Nga Enver Robelli-
…dhe pyetja e përjetshme: përse kjo s’është e mundshme në Prishtinë?
Brenda 20 viteve në Paris janë zhbërë 50 mijë vendparkingje veturash, shumë rrugë automobilistike janë shndërruar në shtigje për biçikleta dhe sheshe betoni janë bërë parqe. Ky grafik i botuar në “Washington Post” tregon përmirësimin e cilësisë së ajrit nga viti 2007 deri më 2024. Meritat për këtë zhvillim fantastik i ka kryetarja e Parisit, Anne Hidalgo, një politikane socialiste, e cila qeveris kryeqytetin francez nga viti 2014. Sipas saj, një Paris që merr frymë, është një Paris më i këndshëm për të jetuar. Sipas Airparif, organizatës për monitorimin e ajrit në rajonin e Parisit, niveli i grimcave të imta (PM 2.5) ka rënë për 55 për qind që nga viti 2005. Dioksidi i azotit, i cili prodhohet kryesisht nga djegia e naftës, ka rënë me 50 për qind.
Grimcat e imta dhe dioksidi i azotit janë armiq të padukshëm. Por veprimi i tyre është fatal, raportojnë mediat franceze. Ato depërtojnë thellë në rrugët e frymëmarrjes, dëmtojnë zemrën dhe mushkëritë, rrisin rrezikun për kancer dhe sëmundje kronike. Në këtë kuptim, ajri i ri i Parisit është një përfitim i vërtetë për jetën. Të marrësh frymë më lehtë, të jetosh më mirë – ky është më shumë se një objektiv politik. Është një premtim për brezin e ardhshëm.
A do të ishte diçka e tillë e mundshme edhe në Prishtinë, që hyn në mesin e qyteteve më të ndotura në Europë dhe më gjerë? Sigurisht që do të ishte e mundshme sikur të ekzistonte vetëdija e zhvilluar qytetare për dëmin që e shkakton ajri i ndotur, sikur t’u jepej vota politikanëve seriozë dhe jo mashtruesve serikë (me ndonjë përjashtim, Prishtina s’ka pasur fat me kryetarë që nga viti 1999), sikur qytetarët të ushtronin artin e ecjes në këmbë, sidomos në distanca të shkurtra, sikur pushteti komunal të hiqte krejt autobusët që qarkullojnë me dizel dhe të blinte autobusë elektrikë, sikur në zgjedhjet e ardhshme komunale në vjeshtë të dilte në sipërfaqen politike një kandidate apo kandidat për kryetar/e, i cili apo e cila s’ka ndonjë lidhje direkte me partitë e etabluara dhe të paide dhe do të prezanonte një agjendë të gjelbër nëpërmjet së cilës do të mobilizoheshin qytetarët… Sllogani është gati: “Ta bëjmë Prishtinën si Parisin”.
Natyrisht Avenynë e Champs Élysées nuk mund ta kopjojë askush dhe ta zhvendosë në Prishtinë, por modeli i Parisit për ajër të pastër mund të aplikohet edhe në kryeqytetin e Kosovës. Duhet gjetur vetëm një Anne Hidalgo për Prishtinën. Kësisoj do të bëhej edhe një revolucion tjetër: kryeqyteti i Kosovës do të kishte për herë të parë një grua kryetare.
