Nga Irena Beqiraj-
Në Shkurt të këtij viti në qytetin studenti ministrja e arsimit deklaroi se: “Këto hapësira akomodimi me standarde bashkëkohore europiane e bëjnë edhe më të lehtë tërheqjen e studentëve të huaj dhe gjithashtu të atyre që kryejnë mobilitetin apo kanë programe të shkëmbimit studentor me Shqipërinë. Gjithashtu ajo shtoi se: “ambicia jonë është që Shqipëria të jetë një qendër e ekselencës për arsimin e lartë, si edhe të kemi sa më shumë studentë të vendeve të tjera, studentë të huaj”.
Ndërsa po në Mars të këtij viti, nga shkolla Emin Duraku ministrja tha: “450 shkolla janë rindërtuar, janë rehabilituar dhe rikonstruktuar në gjithë vendin. Vetëm në Tiranë janë 48 shkolla të reja që u shërbejnë sot më shumë se 38 mijë nxënësve në Tiranë. Vetëm për këtë vit ne do të bëjmë të mundur që 40 shkolla të tjera të rehabilitohen apo të rindërtohen nga Shkodra, Kukësi, Dibra deri në jug të vendit, në Sarandë, Gjirokastër”
Këto janë vetëm dy shembuj, por për këdo që ndjek daljet publike të ministres apo Kryeministrit është e dukshme se kur vjen puna tek arsimi qeveria flet kryesisht për godinat dhe ushqimin sikur arsimi të ishte shërbim akomodues ditor për nxënësit edhe studentët. Arsimi nuk është vetëm përmirësim infrastrukturor, të cilën socialistët e barazojnë gabimisht me trasformimin, ku dhe kanë treguar se nuk kursejnë.
Sot jetojmë në kohën e revolucionit të katërt digital, ndaj monedha e ekonomisë së cdo kombi është dija. Ajo nuk mund të shtypet nga asnjë bankë qëndrore, edhe për më keq nuk mund të trashëgohet. Ajo zhvlerësohet kur kapitali human humbet aftësitë edhe bëhet i pavlefëshëm.
“Ne mund të jemi shumë krenarë për faktin se nuk kemi shkolla si në Evropë, por kemi shkolla si shkollat më të mira në Evropë” thotë Kryeministri, por indikatorët që masin njohuritë që fëmijët tanë marrin brenda atyre godinave tregon që nuk ka asgjë për tu krenuar, përkundrazi.
Fëmijët që ju nënshtruan testit PISA në vitin 2022 hynë në arsimin para universitar pikërisht në vitin 2013 kur partia socialiste morri pushtetin.
Testi PISA 2022, ose siç quhet ndryshe parashikuesi më mirë afatgjatë i prosperitetit ekonomik edhe social të një vendi për dekadat që vijnë tregoi se Shqipëria kishte përkeqësimin më të madh në nivel global. Një pikë referimi i cila përcakton nësë ky përkeqësim është apo jo “i madh”, është standarti “20 pikë”. Në bazë të tij, 20 pikë përfaqësojnë përfitimin mesatar të dijeve të 15-vjeçarëve në një vit shkollor.
E thënë ndryshe rezultati 69 pikë më i ulët në matematikë është ekuivalent me mungesën e dijeve të 3.5 vite shkollim. Rënia me 47 pikë në lexim është ekuivalente me mungesën e dijeve të 2.5 viteve shkollim, edhe rënia me 41 pikë në lexim është ekuivalete me mungesën e dijeve të 2 viteve të shkollim, ose sic shprehet Banka Botërore “Në Shqipëri shkollimi nuk është përkthyer në dije “
Ndërkohë pabarazitë e aksesit në arsim dhe rezultatet e të nxënit qe rrjedhin nga kjo pabarazi vazhdojnë të jenë të larta brenda vendit. Studentët në grupin e familjeve me të ardhura më të ulëta mbeten prapa bashkëmoshatarëve të tyre në grupin e të ardhurave më të larta me afërsisht 66 pikë (PISA), ekuivalente kjo me pothuajse 3 vite shkollim. Ndërsa nxënësit e zonave rurale performojnë më keq se bashkëmoshatarët e tyre e zonava urbane me gati 33 pikë (PISA) ekuivalente me pothuajse 1.5 vite shkollim.
Në vitin 2023 për herë të parë u matën në nivel global aftësitë e të menduarit kreativ të 15 vjecarëve. Rezultatet treguan se fëmijët 15 vjecarë të arsimuar tërësisht në periudhën e “transformimit socialist” u renditën sërisht në vendin e fundit në rang global.
Në fakt këto rezultate nuk kanë lidhje as me pandeminë e as me tërmetin siç e keni dëgjuar e do ta dëgjoni shpesh gjatë fushatës dhe debateve televizive. Kjo ka lidhje me fokusin që qeveria ka tek arsimi, edhe ky fokus imponohet nga modeli ekonomik që qeveria këkon të zhvillojë.
Në modelet ekonomike si ky i yni që bazohen në shfrytëzimin pa kriter të burimeve natyrore dhe gjeografike, ku parimet e konkurecës edhe shanseve të barabarta janë përçudnuar, ku meritokracia ka rënë, ku promovohen sektorë të cilët nuk kërkojnë njohuri të sofistikuara, nevoja për aftësi dhe njohuri individuale ulet. Rezultatet i këtij modeli ekonomik janë të njohura edhe në literaturë,ato janë mbivlerësimi i monedhës vendase, zhvlerësimi i dijes edhe ulja e produktivitetit, ato çka po përjetojmë në Shqipëri.
Është më e thjeshtë që me paratë e taksa paguesve apo të donatorëve të ndërtosh shkolla, por është shumë më vështirë të hartosh edhe zbatosh politika të mira arsimore aq më tëpër kur modeli zhvillimor ekonomik i zgjedhur edhe promovuar nga skuadra ku bën pjesë nuk e imponon këtë. Ndaj, në pamundësi për të vepruar ndryshe në daljet publike, ministrja e arsimit më shumë se përgjegjese për politikat arsimore, ngjason me një kryeinxhiniere në kantierin e ndërtimit.
E pra pyetja është e thjeshtë: a do të vazhdojmë të vetkënaqemi me një ministri ndërtimi apo do të fillojmë të ngulmojmë për një model tjetër zhvillimi edhe bashkë me të për një ministri të vërtetë arsimi?