Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, deklaroi gjatë një interviste për MCN TV se Agjencia Kombëtare e Ushqimit do të shkrihet dhe do të bashkohet me të gjitha inspektoratet e ushqimit.
Ministrja theksoi më tej se të gjitha do të krijojnë një institucion që do të zbatojë politikat e tij për peshkimin, për bimët, produktet e kafshëve dhe nuk do të varen nga një drejtor i përgjithshëm, por nga tre nivele monitorimi.
“Katër ngarkesa me mandarina ishin mandarina eksporti. 35 janë bllokuar nga Greqia dhe Italia, që janë vende të BE-së. Ky nuk është një fenomen shqiptar, nuk po e relativizoj që edhe ata qenkan më keq se ne, por dua të them se ky produkt bëhet duke rritur shkëmbimin e informacionit. Kur ra gripi i shpendëve në Kroaci, ne bëmë bllokimin e importeve, apo kur ka një problem në Rumani, na intereson edhe ne. Këto janë protokolle që ne i kemi vendosur në ligj. Në zbatim të tyre ka inspektorë dhe janë të detyrueshme për t’u zbatuar”, tha Denaj.
“Në shtator të vitit të kaluar ka kaluar një ligj që do të vihet në zbatim deri në fund të vitit, me të gjitha aktet juridike që inspektoratet do të riorganizohen, AKU do të shkrihet dhe do të bashkohet me të gjitha inspektoratet e ushqimit. Të gjitha do të krijojnë një institucion që do të zbatojë politikat e tij, për peshkimin, për bimët, produktet e kafshëve dhe nuk do të varen nga një drejtor i përgjithshëm, as nga ministri, por nga një sistem i tërë, sepse nuk mund të menaxhojmë vetëm me njerëz, por nga tre nivele monitorimi”, tha Denaj.