PD nis ankesat, pa nisur votimet: Të pezullohet printimi i votës së diasporës, KQZ të mblidhet urgjentisht

1 Minuta Lexim

Partia Demokratike i ka drejtuar një kërkesë zyrtare kryetarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, për pezullimin e menjëhershëm të procesit të printimit të dokumentacionit për votuesit nga diaspora. Gjithashtu kërkon mbledhje urgjente.

Sipas PD-së, gjatë përgatitjes së dokumentacionit janë konstatuar parregullsi të rënda, të cilat mund të cënojnë integritetin e procesit.

“Nga ana e vëzhguesve tanë jemi informuar se gjatë procesit të përgatitjes së dokumentacionit zgjedhor për votuesit nga jashtë ka pasur një problematikë që lidhet me printimin dy herë të label-it të adresës që në terma praktikë nënkupton që një zgjedhësi mund t’i shkojnë dy zarfe (dy fletë votimi), duke rrezikuar kështu që të kemi më shumë vota se numër zgjedhësish. Sipas vëzhguesve tanë janë identifikuar 14 raste, por mund të ketë edhe të tjerë.

Në këto kushte, me qëllim sqarimin e plotë të kësaj problematike dhe marrjen e masave, kërkojmë që të pezullohet procesi dhe të mblidhemi urgjentisht sot në ora 11:30 në pallatin e sportit “Feti Borova” për të diskutuar lidhur me këtë çështje. Kjo kërkesë ka për qëllim garantimin e rregullshmërisë, ligjshmërisë dhe integritetit të procesit dhe kurrësesi zvarritjen e tij” thuhet në njoftimin e PD-së.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull