Nëse do të përzgjidhnit një deputet atipik për një zonë rurale në Shqipëri, zgjedhja me gjasë do të ndalte rregullisht tek një emër: Toni Gogu. Jurist, drejtues e nëpunës i lartë në disa institucione me rëndësi që nga Banka e Shqipërisë, Ministria e Drejtësisë e Bashkia Tiranë, por njëherësh edhe njeri i fesë aq sa të gjithë e thërrasin “pastori” – ky është Toni Gogu që sot njeh shumëkush. Një imazh i kuruar, i qetë, i përmbajtur në fjalë dhe mbi të gjitha në sharje e fyerje, aq të zakonshme në sallën e Kuvenditdhe meidanin e politikës. Në pamje të parë një djalë Blloku, jo një banor fshati, i cili ka zgjedhur jetën e qetë familjare dhe përkushtimin në punë. “Kam vizituar deri tani 30 fshatra, më mbeten dhe katër”, thotë teksa pranon t’i përgjigjet pyetjeve tona.
Zoti Gogu, si po ju shkon fushata? Si ndiheni që ndodheni në lëlistë të hapur dhe duhet të bëni fushatë në çdo cep të Tiranës?
Kristo Naçi, një mik dhe maratonomak i shkëlqyer më ka prezantuar me maratonën në mal. Kjo fushatë ngjan si maratonë në mal. Hapat janë të vegjël, por rruga është e gjatë. Jemi vetëm ne, socialistët përballë qytetarëve, vetëm me punët tona dhe fjalën që u japim sy më sy. Kam vizituar mbi 30 fshatra të zonës, më kanë mbetur edhe katër, që janë si gurët e fundit për të mbyllur një urë besimi. Nevojat janë të qarta: titulli i pronësisë dhe infrastruktura. Nga ana tjetër, nuk ka bekim më të madh, se të shohësh qindra familje në shtëpi të reja, fëmijë në shkolla moderne dhe kantiere të hapura infrastrukture që kanë munguar në dekada. Të jesh në listë të hapur është si t’i ngjitesh malit me vrap: sfidë, por edhe privilegj.
Qarku është i madh dhe i larmisëm – nga Dajti në Rrogozhinë. Por lidhja me njerëzit është e vjetër dhe e sinqertë. Kam krijuar miq në çdo cep, përmes punës së përditshme dhe kontaktit të drejtpërdrejtë me komunitetin. Kujtoj ndër të tjera një drejtues të vjetër në Pezë, Nezir Gorica me origjinë nga Berati. Një njeri që banorët e rrethinave të Tiranës e integruan me dashuri mes tyre. Është një model sesi beratasit dhe të tjerët kanë gjetur strehë në një hapësirë kaq të madhe si Tirana, një metropol që ka mirëpritur cilindo që ka dashur të vijë e të nisë një jetë të re këtu.
Si janë raportet me kolegët tuaj që garojnë për të njëjtin mandat në listë të hapur?
Janë korrekte dhe miqësore. Jemi si lojtarë në të njëjtin ekip – të gjithë duam të fitojmë, por e dimë që vetëm skuadra fituese i shërben qytetarëve. Uroj t’a kemi të gjithë pjekurinë për ta kuptuar.
Nëse do ta cilësonit fushatën me një fjale?
E pazakontë. Sepse përballëmi me një opozitë të bunkerizuar dhe një shumicë që ka hapur portat e përfaqësimit. Kemi një ekip të gjallë, me përfaqësim nga breza të ndryshëm e me energji të reja dhe të shumëfishta.
Si ndikon në fushatën tuaj dobësia e opozitës dhe prania e partive të reja?
Na jep më shumë hapësirë, por edhe më shumë përgjegjësi. Ne jemi të vetmit që shkojmë sy më sy, derë më derë. Kjo kërkon sinqeritet, përgjigje konkrete dhe llogaridhënie reale.
Kjo është fushata e parë pa praninë fizike të kryebashkiakut Veliaj. Si ndiheni për këtë?
Erioni është gjithmonë i pranishëm në këtë qytet – në çdo kënd lojrash, në çdo kopësht, në çdo shkollë, në çdo korsi biçikletash apo çdo shesh lagjeje. Puna e tij për Tiranën flet shumë më tepër në këtë fushatë.
Ka ndonjë ndjesi konsumimi pas 12 vitesh qeverisje të PS?
Jo, nëse e sheh përmes punëve të bëra. Ne vijmë me bilance konkrete – rritje ekonomike, ulje papunësie, reforma në drejtësi, investime në rrugë, ujësjellës, energji, turizëm. Kjo nuk është thjesht qeverisje; është transformim.
Pse mendoni se Edi Rama është më i pëlqyer se vetë PS?
Sepse nuk rri kurrë në vend. Ka energji që sfidon zakonet e vjetra dhe guxim për të ndryshuar vazhdimisht. Është gjithmonë një hap përpara – dhe qytetarët e vlerësojnë këtë.
Cilat janë tre premtimet tuaja kryesore për këtë fushatë?
Shqipëria në Bashkimin Evropian. Ekonomi që vazhdon të rris pagat, të krijojë vende pune dhe të investojë në teknologji. Një shoqëri solidare, ku më i dobëti nuk mbetet vetëm.
Cilat janë sfidat më të mëdha për qarkun e Tiranës sot?
Në Tiranën rurale është përfundimi i rrugëve, ujësjellësve, kanalizimeve. Zgjidhja përfundimtare e titujve të pronesisë. Pa këto, jeta ngec. Me to, qytetari merr frymë lirisht.
Në fund të çdo bisede, çdo takimi, çdo fjale, kthehem tek ajo që më mban fort me këtë fushatë: në Pezë, në Vaqarr, në Ndroq – ne nuk premtojmë me fjalë, por lemë gjurmët të flasin. Ne punojmë me mund, me mend, me zemër.