Në një fjalim emocional dhe të fuqishëm në Kombet e Bashkuara, ambasadori i Palestinës, Riyad Mansour, ngriti zërin për vuajtjet e popullit të tij, duke theksuar veçanërisht tragjedinë që po përjetojnë fëmijët palestinezë në Rripin e Gazës.
Teksa nisi të qante me dënesë, Mansour deklaroi se që nga përfundimi i armëpushimit në muajin mars, më shumë se 1300 fëmijë janë vrarë. Ai përshkroi skena të dhimbshme me nëna që përqafojnë trupat e pajetë të fëmijëve të tyre, duke i ledhatuar dhe u kërkuar ndjesë, pamje që, sipas tij, janë të padurueshme për çdo njeri me ndërgjegje.
“Do të më falni, zoti President”, tha ai me zërin që i dridhej, “kam nipër e mbesa. E di çfarë domethënie kanë fëmijët për familjet e tyre. Si mund të qëndrojmë indiferentë ndaj kësaj tragjedie?”.
Ai u shpreh se populli palestinez, prej 14 milionësh të shpërndarë në territoret e pushtuara, në diasporë dhe në kampet e refugjatëve, është i pushtuar nga zemërimi dhe dhimbja. “Ne i duam fëmijët tanë, e duam popullin tonë. Nuk duam t’i shohim duke kaluar këtë tragjedi”, shtoi ai.