Kreu i SPAK Altin Dumani teksa prezantoi para KLP-së raportin e vitit 2024, theksoi se janë nën hetim 33 ish-zyrtarë të lartë.
Ai theksoi se gjatë 2024-ës janë shtuar kallëzimet nga qytetarët.
Gjatë fjalës të tij Dumani falënderoi KLP-në, si i vetmi institucion që sipas tij ka reaguar ndaj sulmeve të SPAK-ut.
“Sa i takon luftës kundër korrupsionit janë hetuar një numër i konsiderueshëm zyrtarësh të lartë. Janë nën hetim 33 ish-zyrtarë të lartë, ku dy prej tyre janë regjistruar në dy procedime të ndryshme secili.
Nga këta 33, 19 zyrtarë janë dërguar për gjykim në gjykatë.
Në vitin 2024 janë 10 funksionarë të lartë publik për të cilët ka pasur vendime të formës së prerë. Numri i personave të dërguar në gjykatë përbën 35,2 për qind të totalit të individëve nën hetim.
Hetimet e vitit 2024 tregojnë se korrupsioni i zyrtarëve të lartë zhvillohet përmes skemave të sofistikuara, dhe faktorë si ndikimi institucional, përfshirja e rrjeteve kriminale, pastrimi i parave, rrisin po ashtu nivelin e rrezikut.
Gjatë vitit 2024 konstatohen në total 132 hetime të filluara me kallëzime dhe referime nga individë dhe institucioneve”.