Burri shndërron autobusin e vjetër në apartament modern

2 Minuta Lexim

Një autobus i vjetër londinez është shndërruar në një apartament luksoz me dy dhoma gjumi, duke tërhequr vëmendjen e publikut dhe të mediave britanike. Sipas tyre, bëhet fjalë për një transformim befasues që është kryer nga Dan Atkins, 45 vjeç, nga Sunbury-on-Thames, i cili e nisi projektin përmes organizatës së tij bamirëse që ndihmon njerëzit në nevojë për strehim.

“Më erdhi ideja pasi mësova se një mik i imi po flinte në ndarjen e bagazheve të një autobusi”, është shprehur ai për mediat britanike, duke shtuar se kjo situatë e tronditi dhe e shtyu të vepronte. Autobusi, i prodhuar në vitin 1998, është transformuar plotësisht në një hapësirë banimi funksionale, me standarde të larta dhe dizajn modern.

Sipas “The Independent”, brenda autobusit ndodhen një dhomë gjumi për të rritur, një dhomë për fëmijë me shtretër marinari, një kuzhinë moderne, një banjo elegante dhe një ambient ndenjeje me televizor smart 32 inç dhe banak mëngjesi. I gjithë dizajni është menduar për të ofruar komoditet dhe ngrohtësi, pavarësisht hapësirës së kufizuar.

“Mendoj se është një nga autobusët më të bukur që është rinovuar ndonjëherë”, citohet të ketë thënë Atkins për “Metro”. Ai ka theksuar se qëllimi i këtij projekti nuk ishte vetëm krijimi i një shtëpie të pazakontë, por edhe mbledhja e fondeve për të ndihmuar të pastrehët. “Të gjitha të ardhurat nga shitja do të përdoren për të mbështetur projekte të tjera të organizatës sonë”, ka deklaruar ai.

Autobusi është nxjerrë në shitje për rreth 60 mijë euro dhe interesimi për të është rritur ndjeshëm.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull