Celibashi rrëzon pretendimet e PD-së për “trenin bullgar”: Asnjë fletë zyrtare e KQZ nuk doli jashtë qendrës së votimit

2 Minuta Lexim

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka rrëzuar pretendimet e Partisë Demokratike për “trenin bullgar” të pretenduar në Peqin, ku opozita deklaroi se kishte kapur fletë votimi në një lokal dhe që përdoreshin nga PS për manipulim të procesit.

Pas Policisë së Shtetit, që rrëzoi PD-në duke deklaruar se nuk ishin fletë votimi sipas ekspertimit të kryer, vjen edhe përgjigja zyrtare nga ana e KQZ-së.

Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi i ka kthyer përgjigje zyrtare ditën e sotme përfaqësuesit ligjor të PD-ADSHM, Franc Nuri, mbi kërkesën për ekspertim të datës 23 maj. Ai konfirmon se fletët e pretenduara nga PD-ja, sipas verifikimeve që ka kryer institucioni në KZAZ nr. 45 Peqin, (fshati Pekisht), nuk rezultuan të kishin dalë nga kutitë.

“Gjatë procesit të marrjes në dorëzim të bazës materiale të dërguar nga KZAZ nr. 45, Peqin, nuk është evidentuar ndonjë rast ku fletë votimi të papërdorura të jenë administruar jashtë kutive të materialeve zgjedhore të kësaj KZAZ-je”, thotë Celibashi në shkresën drejtuar Franc Nurit.

PD pretendoi më 22 maj nëpërmjet deputetit të sapozgjedhur të Elbasanit, Blendi Himçi, se kishin gjetur fletë votimi tek pronari i një lokali.

Nga verifikimet rezultoi se ishin fletë prove që shërbenin vetëm për trajnim dhe demonstrim me edukim të zgjedhësve se si votohej, dhe jo fletë të vlefshme votimi. Nga këqyrja rezultoi se këto fletë nuk kishin as vulën e KQZ-së dhe as firma.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull