndrueshëm në tregjet financiare që nga pandemia.
Aksionet e Tajvanit u rritën me 9.2 për qind në fillimin e tregtimit të së enjtes.
Në Japoni, Nikkei 225 u rrit me 7.2 për qind, ndërsa në Seul Kospi u rrit me mbi 5 për qind.
Në Australi, ASX 200 kërceu më shumë se 6 për qind. Indeksi Hang Seng i Hong Kongut u rrit me 2.69 për qind, ndërsa Indeksi i Kompozitit të Shangait u rrit me 1.29 për qind.
Në Wall Street të mërkurën, indeksi Dow u mbyll me një rritje gati 8 për qind më të lartë ndërsa Nasdaq u rrit 12.2 për qind për të shënuar ditën e tij më të mirë në 24 vjet, pas shpalljes së pauzës.
Megjithatë, tarifat ndaj mallrave kineze tani janë 125 për qind, dhe Pekini është zotuar të “luftojë deri në fund”.
Kreu i Organizatës Botërore të Tregtisë tha të mërkurën se një luftë e përshkallëzuar tarifore SHBA-Kinë mund të shkurtojë tregtinë e mallrave midis dy vendeve me 80 për qind.
Duke pasur parasysh se dy gjigantët ekonomikë përbëjnë 3 për qind të tregtisë botërore, konflikti mund të “dëmtojë rëndë perspektivën ekonomike globale”, tha Ngozi Okonjo-Iweala.
Pekini tha të mërkurën se do të vendosë 84 për qind tarifë mbi produktet amerikane nga mesdita me orën lokale të së enjtes, do të vendosë 18 kompani amerikane në listat e kufizimeve tregtare dhe do të sjellë kundërmasa të tjera.
Trump e paralajmëroi Kinën që ta tërhiqte atë ose ai do të përgjigjej, por Kina refuzoi dhe të dy palët filluan një seri ngritjesh. Trump premtoi një taksë prej 104 për qind dhe më pas 125 për qind ndaj importeve kineze.